Nuk ka komb kosovar, ka identitet shtetëror të Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një nga forumet e Universitetit Europian të Tiranës u shpreh se kufiri me Shqipërinë bëhet gjithnjë e më i padukshëm, se bashkëpunimi thellohet vazhdimisht, ndërkohë që vëmendja ndaj Preshevës dhe shqiptarëve të Maqedonisë është maksimale. Ai u shpreh gjithashtu e nuk ka komb kosovar, ka vetëm një komb shqiptar. Në vijim intervista e Thaçit dhënë të përditshmes nga Tirana, Mapo.

Periskopi.com Lajme

Si President, sa e keni arritur që të dilni mbi palët dhe të përfaqësoni realisht unitetin e popullit?

Në dekadën e fundit jam lideri më i votuar në Republikën e Kosovës, duke fituar tri zgjedhje të njëpasnjëshme nacionale e tri lokale dhe në kuadër të ndarjes së pushteteve dhe me spektrin tjetër politik. Edhe në kohën kur kam qenë kryeministër i kam shërbyer çdo qytetari pa dallim politik, rajonal apo etnik. Si president i vendit angazhohem që të ruaj dhe kultivoj unitetin politik të vendit dhe unitetin qytetar. Këtë me spektrin politik shqiptar, por edhe me spektrin tjetër politik që është në Kosovë duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet. Në kuadër të kësaj, menjëherë pas marrjes së detyrës si president i vendit kam filluar procesin e Reformës në Drejtësi, në çështjet që i kemi identifikuar si zbrazëtira, dhe ky proces po ecën mirë. Në ditët në vazhdim do të dorëzoj propozimet për reformën elektorale që do të përfshijë zgjedhjen e presidentit të vendit nga populli, gjithashtu dhe për zgjedhjet e ardhshme lokale. Pavarësisht nga angazhimi si president, angazhimi për të vërtetën dhe pajtimin mes qytetarëve në Kosovë që ka qenë në konflikte dhe pajtimin mes Shqiptarëve dhe Serbëve, dhe komuniteteve të tjera, kështu që ky përkushtim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Unë përcjell dhe natyrisht kam qenë pjesë e debateve në kohën kur kam qenë edhe kryeministër, edhe në opozitë politike, por nga momenti i zgjedhjes si president i vendit ruaj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor dhe atë të përgjegjësive të mia si qytetar, si kultivues i unitetit politik dhe qytetar. Respektoj çdo opinion të ndryshëm dhe mendoj se kjo i jep shëndet demokracisë në Kosovë, por gjithashtu shpreh opinionin tim edhe mospajtues me devijimet apo deformimet që mund të ndodhin, apo sulmet e institucioneve të vendit, proceseve politike dhe së ardhmes euroatlantike.

A mendoni që Shqipëria duhet ta udhëheqë pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan? Tani kemi dy shtete shqiptare në Ballkan, a mendoni se duhet të ketë një harmonizim në politikën e jashtme të këtyre shteteve apo do ketë një lloj kompeticioni? Konkretisht, a nuk do ishte mirë që partneriteti shqiptar në Serbi, në Preshevë të ishte në qendër të vëmendjes të shtetit të Kosovës se sa të Shqipërisë? Duke e ditur që Presheva është një pasuri kulturore, ekonomike dhe lidhet më shumë me Kosovën se sa me Shqipërinë.

