Pas deklaratave të Lladrovcit qëndrojnë Hashim Thaçi e Kadri Veseli

Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA's për Kosovës, Jakup Krasniqi thotë se është bërë tabelë qitjeje për gjithë orgjinë e PDK-së që kur nuk ka pranuar të kthehet në këtë parti.

Kushtrim Hajzeri Lajme

Në një intervistë për Periskopi.com ai thotë se e gjithë PDK-ja kanë qenë të angazhuar për një muaj rreth zgjedhjeve në Drenas, nga frika se po e humbin këtë komunë.

Krasniqi thotë se në jetën e tij ka pranuar sulme të ndryshme por thotë se goditjet më të ulëta i ka marr nga bashkëpartiakët dhe Shikistët.

Sa i përket deklaratave të Ramiz Lladrovcit në lidhje me fondin ‘vendlindja thërret’, Krasniqi thotë se pas këtyre sulmeve fshihet Hashim Thaçi.

Në intervistë për Periskopi ai flet për Demarkacionin me Malin e Zi, për murin e ndërtuar në Mitrovicë, për UÇK-në për të cilën thotë se është dëmtuar si luftë me akuza e shpifje të shumëllojta edhe te disa profiterëve te sotëm te politikës.

Ndërsa, për kodin telefonik +383 thotë se nuk është i Kosovë, por i Serbisë e cila ia jep Krahinës së saj.

Intervista e plotë me të:

Periskopi: Në lidhje me zgjedhjet në Drenas keni thënë që PDK po i drejton shigjetat nga ju edhe pse nuk keni qenë në garë. Pse mendoni që PDK po ju sulmon?

Krasniqi: Shikuar në shikim të parë të duket se është më shumë se e pakuptimtë, në garë si subjekt ishte NISMA për Kosovën, me kandidatin e saj, Isa Xhemajlaj dhe normalisht ata do të duhej t’i shpalosnin programet e tyre qeverisëse për Drenasin. Ketë nuk e pamë, sidomos nga kandidati i PDK-së. Kush me vëmendje e ka përcjell si para fushatën si fushatën, nuk e ka pasur të vështirë që t’i vërejtur akrobacionet e PDK-së dhe të kandidatit të saj. Fillimisht kërkuan që t’i kthehem familjes së vjetër (PDK-së) dhe po të kthehesha do të isha i mirë, madje shumë i mirë, por pasi nuk ua pranova ftesën, u bëra tabelë qitjeje për gjithë orgjinë e PDK-së ne institucione?! Kështu për më shumë se një muaj pushoj puna ne institucionet e shtetit, nisur nga Kuvendi.

Pse ndodhi kjo, ndoshta më mirë do të ishte të pyetshin ata. Populli ynë e ka një shprehje: “Pas Atit të mirë çohet shumë pluhur”! Mbase ata e bënë edhe nga frika e humbjes. Kjo frikë i shtyri të bëjnë shkelje te shumta ligjore, që ne një shtet do te dënoheshin?! Ata, ndoshta u nisën nga logjika “sulmi është mbrojtja më e mirë”! Por goditjet e tyre ishin tepër nën brez! Në jetën time kam marrë shumë goditje. Pas viteve të ’80 nga UDB-a Jugosllave e në vitet e ’90 krejt deri pas Luftës Çlirimtare nga segmente te Sigurisë që vepronin nën flamurin e LDK-së, por goditjet më të ulta i kam marrë nga bashkëpartiakët dhe Shikistet, ndonëse në periudhat më të vështira te tyre edhe i kam mbrojtur. Tani me vjen shumë keq se e paskena pas futur gjarprin ne gji! Madje sa për mua kjo nuk ka rëndësi, pasi këta gjarpërinjë janë duke e rrezikuar perspektivën e kombit. Për ketë shqetësohem unë!

Në jetën time, si te organizimit të fshehtë, të hetuesisë e të burgut dhe të luftës, nuk jam frikësuar për arsye te idealit e të qëllimit fisnik për liri e atdhe. Shikuar nga perspektiva e sotme, sot po frikësohem për atëherë. Me çfarë njerëzish paskena qenë ne të njëjtat llogore! Po, po kam frikë për perspektivën e popullit dhe të atdheut, kam frikë për fatin e fëmijëve të mi dhe gjeneratës së fëmijëve të mi! Këto ditë shpesh sjelli ndërmend një fjalë të popullit: “Se njeriun pa i  dhënë pushtet nuk e njeh”! E saktë, vetëm kur njeriu merr pushtet e tregon kafshërinë e tij!

