opozita-fatmiri-visari-ramushi-670x350

Opozita për zgjedhje të dyfishta në pranverë

Kohëve të fundit janë shtuar zërat që vendi mund të shkoj drejt dy palë zgjedhjeve, atyre qendrore dhe lokale, paralelisht në pranverë të vitit të ardhshëm.

Periskopi.com Lajme

Këtë ide po e mbështetin plotësisht, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, të cilat zgjedhjet i shohin si rrugëdalje të vetme nga gjendja në të cilën ndodhet vendi, shkruan Indeksonline.

Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së, vlerëson se kërkesa për të shkuar drejt zgjedhjeve, tashmë nuk është vetëm kërkesë e opozitës, por edhe të tjerëve në përgjithësi. Kjo sipas tij, ka ardhur si pasojë e zhvillimeve të fundit politike.

“Çështja e zgjedhjeve të parakohshme apo të jashtëzakonshme, tashmë po shndërrohet në një kërkesë përtej AAK-së, apo opozitës në përgjithësi. Momenti politik dhe zhvillimet e fundit i kanë shtruar si nevojë zgjedhjet. Nëse nuk keni harruar ne fundvitin e shkuar AAK, ka dalë me idenë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, kjo si rrugë për të dalë nga bllokada që dukej që atëherë, por të tjerët na kanë akuzuar se kundërshtimin e dy çështjeve të mëdha, e kishim vetëm për pushtet”, ka thënë Nitaj.

Sipas tij, tani pas një viti Kosova ka ardhur në situatë, kur për zgjedhjet e parakohshme nuk mendon vetëm AAK apo opozita, por kjo ide dhe kërkesë është gjithnjë e më e shprehur edhe nga vetë eksponentë të partive në pushtet.

“Unë besoj se edhe partitë e shumicës, zgjedhjet e parakohshme duhet t’i shohin si një mundësi të rikthimit të një far lloj normaliteti në vend, dhe sot nuk kemi normalitet. Kjo nuk duhet të shihet si agjendë e opozitës, por domosdoshmëri e krijuar nga një situatë pa rrugëdalje. Tani, e mira e së mirës do të ishte që zgjedhjet të mbaheshin menjëherë, por nëse klasa politike e këtij vendi, mund të arrijë një konsenzus që zgjedhjet të mbaheshin edhe në pranverë, kjo do të ishte gjyma e të keqes”, ka theksuar Nitaj për Indeksonline.

Edhe zyrtari për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti vlerëson se zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë, aq më mirë. Madje, ai ka thënë se VV-ja veçse ka filluar përgatitjet në teren, duke u bërë gjithmonë e më e fortë.

“Për ne është jashtëzakonisht urgjente mbajtja e zgjedhjeve dhe kjo duhet të ndodhë sa më parë. Kjo sepse shtetin nuk mund ta drejtojë tutje një qeveri e cila punon në kundërshtim me vullnetin e popullit, e cila është e kriminalizuar dhe të cilës i ka humbur legjitimiteti. Ne ka kohë që kërkojmë zgjedhjet dhe mendojmë që sa më shumë vonohet mbajtja e tyre, aq më shumë stërkeqet vendi, prandaj do të duhej që pranvera e 2017’së ta gjente Kosovën me një qeveri të re”, ka thënë Hoti për Indeksonline.

Ndërsa sa i përket zgjedhjeve lokale, Hoti ka shtuar se edhe në nivel lokal, në shumicën e komunave gjendja është e rëndë sepse udhëheqin këto parti dhe kanë model të njëjtë. Megjithatë, sipas tij,  prioritare dhe urgjente janë zgjedhjet e përgjithshme, ngase është i nevojshëm një ndryshim rrënjësor në qendër.

“Por, sidoqoftë, ne jemi duke u forcuar në terren dhe VV është më e fuqishme se kurrë më parë. Paralelisht me shtrirjen e madhe në terren jemi në përgatitje edhe për proceset zgjedhore”, ka thënë tutje Hoti.

Partia tjetër opozitare, Nisma për Kosovën mbështet mbajtjen e zgjedhjeve sa më parë që është e mundur. Bilall Sherifi, anëtar i Kryesisë së Nisma-s ka thënë për Indeksonline se meqë asgjë nuk po bëhet si duhet në Kosovë, zgjedhjet janë zgjidhja e vetme.

“Duke e parë që në vend asgjë nuk është duke u bërë sikur që duhet, atëherë rëndësi ka që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt qoftë menjëherë brenda 45 dite, qoftë në pranverë”, ka thënë shkurt Sherifi. /Indeksonline/