Për sa iu përket marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, mendoj se këto marrëdhënie vëllazërore janë shumë të mira dhe institucionale me fillimin e mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, kanë arritur nivelin më të lartë. Njerëzit ndoshta kanë pritur mrekulli nga ato takime, por besoj se është realizuar vetëm ajo çfarë ka qenë e mundur të realizohet. Në një formë apo tjetër me autoritet të ndryshëm institucional e politik unë prej dy dekadash po bashkëpunoj me Shqipërinë, me kuptimin që nga momenti kur kemi patur mundësi të komunikojmë me Shqipërinë. Theksoj përsëri se pa Shqipërinë nuk do të ndodhte liria e Kosovës, as pavarësia e Kosovës, as kjo frymë e fuqishme euroatlantike. E them këtë sepse jam dëshmitar i gjallë i këtyre ndodhive dhe çdo pretendim për mohimin e Shqipërisë nga kushdo qoftë në Prishtinë apo Tiranë, më besoni se nuk është dashamirës dhe i qëlluar, por është i padrejtë. Në anën tjetër te pajtimi shqiptaro-serb, unë e vlerësoj lart angazhimin përfaqësues të Shqipërisë në këtë proces. Kosova do ta luajë rolin e vet si me institucionet e veta legjitime, me autoritetin e vet shtetëror dhe e theksoj që jam duke punuar shumë në këtë drejtim por në konsultim dhe me faktorët relevantë. Në kuadër të kësaj Shqipëria gjithmonë do ta ketë trajtimin adekuat dhe numër një. Nuk mendoj se është ndonjë garë në këtë drejtim, përkundrazi mendoj se është një sjellje shumë e përgjegjshme e politikës të të dyja palëve. Ne kemi patur një konflikt 100-vjeçar me Serbinë, ndërsa mbi kurrizin e vet e ka paguar më shumë Kosova dhe shqiptarët në Malin e Zi, në Preshevë, në Maqedoni apo shqiptarët në ish-Jugosllavi. Kryeqyteti i shqiptarëve në ish-Jugosllavi ka qenë Prishtina. Kryeqytet politik, akademik, kulturor dhe shpirtëror. Është e vërtetë që shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë i kanë patur sytë e drejtuar nga Prishtina dhe çdo sukses apo progres në Prishtinë, është reflektuar në të gjithë hapësirën ku kanë jetuar shqiptarët në rajonin e ish-Jugosllavisë. Prandaj dhe sot, ajo lidhje shumë e ngushtë, është lidhje familjare po ashtu dhe emocionale dhe janë njerëz që janë shkolluar në Prishtinë dhe sot i kemi lider të partive politike në të gjitha këto hapësira qoftë në Tetovë, Shkup, Preshevë apo Ulqin. Por demokratizimi i Shqipërisë ka krijuar një mundësi të re të këtij komunikimi dhe mundësie të madhe për shqiptarët kudo që jetojnë. Kështu që nuk ka ndonjë garë mes Prishtinës dhe Tiranës që kush do të ndikojë më tepër te shqiptarët në Maqedoni apo Preshevë, apo në Mal të Zi, por mendoj se është një plotësim i angazhimit të përbashkët. Si Prishtina ashtu edhe Tirana pajtohen se shqiptarët në Maqedoni duhet të realizojnë të drejtat e tyre kombëtare të plota në përputhshmëri me marrëveshjen e Ohrit. Si Kosova ashtu dhe Shqipëria pajtohen se shqiptarët në Preshevë duhet t’i gëzojnë të drejtat e tyre të plota kombëtare dhe të mos mbeten më tutje si komuniteti më i diskriminuar sot në Europë.

