komf-780x439

OJQ-të kërkojnë që fëmijët të mos përdoren në fushatat zgjedhore

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF që përfaqëson 22 organizata joqeveritare në fushën e mbrojtjes së drejtave të fëmijëve dhe Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim që përfaqëson 38 organizata joqeveritare të fushës së monitorimit të zgjedhjeve, në emër të misionit për mbrojtjen, respektimin, mirëqenien dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve, apelojnë tek subjektet politike, të cilat janë në fushatë elektorale për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Drenasit, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët për aktivitetet e tyre zgjedhore.

Periskopi.com Lajme

Këto organizata po ashtu apelojnë te prindërit, të cilët përcjellin aktivitete zgjedhore të partive, që të mos i politizojnë fëmijët që janë ende në zhvillim e sipër.

“Nga vëzhgimi i fushatës zgjedhore në terren është vërejtur prania e fëmijëve në aktivitetet e hapjes së fushatës së subjekteve politike. Duke qenë së tani fillojnë punën shkollat pas pushimit, partitë politike duke mbajtur aktivitetet e tyre zgjedhore në objektet shkollore, përveç që mund të pengojnë procesin e rregullt mësimor, rrezikojnë të përdorin fëmijët edhe për të promovuar subjektet e tyre politike, siç ka ndodhur edhe në fushatat e zgjedhjeve të kaluara”, thuhet në komunikatë.

KOMF dhe DnV i bëjnë thirrje:

Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Drejtorive Komunale për Arsim dhe shkollave duke u bazuar në Ligjin për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës Nr. 03/L-068, të mos lejojnë assesi që procesi mësimor të pengohet gjatë fushatës zgjedhore dhe në pajtim me Udhëzimin administrativ për aktivitetet politike në objektet shkollore;

Fëmijët të mos përdorën në takime si promovues të fushatave;

Të mos shfrytëzohen ambientet shkollore gjatë kohës së mësimit për qëllime të fushatës elektorale të subjekteve politike;

Mediat elektronike dhe ato të shkruara që mbulojnë fushatën zgjedhore, të marrin një rol aktiv për publikimin e rasteve ku fëmijët shfrytëzohen për qëllime partiake gjatë fushatës elektorale;

Prindërit të vetëdijesojnë fëmijët e tyre për të mos e ndërprerë procesin mësimor, për pjesëmarrje në fushatat elektorale të partive politike. /Telegrafi/