Periskopi: Si i komentoni deklarata e Ramiz Lladrovcit në lidhje me fondin “vendlindja thërret”, ku për gjithcka që lidhet me këtë fond ka kërkuar të adresohet tek ju dhe Fatmir Limaj?

Krasniqi: Thuhet se një lavire kishte lindur një fëmijë kopil dhe ia la një tjetrës femër kopilin në derë. Pastaj nga kjo ka lindur shprehja: “T’i them se nuk me ka thënë”! Unë në organizimin ushtarak në radhët e UCK-së kam pasur kryesisht rolin e zëdhënësit të saj. Sikur akuzat të ishin për dobësi në komunikim me medie apo në deklaratat e shumta politike, në prononcime apo intervista, të cilat kanë qenë të shumta, ndoshta edhe do t’i hante pazari. Unë nuk besoj që ai është autori i tyre, por ai është zëdhënësi dhe përçuesi i atyre gënjeshtrave apo sajesave mediale. Unë besoj dhe besoj shumë se ajo gjuhë është vetëm e Hashimit, se ai jeton prej gjërave te tilla, por ai e ka gjetur një viktimë te mjerë që po ia bënë një argat besnik?! As Fatmiri nuk ka qenë pjesë e Fondit “Vendlindja Thërret”. Pra, kjo është një politikë tipike gebellsiane. Rrej, rrej e vetëm rrej se dikush te beson!

Kryetari i ri i Drenasit, nuk e ka pasur as një arsyeje të vetme te shpifte kundër meje, madje as te merrej me mua. Ai veç shumë sajesave të tjerave e ka sajuar, konfliktin tim me Fehmi Lladrovcin, konflikt që nuk ka ekzistuar kurrë. Përkundrazi e kam vlerësuar shumë dhe ai e ka merituar që të jetë, Komandant i Zonës se Drenicës dhe bile edhe anëtar i SHP te UCK-së, në ketë rrugë karriere nuk e kam penguar unë, përkundrazi. Ai e dinë mirë, bile shumë mirë se kush ishin penguesit e tij real?! Pse i heshtë ato, e dinë vetëm ai. Kjo mund të jetë vepër e shërbimit kriminal për denigrimin e njerëzve, por kurrë jo e një njeriut normal! Kjo me ka ardhur siç thotë populli si: “reja për s’kfjellti”. Edhe një herë e them me përgjegjësi se, autorët e pisllëqeve te tilla mund të jenë vetëm: Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Për ndryshe unë nuk e kuptoj gjithë ketë mllef ndaj meje dhe familjes sime?! E cila prej viteve ’90 ka qenë derë e hapur për njerëzit e Lëvizjes Kombëtare e Çlirimtare. Edhe për te përmendurit! Këto  akuza i shoh si përpjekje për te më eliminuar politikisht, por e kanë kot. Nuk jam gjunjëzuar as para kriminelëve të Serbisë! Nuk gjunjëzohem as tani, le ta harrojnë. Në jetën time, politikës i jam qasur me ndershmëri dhe do ta vazhdoi ashtu deri në fund. Qentë le te lehin atë zanat e kanë. Ne të drejtën time, do të eci edhe i vetëm!

Nëse opinioni media e kërkon autorin e tyre, le ti shikoj debatet në Kuvendin e Kosovës gjatë viteve 2004-2007 e sidomos akuzat ndaj Bajram Kosumit e Agim Çekut, akuza që e kishin adresë të vetme burimore – ke tjetër pos Hashim Thaçin e etur për pushtet! Krahasoni me këto të sotshmet.

Unë kam shkruar për luftën dhe asnjë akuzë të vetme nuk ua kam drejtuar asnjë njeriu te UCK-së. Këta të sotshmit edhe i kam kursyer shumë.  UCK-në e kam trajtuar si vlerë kombëtare dhe është vlerë bile kryevlerë. Atë vlerë e godasin vetëm ata që donë ta han si samunin kur njeriun e kap uria, mbase edhe pangopësia!

Këtu e mbylli çdo debat me hashimovitet e yshtur nga Hashimi. Nëse ata donë le te polemizojnë me librat e mija për luftën. Në dashin edhe me Dëshminë time te dhënë në Tribunalin e Hagës se edhe ajo i mundon?! Ajo dëshmi e ka pas shqetësuar shumë Thaçin dhe zëdhënësin e tij media!

Periskopi: Kuvendi si duket do ta përmbyll këtë vit pa pasur pikë diskutimi demarkacionin me Malin e Zi. Sipas jush a do të thotë kjo që kolicionit qeverisës po i duhet kohë për reflektim?