Në raport me Preshevën, Shqipëria ka një përgjegjësi të angazhimit më të madh. Për shkak të raporteve specifike të Prishtinës me Beogradin, të raporteve të konsoliduara mes Tiranës diplomatike me Beogradin. Për sa iu përket marrëdhënieve tona me shqiptarët në Malin e Zi, kemi raporte shumë të mira, bashkëpunojmë shumë ngushtë. Përshëndesim angazhimin e tyre në jetën politike, përfshirjen e tyre në jetën institucionale dhe orientimin e tyre të plotë për pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësimin e saj në NATO. Për sa i përket politikës së jashtme mes Shqipërisë dhe Kosovës, nuk ka ndonjë konkurrencë mes tyre, përkundrazi ka angazhime plotësuese për njëra-tjetrën. Tashmë kemi dhe konsullatat e përbashkëta edhe në Mynhem, në Milano. Do të kemi konsullata dhe ambasada të përbashkëta në vende të ndryshme, kështu që ky proces ka filluar, mund të shpejtohet dhe theksoj që unë përshëndes progresin dhe reformat që janë bërë në Shqipëri. Punën që kanë bërë të gjitha partitë politike dhe unë personalisht ndihem shumë krenar që kam patur mundësinë gjatë etapave të ndryshme historike të Kosovës të bashkëpunoj me të gjithë kryeministrat, ministrat në momentet më dramatike për Kosovën. E theksoj se angazhimet e mia në raport me Shqipërinë nuk janë as politike, as ideologjike, as partiake, por janë në raport të respektimit të shtetit shqiptar dhe përgjegjësive shtetërore që kemi.

A mendoni se procesi i integrimit në BE ka të bëjë kryesisht me solidaritetin e forcave politike në Kosovë dhe me institucionin tuaj? A mendoni se Europa do t’i mbyllë dyert për shkak të trazirave të fundit?

Nuk besoj se BE-ja do t’i mbyllë dyert, dhe ritheksoj besimin tim, që pavarësisht sfidave BE-ja do të mbijetojë. Por nuk është i fshehtë fakti që nëse nuk mbijeton dhe ne nuk do ta marrin përgjegjësinë që na takon si shtet i Kosovës por edhe si shqiptar në rajon. Duhet dhënë përgjigje tepër bashkë situatës së re që mund të krijohet dhe për mua përgjigja në këtë situatë do të ishte deklarimi i vërtetë i qytetarëve si e shohin të ardhmen e tyre në aleancat rajonale apo etnike. Mendoj se do të ishte një humbje e madhe e civilizimit dhe vlerave demokratike sikur të ndodhnin aleanca të tilla regjionale në këtë botë anarkike apo pa një adresë të qëndrueshme të stabilitetit global. Ne jemi dëshmitar të këtyre ndryshimeve dhe zhvillimeve dramatike që kanë ndodhur dhe po ndodhin sot në botë. Për sa iu përket zhvillimeve të tjera dhe së ardhmes europiane të Kosovë e theksoj se ne kemi implementuar dhe zbatuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave me përjashtim të një kriteri që është futur në momentin e fundit, demarkacioni i vijës kufitare me Malin e Zi. Më besoni që asnjë vend i vendeve të ish-Jugosllavisë nuk e ka patur këtë kriter. Dhe sot vetë vendet e BE-së, Kroacia e Sllovenia nuk e kanë të zgjidhur problemin e kufirit, por janë anëtare të BE-së. Ndërsa ne në procesin fillestar na është vënë ky kusht, i drejtë apo i padrejtë. Unë besoj se nuk ka qenë i nevojshëm dhe ka qenë surprizë.

Nuk është i qëllimshëm izolimi i Kosovës, por është realitet. Është një realitet që mundëson krijimin e disa ideve të tjera të rrezikshme për Kosovën dhe për të gjithë rajonin. Duke filluar nga ideologjitë e ndryshme radikale, ekstremizmat politikë, nacionalizmi dhe çfarë është më e keqja edhe elementëve terroristë. Kosova është pjesë e koalicionit global anti-terrorist, kemi marrë vlerësimin më të lartë nga presidenti Obama, në përpjekjet tona kundër ekstremizmit islamik. Do të vazhdojmë të jemi të pakompromis, të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë partnerët në këtë drejtim dhe nuk ka forcë apo vonesë tjetër e BE-së që do të na shtyjë në ndonjë alternativë tjetër. Them përsëri së durimi im ynë do të jetë më i fortë dhe më i gjatë se sa vonesat e BE-së sepse nuk e kemi zgjidhjen më të mirë për të ardhmen europiane, është e vetmja për ne. Është fat që Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët kudo që janë kanë një orientim të qartë euroatlantik. 

