Edita Tahiri

Nesër në Bruksel fillon raund i ri i bisedimeve

Nesër, në Bruksel fillojnë bisedimet trepalëshe në kuadër të dialogut të Brukselit.

Periskopi.com Lajme

Në këto bisedime që do të zgjasin dy ditë, në agjendë do të jenë çështjet e drejtësisë dhe kodit shtetëror telefonik për Kosovën.

Në këto takime të dyja shtetet do të raportojnë për progresin e arritur në përmbushjen e obligimeve për zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore e Kosovës në dialogun e Brukselit ka arritur në Bruksel, ku sot do të zhvilloj takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian me qëllim që të bëhet një vlerësim për rrjedhat dhe rezultatet e dialogut gjatë këtij viti i cili po i afrohet fundit, si dhe për përcaktimin e dinamikave për përmbylljen e procesit zbatues për marrëveshjen për drejtësinë dhe për kodin telefonik shtetëror për të cilën tashmë është përcaktuar se më 15 dhjetor 2016 Kosova do ta merr kodin vet telefonik nga ITU.

Në këtë raund të bisedimeve nuk do të bisedohet për çështjen e Asociacionit dhe për këtë çështje nuk është biseduar as në raundet e kaluara ashtu siç ju kemi njoftuar. Ju bëjmë me dije se lajmet e lansuara nga pala tjetër se gjoja do të bisedohet për këtë temë janë të pasakta.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka deklaruar se kjo është hera e parë në jetën e saj që për ditën e flamurit kombëtar ka vendosur të punojë në vend se të festoj siç e kanë pasur traditë familjare, mirëpo ka thënë se këtë po e bënë me kërkesën e përfaqësuesve të BE-së sipas agjendës së të cilëve këto takime janë kërkuar. Ajo ka përcjellë urimin më të përzemërt për festën e flamurit gjithë shqiptarëve kudo ku janë./ Periskopi