20161126205554403646

NYT: Mitrovica, qytet me dy ekipe futbolli të ndara nga lufta

Gazeta prestigjioze New York Times ia ka kushtuar një artikull të veçantë qytetit të Mitrovicës. Në këtë artikull situata e Mitrovicës përshkruhet nga dy ekipet futbollistike. Trepçën shqiptare dhe Trepçën serbe.

Periskopi.com Lajme

Trepça shqiptare përshkruhet si një ekip që në vitet ’70 nëpër stadiume ka mbledhur mbi 20 mijë shikues ndërsa në ndeshjen të cilën New York Times e ka përcjellë këto ditë, Trepçën në ndeshjen kundër Feronikelit e kanë përcjell gati 100 shikues.

“Atyre ditëve, 20 mijë fansa do të mblidheshin për të parë një ekip me serbë, boshnjakë, kroatë dhe shqiptarë që luajnë së bashku, transmeton Koha.net. Por ajo ishte tjetër kohë, dhe tjetër shtet, para se lufta ta ndante qytetin dhe ekipin e Bardhec Seferit, ish-futbollist.

“Sot, janë dy Trepça në Mitrovicë: Ajo shqiptare në jug që quhet KF Trepça dhe ajo serbe që quhet FK Trepça. Të dy ekipet kanë të njëjtën logo dhe kanë fanellat zi e gjelbër. Të dy ekipet kanë të njëjtën histori që fillon në vitin 1932, kur është themeluar Trepça. Edhe pse tani luajnë në liga të ndryshme, dy ekipet pohojnë se janë trashëgimtarë të së kaluarës së klubit”, thuhet në shkrimin e New York Times.

“Pas luftës në Kosovë, qyteti u nda në dy pjesë, FK Trepça tani zhvillon garat në rangjet e ulëta të ligës serbe, larg nga stadiumi që thonë se e kanë trashëgim. KF Trepça u themelua si formë proteste për pavarësi dhe pohon se luan në stadiumin që për ta është trashëgimi shpirtërore”, shkruan më tej NYT.

“Kur erdha këtu pas luftës, bari ishte shumë i gjatë, nuk mund të shihje trupin”, ka thënë Seferi për NYT, transmeton Koha.net. “Nuk shihje asgjë. Prandaj të gjithë lojtarët e kositën barin. Por e dinim se ishim në shtëpi”.

New York Times për Mitrovicën shkruan se ishte njëri prej qyteteve më të pasura në Jugosllavi.

“Qytet i mineraleve dhe kishave ortodokse, kishte popullatë të përzier shqiptare dhe serbe të cilët gëzonin punë fal minierave të Trepçës, nga e cila vjen edhe emri i dy klubeve. Më shumë se 70 për qind e të ardhurave vjetore të Kosovës vinin nga minierat, të cilat mbanin zink, argjend dhe ari”, shkruan veç të tjerash New York Times.

“Pastaj është FK Trepça, me bazë në Kosovë, por që luan në ligën e Serbisë. Federata e Futbollit të Serbisë thotë se klubi i përket asaj. Ndërsa FFK-ja thotë se historia e klubit dhe e ardhmja e saj janë në Kosovë”, shkruan NYT.

FFK-ja i ka bërë thirrje UEFA-s dhe FIFA-s që të zgjidhin çështjen e dy Trepçave, por UEFA ka paralajmëruar se këtë çështje duhet ta diskutojnë dy federatat.