Çfarë masash ka marrë qeveria e Republikës së Kosovës, në publikimin e literaturës bazë të etërve të kombit shqiptar dhe për t’i futur ata gjerësisht te tekstet mësimore të Republikës së Kosovës, në mënyrë që informacioni nacional identitar të jetë i qenësishëm dhe i vërtetë?

Ne kemi pasur një debat, shoqëria jonë, ajo civile, bota akademike, politike për sa i përket identitetit shqiptar dhe identitetit të pretenduar Kosovar. Fillimisht dua të sqaroj diçka, Komb Kosovar nuk ka, identitet shtetëror kosovar po. Ne të gjithë jemi shqiptarë qoftë në Tiranë, Prishtinë apo kudo që ne jetojmë. Përsëri do të ketë debate për këtë deklaratë por nuk shqetësohem fare, përkundrazi do ta mbroj më fuqishëm. Nuk do të mund t’i ndaj njeri shqiptarët në identitete të tjera, pavarësisht vendit gjeografik se ku jetojmë. Ne u kemi mbijetuar sfidave më të mëdha, e jo më në këtë kohë kur jemi në periudhën më të mirë se kurrë më parë të historisë sonë. Unë e vlerësoj shumë punën e përbashkët që po bëjnë akademitë dhe shkencat. Vlerësoj punën e instituteve të historisë, të ministrive të arsimit, harmonizimin e teksteve, lëndëve të përbashkëta. Mendoj se në këtë drejtim po ndodh një avancim dhe afirmim i punës dhe natyrisht që ne si politikë, si shtete kemi detyrën që t’i mbështesim profesionistët pasi jemi bindur që ata po bëjnë punën më të mirë të mundshme.

Të vlerësojmë punët e përbashkëta që bëhen nga të dyja qeveritë në angazhimet e përbashkëta qoftë në kulturë, diplomaci, infrastrukturë, arsim apo sport. Ka zëra se duhet të jetë një kombëtare, e cila është gjë e mirë, por pa qenë një shtet ne nuk mund të kemi një kombëtare, nuk mund të fillojmë nga fundi. Në të ardhmen, nëse arrijmë ta kemi një qeveri padyshim që do ta kemi edhe një kombëtare. Çdo qeveri si në Shqipëri apo Kosovë e ka patur prioritet bashkëpunimin e ndërsjellë dhe plotësimin e ndihmesa për njëri-tjetrin dhe çdo kryeministër në Tiranë apo Prishtinë.

Folët për një reformë qe keni propozuar për zgjedhjen e presidentit nga populli. Sot kemi republikë parlamentare dhe ju propozoni republikë presidenciale?

Kam iniciuar reformën elektorale, me qëllimin që të evitohen dobësitë qe kemi evidentuar gjatë procesit elektoral dhe pas elektoral. Këtë e them për arsye se kemi pasur vazhdimisht probleme në zgjedhjen e presidentëve që nga viti 2002. Presidenti Rugova është dashur të largohet tre herë nga salla e Kuvendit, apo të dështojë në zgjedhjet e presidentit në vitin 2002 për shkak se nuk kishim marrëveshje politike. Kemi patur dhe procese të mëvonshme problematike, për të arritur në vitin 2010 me shkarkimin e presidentit Sejdiu nga Gjykata Kushtetuese dhe problematikat mëvonshme të zgjedhjeve të presidentit Pacolli dhe përsëri në zgjedhjen e presidentes së re Ahtifete Jahjaga. Kështu që zgjedhjet e çdo presidenti kanë ndikuar në punën e proceseve elektorale dhe të gjitha institucioneve të Kosovës që të mos ndodhë më tutje kjo pasi në Kosovë kushtetuta kërkon që 2/3 të votojnë për zgjedhjen e presidentit, përndryshe vendi shkon në zgjedhje, por pse të bjerë viktimë qeveria? Qeveria do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme dhe pastaj një proces i ri elektoral, mjetet e shpenzuara, torturim për qytetarët, prandaj mendoj se do të ishte me interes thjeshtëzimi i procesit. Vazhdoj të theksoj se Kosova duhet të mbetet Republikë parlamentare edhe pse vlerësoj se presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt, kompetencat nuk duhet t’i rriten. Presidenti i Kosovës ka mbi 30 kompetenca ekzekutive shumë të fuqishme. Të bëhet ndarja për zgjedhjen e presidentit si çështje tjetër dhe zgjedhjet e përgjithshme janë çështje tjetër.

