Astrit Dehari

Për 2 ditë mbi 7 mijë nënshkrime në peticionin për Astrit Deharin!

Brenda dy dite janë mbledhur më shumë se 7 mijë nënshkrime në një peticion qytetar të organizuar nga shoqëria civile, në të cilin kërkohet seancë e jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit.

Periskopi.com Lajme

Besa Luzha, anëtare e shoqërisë civile, bëri me dije për “Gazeta Blic” se vetëm gjatë ditës së sotme janë mbledhur mbi 4 mijë nënshkrime.

“Sot saktësisht 4572 kurse dje kanë qenë rreth 3000 nënshrkime”, tha Luzha.

Më tej, ajo tha se nga dita e nesërme, peticioni me qytetarë do të zhvendoset edhe në komuna tjera të vendit.

“Nesër fillon nënshkrimi edhe në Komunat e tjera si Podujevë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë”, tha Luzha e që më pas shtoi se “kemi presion edhe nga diaspora edhe ata po duan të nënshkruajnë. Po mendojmë t’ua dërgojmë edhe atyre qoftë edhe simbolikisht sado pak të kenë mundësi të shprehin pakënaqësitë”, është shprehur ajo.

Peticioni i nisur ditën e djeshme, sipas kësaj anëtareje të shoqërisë civile do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji.

“Do të vazhdojmë deri në fund të muajit nëntor fillimisht e pastaj shohim”, ka thënë ajo.

Shoqëria civile përmes këtij peticioni po mundohet t’iu bëjë presion institucioneve të vendin në mënyrë që drejtësia të vihet në vend.

Ky peticion ka nisur 18 ditë pas vdekjes së Astrit Deharit, anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.