20161126204855996600

“Omer Kaleshi – 55 vjet krijimtari” do të hapet në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë

Galeria Kombëtare e Maqedonisë njofton se mе datë 01 dhjetor 2016 (e enjte), me fillim në ora 12, në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, objekti Çifte Hamam, në Shkup, do të mbahet solemniteti me rastin e donacionit të veprave figurative të piktorit të njohur Omer Kaleshi për Komunën e Çairit.

Periskopi.com Kulturë

Në ekspozitën me titull: “Omer Kaleshi – 55 vjet krijimtari” do të ekspozohen gjithsej 24 piktura të dhuruara të cilat bëjnë pjesë në opusin më të ri krijues të autorit, ndërkaq publiku vendor do të ketë mundësi të njoftohet me të njëjtat fill pas prezantimit të tyre në Vjenë të Austrisë.

Galeria Kombëtare e Maqedonisë këtë ekspozitë e organizon në kuadër të aktiviteteve të veta programore vjetore të mbështetura nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Komunën e Çairit.

Maestro Omer Kaleshi është një piktor shqiptar me renome evropiane dhe botërore. Ka studiuar në Stamboll në Akademinë “Mimar Sinan”, ndërsa nga viti 1956 jeton në Paris si artist i lirë.

Në kuadër të javës së përkushtuar Omer Kaleshit, të cilën e shënon Komuna e Çairit, përveç ekspozitës së veprave të dhuruara, më datë 02 dhjetor të vitit 2016 (e premte) në ora 11, në ditën e dytë të këtij manifestimi, në hapësirat e Galerisë së Çifte Hamamit (pjesë e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë), autori do të realizoj takim edukativ me fëmijët e shkollave fillore të kësaj komune, në të cilin do t’i njoftojë gjeneratat e reja me krijimtarinë e tij.

Pas prezantimit të ekspozitës në Çifte Hamam, më datë 06 dhjetor të vitit 2016 (e martë) e njëjta do të promovohet në Institutin për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me ç’rast veprat në pronësi të Komunës së Çairit përgjithmonë do të jenë të ekspozuara për publikun në formë të ekspozitës së përhershme në Galerinë përkushtuar Omer Kaleshit.  / KultPlus.com