kurti-kadaj-topalli-haxhiu

Nëse më 14 dhjetor ka seancë për Astrit Deharin, këta deputetë të VV-së nuk marrin pjesë

Katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të marrin pjesë më 14 dhjetor, në ditën kur Kadri Veseli ka paralajmëruar se mund të mbahet seancë për të diskutuar për Astrit Deharin, në rast se mblidhen 40 nënshkrime.

Teuta GASHI Lajme

Por, kjo datë e caktuar nga Veseli, del të ketë një prapavijë.

Donika Kadaj Bujupi thotë se Veseli po e bënë këtë ngase më 14 dhjetor disa nga deputetët do të jenë në seancë gjyqësore.

Periskopi mëson se Albin Kurti, Donika Kadaj, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli janë të ftuar në seancë gjyqësore.

Në fakt, kjo është përcaktuar që të ndodh më 14 dhjetor, që kur ata kanë mbajtur seancën e fundit.

Të katër deputetët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës, hedhjet e para që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

Ata i kanë refuzuar ftesat zyrtare dhe kanë kërkuar që të merret parasysh kërkesa e qytetarëve për seancë, pra peticioni.

Shkodran Hoti nga Vetëvendosje thotë për Periskopin se presin që seanca për Astrit Deharin të mbahet më herët se më 14 dhjetor, duke pasur parasysh peticionin.

“Kemi thënë që është absurde kjo sjellje e Veselit, i cili është fajtor që seanca ka dështu dy herë. Kërkojmë që seanca të mbahet më herët, të përfillet peticioni”, thotë Hoti.

Ndryshe, Veseli ne seancën e fundit tha se dikush po frikësohet nga e vërteta dhe se me 14 dhjetor do të mbahet seancë e jashtëzakonshme nëse bëhen 40 nënshkrime.

Kryetari i Kuvendit ka theksuar edhe njëherë se sistemi i drejtësisë është i brishtë dhe kjo sipas tij dëshmohet me atë se për akuzë të njëjtë aktivistët e Vetëvendosjes disa prej tyre kanë qenë në paraburgim e disa të tjerë në arrest shtëpiak.

“Duhet t’i shkohet deri në fund  në mënyrë që të mos manipulohet”, ka thënë Veseli para deputetëve./ Periskopi