reshat-arbana-640x476-550x409

“Nëntori i dytë”, ja pse u hoq pjesa kur Isa Boletini luftonte me serbët

  Eriona Vyshka, specialiste në Arkivin Qendror të Filmit tregon mbi kërkimet për të gjetur pjesën e censuruar nga filmi “Nëntori i dytë” të cilën regjisori Viktor Gjika e përmend në kujtimet e tij

Gazeta "Shqip" Intervista

Në fillim të viteve 80-të regjisorit Viktor Gjika, në prag të jubileut të 70-të të Pavarësisë së vendit, do ti linte idea për të realizuar një prodhim kinematografik mbi ngjarjen më të rëndësishme për shqiptarët. Regjisor i suksesshëm në ato vite, emri i të cilit mbante firmën e filmave si “I teti në bronz”,”Gjeneral gramafoni”, “Në çdo stinë”, “Njeriu me top”, etj, Gjika kërkonte një tjetër sfidë në karrierën e tij si artist. Atë, të ekranizimit të udhëtimit të Ismail Qemalit drejt Vlorës, për të shpallur më 28 nëntor 1912-tën pavarësinë e Shqipërisë. Në kujtimet e lëna pas, regjisori tregon për këtë moment. “Deri në ato vite angazhimi në një vepër të tillë ishte i paprecedentë nga ana e kinematografisë shqiptare. Deri atëherë nuk ishte realizuar asgjë në këtë temë, nuk ishte shkruar asnjë dramë, roman apo tregim, as në lëmin e arteve figurative, nuk kishte ndonjë portret apo tablo e aq më tepër në fushën e muzikës së kultivuar. Për ccudi edhe në historiografinë shqiptare nuk kishte shumë materiale, studime e botime.

Në duart e mia kisha vetëm librushkën “Ismail Qemali”, të shkruar nga Skënder Luarasi, një shirit me këngë popullore e shumë pak fotografi. Si i thonë fjalës i “hyra detit në këmbë”, shkruan Gjika në kujtime. Teksa flet për vështirësitë e këtij realizimi, kastën e aktorëve më të cilët punoj, ku veçon Sandër Prosin në rolin e Isa Boletinit, regjisori flet për herë të parë për ekzistencën e një pjese të censuruar të filmit. “E vetmja vështirësi që nuk u kapërcye dot ishte vendimi i Komisionit të Kontrollit Paraprak për të hequr nga filmi episodin “Beteja tek ura me tre harqe”, në të cilën Isa Boletini detyrohet të ndeshet me ushtarët serbë, që të hapë rrugën për të qenë prezent në momentin e Shpalljes së Pavarësisë. Ishte pikërisht kjo betejë që e çoi Isën në Vlorë dy ditë me vonesë. Episodi ishte mjaft dramatik. Peisazhi i ashpër malor, ura antike, lumi plot ujëra të turbullta, përleshja trup më trup aty mbi urë dhe kapja rob e ndëshkimi i oficerit serb Mitrovcç, masakruesi i kosovarëve në fillim të filmit , e bënin atë episod sipas kolegëve të mi që arritën ta shohin filmin e pacensuruar, një nga më të bukurit të xhiruar prej meje në kinematografi. Po nuk qe e thënë! U ngul këmbë që episodi të hiqej, ndryshe filmi nuk do të shfaqej”,shkruan Gjika në kujtime. Ai shkruan se heqja e këtij episodi pas censurimeve që kishte pasur në filma si “Gjeneral gramafoni” dhe “Yjet e netëve të gjata” si “Plaga e tretë e Gjergj Elez Alisë”, plagë që do ti hapej sa herë që shihte filmin. “Më dukej se nuk rezistova sa duhet për ta mbrojtur episodin.

Ndoshta kishte ndikuar dhe lodhja e tepërt e akumuluar gjatë krijimit të një filmi të vështirë. Përveç kësaj më dukej sikur kisha treguar vetëm një pjesë të vogël të së vërtetës mbi Ismail Qemalin. E unë kisha kaq shumë për ti thënë shikuesit shqiptar. Jeta e personazhit tim ishte aq e pasur sa nuk mund të hynte në një film, të vetëm artistik. Kjo dhembje më shoqëroi 15 vjet”, shkruan Gjika. Në kuadër të 85-së vjetorit të pavarësisë ai do të realizonte një film të plotë dokumentar mbi Ismail Qemalin, ku do të përfshinte edhe xhirime të realizuara në Stamboll me Sandër Prosin që s’kishte mundur ti përfshinte në film. Pas viteve 90-të pati përpjekje për tu gjetur pjesa e censuruar në filmin “Nëntori i Dytë”,i cili tashmë është dhe i restauruar. Gjika u nda nga jeta në vitin 2009-të, pa mundur ta rishihte edhe njëherë betejën fatale të Isa Boletinit, të cilën e kompozoi aq bukur, teksa kërkonte ti jepte jetë historisë.

