ushtria e shqiperise

Nishani, i shqetësuar për buxhetin e ushtrisë

Presidenti i Republikës i është drejtuar me një letër Kuvendit duke shprehur “shqetësimin për buxhetin e planifikuar për ushtrinë për 2017”.

Periskopi.com Lajme

“Vlerësoj se edhe këtë vit buxheti i planifikuar nuk reflekton shqetësimet serioze të ngritura në mënyrë konstante nga aleatët tanë strategjikë dhe vendet partnere të Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake ku kemi nderin të bëjmë pjesë”, thuhet në letrën e Presidentit Nishani drejtuar kreut dhe deputetëve të Kuvendit.

Presidenti thotë se nuk është konsultuar nga Ministria e Mbrojtjes për këtë projektbuxhet, por në bazë të informacionit të marrë nga faqja zyrtare e Kuvendit, vlerëson se jo vetëm që nuk përmbushet detyrimi prej 2 përqind e PPB-së, por buxheti është ulur me 2.8 herë më shumë, sipas tij.

“Vë në vëmendjen tuaj se në dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, buxheti i mbrojtjes pas vitit 2015 është parashikuar jo më i vogël se 1.5 përqind e PBB-së, kur në fakt rezulton se projekt – buxheti i planifikuar për vitin 2017 është parashikuar sa gjysma e këtij objektivi. Nënvizoj me shqetësim konstatimin se draft-buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është shumë më i ulët (afërsisht 2.8 herë) se niveli 2  i PBB-së, synimi kombëtar i konfirmuar në NATO dhe angazhimi i nënshkruar nga 28 kryetarët e shteteve të NATO-s në Samitin e Varshavës, Poloni”, thotë Nishani.

Në fund, Kreu i Shtetit shpreson që ligjvënësit të adresojnë shqetësimet e shprehura prej tij.