timthumb

PDK: Mustafa e shfrytëzoi më mirë buxhetin e Prishtinës se Ahmeti

Kundërthëniet në mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Prishtinës, janë ashpërsuar të enjten, kur në seancën e asamblesë, u përdor gjuhë e ashpër në mes asambleistëve, kur Sadri Ramabaja i Lëvizjes Vetëvendosje e quajti “rrugaç”, Flamur Shalën e Lidhjes Demokratike.

Periskopi.com Lajme

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Ramabaja e ka pranuar se një gjuhë e tillë nuk e ka vendin brenda asaj salle.

“Fjala rrugaç nuk është dashur të thuhej, por Shala tha gjëra që s’është dashur t’i thoshte. Këtë nuk e kam pritur nga ai, për shkak se vjen nga një familje që i ka kontribuuar këtij shteti”, është arsyetuar Ramabaja gjatë intervistës në Info Magazine, ku u përball me Muhamet Selmanin të Partisë Demokratike.

Përplasjet në mes përfaqësuesve të dy subjekteve politike mbi buxhetin 9 mujor të Prishtinës, kanë vazhduar, me Selmanin i cili e ripërsëriti se ish-kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, e kishte përdorur më mirë buxhetin e komunës.

“Disa herë e kemi kritikuar këtë gjendje dhe kemi tentuar ta gjejmë formulën më të mirë. Nëse e krahasojmë trendin e kësaj qeverisjeje në tri vitet e fundit, kanë mbetur para nga buxheti dhe kjo është një shpenzim mjaft i dobët në raport me buxhetin që e kemi”.

“Shifrat e buxhetit tregojnë se Isa Mustafa e shfrytëzoi buxhetin më mirë se Shpend Ahmeti”, ka thënë Selmani.

Në ballafaqimin në mes Ramabajës dhe Selmanit, është inkuadruar Flamur Shala, i cili tha se pozita e opozita mund të përplasen për çështje pune, por se në sallë nuk duhet të ketë diskurs personal.

“Pozita dhe Opozita duhet të kenë përplasje, por në këtë rast kemi përplasje personale. Kur njëri nga anëtarët e Kuvendit fyhet, sigurisht reagimet janë të shumta”, ka thënë Shala