Eriona Vyshka, specialiste në Arkivin Qendror të Filmit, dhe njohëse e mirë e kinematografisë vjen më poshtë në një bisedë për të treguar mbi kërkimet e bëra për pjesë e munguar tek “Nëntori i dytë”…

Eriona, ju jeni marrë me gjetjen e pjesës së humbur nga filmi “Nëntori i dytë”, pjesë të cilën vetë regjisori Viktor Gjika e konfirmon teksa flet për filmin në kujtimet e tij. Ku janë bërë kërkimet, dhe cili ishte fati i tyre?

Në vitin 2012, më rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me nismën e Projektit të Kinemasë Shqiptare u bë i mundur restaurimi i filmit “Nëntori i dytë”. Gjatë punës përgatitore të këtij projekti, ne u përpoqëm të vinim në vend të gjitha defektet apo “pengjet”, që kishin autorët në kohën e prodhimit të filmit në vitin 1982, sepse në fund të fundit, ky është edhe qëllimi i një pune restauruese. Një nga gjërat kryesore që duhej ndrequr, ishte ri-përfshirja në film e një episodi të filmit që ishte xhiruar por më pas ishte hequr para se filmi të merrte miratimin përfundimtar nga autoritetet e kohës dhe të dilte në publik.

Kërkimet për episodin e humbur nisën me dëshmitë e kohës dhe leximin e ri-leximin e kujtimeve të Viktor Gjikës dhe autorëve të tjerë, bisedave me operatorin Lionel Konomi, kërkimi për të kontaktuar me regjisoren e montaxhit Marika Vila, e cila jeton në SHBA, si dhe kalimin në sitë të kutive të filmave në magazinat e AQSHF-së për të hequr dyshimet për ngatërresa të mundshme, në etiketimet e kutive të filmit. Për fat të keq, metrat e filmit nuk u gjetën dhe mendojmë se për fatin e tyre dy janë mundësitë; ose janë asgjësuar, siç ndodhte rëndom në Kinostudio me materialet që dilnin jashtë përdorimit pas përfundimit të procesit të montazhit, ose gjendet nëpër kuti pa etiketa apo me etiketa të gabuara në magazinat e Albafilmit, të cilat këto 20 vitet e fundit e kanë ndryshuar shpeshherë vendndodhjen për t’i bërë vend ndryshimeve strukturore dhe logjistike që kanë ndodhur në zonën e ish-Kinostudios.

Çfarë përmbante pjesa e humbur e filmit?

Ky ishte episodi i betejës së Isa Boletinit dhe njerëzve të tij me serbët. Ai ishte nisur nga Kosova për të ardhur në Vlorë për shpalljen por nuk e arriti datën 28 pikërisht se u vonua duke luftuar në këtë betejë, e kështu arriti 2 ditë pas shpalljes së Pavarësisë.

Edhe në histori kështu ka ndodhur. Por, duke qenë se në atë kohë, në vitin 1982 kur po prodhohej filmi, marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë ishin të acaruara, atëherë e hoqën këtë episod nga filmi, që të mos bëhej shkak për përkeqësim të marrëdhënieve, pasi në këtë betejë u bë një kasaphanë e vërtetë me serbët. Në dokumentacionin që kemi në AQSHF, ka mbetur vetëm një foto që dëshmon për këtë episod, një foto e Isa Boletinit (Reshat Arbana) dhe çetës së tij si edhe materialet e shkruara të filmit, skenari letrar dhe ai teknik në të cilin zbërdhehet episodi në fjalë. Sot, të gjitha materialet janë të disponueshme për studiuesit në AQSHF.

Pak kohë më parë filmi iu nënshtrua dhe restaurimit. Çfarë i solli kjo ndërhyrje filmit?

Qëllimi i një projekti restaurimi është ta kthejë veprën në identitet, duke mbetur sa më pranë origjinalit, por, njëkohësisht, ta bëjë atë të përputhshme me kërkesat aktuale të teknologjisë e, kështu, të ri-jetësojë veprën që të jetë e disponueshme për brezat që do të vijnë. Sigurisht, gjatë një procesi restaurimi lindin shumë probleme etike, sidomos përsa i përket ngjyrave dhe toneve të duhet t’i jepen imazhit, prandaj është gjithmonë mirë që regjisori apo drejtori i fotografisë të jetë i pranishëm në këtë proces, nëse do të ishte e mundur.

