prizren

Opozita në Prizren ngre dyshime për keqpërdorim të parasë publike

Vonesat e dukshme në realizimin e projekteve nga kategoria e investimeve kapitale të buxhetit të Komunës së Prizrenit ka bërë që partitë opozitare të ngrenë dyshime se lidershipi lokal po i keqpërdor paratë publike.

Periskopi.com Lajme

Sipas tyre qasja e deritashme e drejtuesve politikë të Komunës së Prizrenit, lidhur me investimet kapitale ka qenë në shpërputhje me interesin publik, pasi që një numër projektesh janë nisur disa vjet më parë dhe nuk kanë përfunduar ende, ndërkohë që objektet kanë nisur të amortizohen ende pa u funksionalizuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryetari i Degës së NISMA-s në Prizren, Zafir Berisha, që njëherësh është deputet në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se praktikat e tilla bëjnë që dëmet monetare të jenë të mëdha.

“Prizreni vazhdon të atakohet nga investimet kapitale, të cilat bëhen pa kurrfarë kriteri, që lënë në dyshim se këto bëhen me qëllim të krijimit të mundësisë së zhvatjes së parasë publike. Dhe jo rastësisht në Prizren ka investime milionëshe që kanë nisur para 8 vjetësh dhe ende nuk kanë përfunduar”, ka thënë Berisha. Ai ka vlerësuar se rasti më eklatant është objekti i Shtëpisë së Kulturës në Zhur që prej shumë vjetësh është në realizim e sipër dhe ende nuk i është dhënë në shfrytëzim qytetarëve. Sipas tij, Qeveria lokale praktika të ngjashme ka zbatuar edhe në objektin e Shtëpisë së Kulturës në Hoçë të Qytetit dhe objekte të tjera, ku së fundmi evidentohen edhe vonesat në ndërtimin e objektit të Bibliotekës së Qytetit.

Ndërkaq këshilltari nga radhët e LDK-së në KK-në e Prizrenit, Haziz Hodaj, me vite të tëra tërheq vërejtjen për vonesat në ndërtimin e funksionalizimin e objektit shkollor në fshatin Gjonaj.

Shefi i Zyrës së informimit në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha ka pohuar se projektet e mëdha kërkojnë kohë për t’u realizuar dhe se në raste të caktuara ka probleme varësisht nga specifikat e terrenit ku punohet