lumezi

Kapen të dyshuarit për vjedhjen në shtëpinë e kryeprokurorit

Në komunikatën e gjerë ku e përshkruan rastin e arrestimit të tre personave për vjedhje veturash, e një mori ngjarjesh të tjera të kategorizuara si vjedhje të rënda e veprime të tjera kriminale, Policia e Kosovës përmend edhe rastin e vjedhjes së telefonit të kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Periskopi.com Lajme

Në bastisjet që i ka bërë grupit të cilin thotë ta kenë nën vëzhgim që nga tetori, janë sekuestruar disa prova materiale.

Në komunikatën e Policisë thuhet se “të gjitha këto gjësende të sekuestruara janë dëshmi momentale për së paku pesë raste të vjedhjeve të veturave dhe një rasti të vjedhjes së rëndë ku cak ka qenë edhe shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit”.

Policia ka njoftuar se në procesin e hetimeve konsistente nga zyrtarët e saj lidhur me rastet e disa vjedhjeve të rënda dhe vjedhjeve të veturave që kohëve të fundit janë shqetësuese për qytetarët tanë por edhe për vetë Policinë e Kosovës, PK, respektivisht hetuesit rajonalë nga Drejtoria Rajonale në Prishtinë kanë pranuar disa prej rasteve të cilat për nga mënyra e kryerjes kanë qenë të njëjta dhe dyshohet se janë të kryera nga individë apo grup i njëjtë i të dyshuarve.

“Bazuar në hetime policore ky grup dyshohet se është i përbërë nga katër persona, por që numri i tyre mund të jetë edhe më i madh. Grupi është vëzhguar dhe monitoruar nga Policia që nga muaji tetor. Të dyshuarit kanë qenë të organizuar mirë, dhe kanë kryer aktivitetet kriminale duke filluar nga vjedhja e veturave të cilat i kanë shfrytëzuar për të kryer vjedhje të tjera, duke vjedhur targa të veturave dhe duke ua vendos veturave të vjedhura, për të kryer kështu në vazhdimësi veprat e vjedhjeve të shtëpive dhe veturave. Personat e dyshuar veprimet e tyre gjatë vjedhjeve i kanë kryer duke qenë të maskuar, kanë pas me vete dorëza dhe gjithashtu duke qenë edhe të armatosur”.

Ky grup, sipas PK-së, dyshohet të ketë kryer vjedhje të rënda në lagjen Veternik dhe në fshatin Çagllavicë, kryesisht nëpër shtëpi, ku para tyre ka pasur të parkuara vetura të shtrenjta.

“Të njëjtit vjedhjet i kanë kryer pas mesnate, derisa banorët e shtëpive kanë qenë duke fjetur, me ç’rast ata kanë vjedhur gjësende me vlerë dhe çelësat e veturave dhe me pas në largim e sipër duke i vjedh edhe veturat”, thotë më tej PK.

Gjatë përpjekjeve hetimore duke aplikuar masat e nevojshme ligjore për identifikimin e personave të dyshuar dhe zbulimin e rasteve të tilla nga Policia e Kosovës, më 27.11.2016 rreth orës 17:25 në Rr. “Dardania” në Fushë Kosovë është arrestuar i dyshuari M.M. kurse i dyshuari tjetër gjatë aksionit, ka arritur që të arratiset nga vendi i ngjarjes me ç’rast i njëjti ka sulmuar zyrtarët policorë duke ua drejtuar edhe armën.

“Policia megjithatë ka arritur qe t’ia marr armën. Nga vendi i ngjarjes është konfiskuar pistoleta me numër serik të dëmtuar së bashku me karikator dhe pesë fishekë të kalibrit 9mm, njëri fishek ka qenë në tytë, që ka paraqitur edhe rrezik potencial për jetën e zyrtarëve policorë. Po ashtu janë konfiskuar edhe dy vetura, njëra e të dyshuarit që është arratisë e që është i njohur për Policinë. Vetura e të dyshuarit Renault Laguna ngjyrë e zezë pa targa dhe VW Pollo ngjyrë e bronztë me targa vendore (targa të keqpërdoruara) janë konfiskuar me qellim të verifikimit dhe ekzaminimit të mëtutjeshëm”, theksohet më tej në komunikatën e Policisë.

Ndërkaq, më 27 dhe 28 nëntor, hetuesit rajonalë policorë kanë arritur që të arrestojnë tre (3) të dyshuar dhe të kryejnë edhe dy kontrolle të banesave.

Të arrestuarit janë M.M. (1991) nga komuna Malishevë me banim në Vranjevc, Prishtinë, (i përmendur edhe më lartë në komunikatë), N.G. (1990) me banim në Prishtinë dhe M.G. (1983) me banim në Prishtinë.

“Tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme me aktvendim të lëshuar nga Prokurori Kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, përderisa një i dyshuar mbetet në arrati dhe është në kërkim nga Policia”, bën me dije Policia e Kosovës.

Po ashtu nga shtëpitë e kontrolluara në dy lokacione në Fushë Kosovë dhe Prishtinë, me urdhër të Gjyqtarit te Procedurës Paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda janë konfiskuar gjësendet në vijim:

-Vinça për vetura

-Maska

-Dorëza

-Çelësa dhe dokumente të veturave që dyshohet të jenë të vjedhura

-Çekan

-Kaçavida

-Rroba për kamuflim

-Një pako e dyshuar me narkotik

-Tri libra të veturave BMW X6 një nga to, e cila është vjedh me vonë dhe është gjetur

-Gjashtë fishek etj,

“Të gjitha këto gjësende të sekuestruara janë dëshmi momentale për së paku pesë raste të vjedhjeve të veturave dhe një rasti të vjedhjes së rëndë ku cak ka qenë edhe shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit”, thekson Policia.

Gjatë procesit hetimor është arritur që të konfiskohet edhe një veturë Mercedes ngjyrë e zezë me targa të vjedhura, e cila dyshohet se është vjedhur nga grupi me datë 18.11.2016 në lagjen Emshir në Prishtinë, ku përveç veturës po ashtu kishte pas edhe vjedhje në shtëpi.

Policia e Kosovës është e përkushtuar në luftimin e dukurive negative dhe në veçanti rastet e vjedhjeve të rënda, falënderon qytetarët dhe apelon për bashkëpunim të vazhdueshëm në funksion të zbulimit të rasteve apo incidenteve që mund të cenojnë sigurinë e përgjithshme dhe sjelljen e personave të dyshuar para organeve të drejtësisë.