Specialistët e laboratorit Colorlab në USA, ku u bë restaurimi në vitin 2012 bënë një punë të mrekullueshme me përpunimin dixhital të imazhit dhe ri-sjelljen e një imazhi të pastër, të qartë, të thellë, me ngjyra të gjalla dhe në përputhje me formatet e sotme të teknologjisë me rezolucion të lartë. Për herë të parë në film arrihen të shihen tonet e fytyrave të aktorëve apo stofi i veshjeve të tyre, detajet e peizazheve të natyrës shqiptare dhe krijimi i gjendjes emocionale tek publiku nëpërmjet dritëhijeve, ndriçimit të diellit, muzgut apo motit të vrenjtur, shiut e baltës.

Një ndreqje tjetër në variantin e restauruar ishte edhe futja e emrit të një aktori në kreditet në fund të filmit. Amarildo Pregapuca luante rolin e djalit të postës, lajmëtarit që vraponte për të sjellë telegramet dhe njoftimet për delegatët apo udhëtimin e Ismail Qemalit, por emri i tij nuk ishte përfshirë në titrat e filmit për arsye “biografike”. Kjo gjë u ndreq në variantin e ri.

Ju e keni njohur regjisorin Viktor Gjika. Si e kujtonte ai “Nëntorin e dytë”?

Padyshim “Nëntori i dytë” ishte një nga veprat më të rëndësishme të krijimtarisë së Gjikës dhe fakti që ky film mbetet edhe sot një emblemë dhe ideja e publikut për pavarësinë e Shqipërisë dhe për Ismail Qemalin lidhet nga ana vizive me filmin dhe karakterin e krijuar nga Sandër Prosi, vërteton se Viktor Gjika ka pasur të drejtë ta donte fort këtë film dhe ta përjetonte shumë keq episodin e humbur të Isa Boletinit. Në fondin e Arkivit të Filmit ne ruajmë edhe 2 akte nga kinoprovat e “Nëntorit të dytë”, madje njërin nga këto, Viktor Gjika e ka xhiruar në Stamboll. Aty paraqitet Ismail Qemali duke kaluar përpara Portës së Lartë, për të treguar lobimin që ai bëri në qarqet ndërkombëtare për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë. Këto imazhe nuk u përfshinë në film, por Gjika i përdori këto në dokumentarin e fundit që realizoi, “Gjuhë që nuk vdes” me rastin e 50-vjetorit të kinematografisë shqiptare, në vitin 2002.

Është e njohur praktika e censurimit të filmave, përpara se të shfaqeshin për publikun. A janë ruajtur këto censurime,a i disponon arkivi pjesët e hequra nga filma të ndryshëm?

Para se filmi të miratohej nga komisionet përkatëse dhe të dilte në publik, autoritetet siguroheshin që vepra të ishte korrekte nga ana ideologjike dhe politike. Një masë të tillë e merrnin edhe vetë autorët nëpërmjet një autocensure në procesin e tyre krijues, gjë që duhej bërë se s’bën se përndryshe jo vetëm që vepra e tyre nuk e shihte dritën e kinemasë por rrezikohej edhe jeta e tyre. Disa prej tyre e kamuflonin të vërtetën që donin të rrëfenin nëpërmjet metaforave apo mjeteve të tjera shprehëse artistike. Piro Milkani tregon gjithnjë se si regjisorët prisnin me ankth kthimin e projeksionistit të Kinostudios nga shfaqja e parë në Komitetin Qendror dhe e lexonin miratimin apo rrëzimin e filmit, nga shprehja e fytyrës së projeksionistit, sapo zbriste nga makina e Kinostudios me projektorin portativ në sup.

Për fat të keq, pjesët e censuruara asgjësoheshin menjëherë. Ndonjëherë, brenda Kinostudios ekzistonte një censurë edhe më e fortë se ajo që ushtrohej nga Komiteti Qendror. Një masakër e vërtetë ka ndodhur edhe me filmat e huaj… para se të dilnin në kinema për publikun kalonin nëpërmjet gërshërës në montazh, ku “qetheshin” të gjitha skenat të ashtuquajtura “degjeneruese” që nga puthjet apo kontaktet e tjera fizike e deri te skenat e dhunës, sa që ka plot raste kur filmit i ka humbur kuptimi prej mungesës së skenave.

Çfarë është bërë për gjetjen e tyre?

Para disa vjetësh, regjisori Kristaq Dhamo erdhi në Arkivin e Filmit me pjesë të hequra nga filmi i tij “Brazdat”, pjesë të cilat i kish ruajtur në shtëpi. Mbase kjo ishte mënyra më e mirë për t’i ruajtur pjesët e censuruara, por të paktë janë regjisorët që e bënë këtë. Duke punuar me regjisoren e montazhit të AQSHF-së, Nazmije Gazheli, Dhamo e ri-montoi filmin “Brazdat”, duke i futur sërish pjesët e hequra. Por, fatkeqësisht, ky është rasti i parë dhe i vetëm i gjetjes dhe ri-përdorimit të tyre.

/Intervistoi: Alda Bardhyli-Gazeta “Shqip”