Nënkryetari i Prishtinës: S’kemi asnjë informatë për zëvëndësimin e flamurit kombëtar me atë shtetëror

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli ka folur rreth vendosjes së flamurit të Kosovës në hyrje të Prishtinës. Pacolli ka thënë se komuna e Prishtinës nuk ka marrë informatë mbi zëvendësimin e flamurit kombëtar me atë shtetëror.

“Mbi temën e shumëpërfolur të flamurit tek zona e ‘Rrethit’ në hyrje të kryeqytetit, ndjej obligim të sqaroj gjithë qytetarët e Prishtinës se përkundër deklaratave publike që kanë qarkulluar sot në portale, Komuna nuk ka marrë informatë mbi zëvëndësimin e flamurit kombëtar me atë shtetëror. Sidoqoftë, më shqetësues është fakti që një temë e tillë është mediatizuar pa pasur nevojë duke pasur parasysh edhe ngarkesën emocionale që përçon”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Pacolli tutje ka thënë se një një pikë, beson se pajtueshmërinë e kemi të gjithë se flamuri kombëtar personifikon unitet dhe forcë për gjithë shqiptarët kudo që janë dhe se ai nuk zëvendësohet as fizikisht në shtizë por as në zemrën e secilit shqiptar.

“Prishtina e respekton simbolin shtetëror dhe fatmirësisht, ka pasur mjaft hapësira të tjera për ta bërë atë edhe më viziv në këtë dekadë të shtetësisë ku reflektojmë dhe punojmë për të ardhmen me synimin që të ecim përpara e t’i sheshojmë sa më shumë që të jetë e mundur problemet dhe tendencën dashakeqe për të krijuar dallime të paqena. Unë mbes me shpresë që vendosshmëri të tilla si kjo sonte, të demonstrohen nga autoritetet në gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm tek Rrethi në hyrje të Komunës së Prishtinës”, thuhet në postimin e Pacollit në Facebook.