Pse zgjodhët të jeni president në një moshë kaq të re dhe ç’do bëni pasi të mbaroni mandatin?

Tashmë unë nuk mund t’i heq vitet e mia dhe përsëri nga të gjithë që janë në politikë, kemi gati të njëjtën moshë dhe prandaj jam sot president. Nëse mbahen zgjedhje të drejtpërdrejta për president, do të konkurroja dhe një herë dhe jam i bindur që fitoj. Nëse mbahen nga parlamenti nuk konkurroj pasi nuk dua të jem pjesë e pazareve politike. Në asnjë rrethanë nuk pretendoj të kthehem kryetar partie, deputet apo kryeministër, nuk pretendoj të jem pjesë e garës së partive politike. Ndërkohë që nuk kam filluar ende të mendoj se me çfarë do të merrem kur të mbarojë mandatin tim.

Prej paketës Ahtisari me sa di unë vazhdon të këtë një diskriminim pozitiv për etninë Serbe. Si e mendoni perspektivën?

Ju e keni parë që unë kam vizituar memorialet serbe, por unë e di shumë mirë që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe këtë e kam thënë shpeshherë edhe në Këshillin e Sigurimit. Mirëpo është e vërtetë që kanë ndodhur gjëra të pahijshme në veçanti në periudhën e pasluftës. Gjatë tërë luftës asnjë kishë serbe nuk është dëmtuar nga UÇK-ja. Po çfarë ndodhi pas luftës? U dëmtuan disa kisha, kjo s’mund të mohohet. A fituam diçka? Jo! Po paguajmë një çmim sot. Në vitin 2004 pas incidentit që ndodhi në Mitrovicë ndodhën ato trazirat krejt të panevojshme dhe nga viktima shqiptarët u shndërruan në agresorë. Më vjen keq por ky është realitet dhe filluam të shihemi me sy jo të mirë. Pra sa më tepër tolerancë, sa më tepër pajtim, sa më tepër mirëkuptim, unë besoj fuqishëm se Kosova do të lëvizë me hapa të sigurt drejt perspektivës euroatlantike.

Jam i vetëdijshëm se 3 për qind i komunitetit serb gëzojnë më tepër të drejta se 30 për qind e shqiptarëve atje.

Unë akuzohem për dokumentin Ahtisari, akuzohem dhe për Rambujenë, akuzohemi edhe pse nuk kemi bashkuar shqiptarët në Preshevë e Maqedoni. Por dhe ata që i vazhduan ato luftëra, pastaj të gjithë ranë në sistemin e vlerave tona. Pse shpërtheu lufta në Preshevë? Pikërisht prej individëve që kanë shpërthyer luftën atje jemi akuzuar se misioni i çlirimit kombëtar ka mbet në gjysmë. Edhe në Maqedoni, miku im Ali. Por në fund u ul në tavolinë dhe doli në deklarata; respektojmë integritetin territorial të Maqedonisë, përbërjen shumetnike dhe atdheun tim Maqedoninë. Unë nuk i akuzoj sepse i kuptoj shumë drejt. Mirëpo duhet të jemi shumë realist në atë se çfarë mund të realizojmë dhe në atë se çfarë kemi ëndërruar dhe ëndërrojmë./mapo.al

Reklamë
Reklamë