Krasniqi: Sivjet Kuvendi ka qenë në pushim. Demarkacioni nuk i ka numrat. Marrëveshjet e këqija po mbijnë si këpurdhat. Ky koalicion nuk dinë se çka është reflektimi, se po të dinte, do të ishin kryer zgjedhjet e parakohshme. Këta njerëz po e çojnë vendin drejt shkatërrimit! Për ketë qeverisje, gjyshet tona do të thoshin: “Bash për armik”!

Periskopi: Pasojë e kujt mund të konsiderohet muri mbi lumin “Ibër” në Mitrovicë?

Krasniqi: Muri është pasoj e bisedimeve politike të zhvilluara në Bruksel me Serbinë, te cilat fare nuk është dashur të fillonin. Bisedime teknike po. Bisedimet politike me Serbinë kanë përfunduar në Vjenë. Fajtor janë Thaçi e Mustafa. Ky i fundit jo vetëm që i ka vazhduar, por edhe duke qenë në opozitë i ka pas mbështetur marrëveshjet politike te Thaçit.

Periskopi: A po tregohet pafuqi e insitucioneve që deri tani nuk ka ndonjë ndërhyrje konkrete në këtë cështje?

Krasniqi: Të pritesh nga këto institucione është si ajo kënga: “Pritë me muaj e prit me vjet/ Pushka e Lilës s’ po kërcet”. Këta njerëz që e kanë kapur fort çdo mekanizëm te shtetit, nuk dinë se çka është qeverisja me përkushtim e përgjegjësi! Këta janë të çartur për pushtet.

Periskopi: Lista Serbe po vazhdon tash e sa muaj të bojkotojë institucionet e vendit. Deri tani nuk ka ndonjë ndërhyrje për zgjedhjen e kësaj ‘bllokade’. Si e komentoni këtë?

Krasniqi: Lista serbe më mirë do të ishte të quhej: Lista e Serbisë. Kjo Listë, krijesë e bisedimeve te Brukselit është pengesa kryesore për integrimin e serbëve te Kosovës në jetën institucionale e publike. Këta njerëz dinë vetën që t’i ndërlikojnë gjerat.  Këta as me opinionin publik, komunikimin nuk e kanë normal e njerëzor. Kjo tregon se këtyre njerëzve ju mungon kultura e komunikimit!

Periskopi: Gjuriq edhe njëherë nuk respektoi vendimin e MPJ dhe hyri ilegalisht në Kosovë, madje tha se lëviz lirshëm në veri, derisa Mustafa u pengua nga serbët për të kaluar në veri të Mitrovicës dhe shkoi atje nën përcjelljen e KFOR-it. Si e komentoni këtë?

Krasniqi: Kjo që po e thoni tregon më se miri sesa është jo funksional shteti ynë në veri. Mustafa- Thaçi e kanë pranuar sovranitetin e dyfishtë në atë pjesë, mbase edhe më shumë se kaq. Bashkësia e Komunave serbe, Muri, telekomi, energjia, gjyqësia e shumëçka tjetër e konfirmon ketë.

Periskopi: A mendoni që ka pasur situata politike ku është tentuar ulja e vlerave të UÇK-së?

Krasniqi: Pas luftës shumë kategori te shoqërisë sonë, madje dhe vet pjesëtarë të UCK-së ose disa pashallarë të pas luftës, kanë shërbyer për uljen e vlerave të luftës. Mënyra sesi i jemi qasur kësaj vlere, me akuza e shpifje të shumëllojta edhe te disa profiterëve te sotëm te politikës, seria e dënimeve të ndryshme e sidomos rasti Drenica dhe krijimi i Gjykatës Speciale, do ta shkarravisin edhe më tutje ketë vlerë. Nuk e di çka po mbetet nga ajo vlerë?  Kjo është tepër e dhimbshme.

Periskopi: Kodi telefonik është paraqitur si sukses nga insitucionet e vendit dhe në të njëjtën kohë edhe nga ato të Serbisë. Ku qëndron e vërteta në këtë mes sipas jush?

Krasniqi: Kodi nuk është i Kosovë. Kodi është i Serbisë e cila ia jep Krahinës se saj. Kosovës e Metohisë për shfrytëzim. Kodi ishte një mashtrim si te gjitha mashtrimet e tjera. Inshalla jemi shëndosh, nga këta njerëz do të na vijnë edhe mashtrime te tjera, pa dyshim! Prandaj këta njerëz duhet te shkojnë në theqafje!

Reklamë
Reklamë