kosova

‘Në stërvitjet e Kosovës nuk kishte rroba për të gjithë lojtarët’

Ish-ndihmës trajneri i Kosovës dhe krahu i djathtë i Albert Bunjakut, Tord Grip, ka zbuluar të metat e Përfaqësueses tonë në një intervistë për mediat suedeze.

Periskopi.com Sporti

Atij duket se i ka mbetur goxha hatri që nuk është më pjesë e shtabit teknik të Kosovës me të cilët ishte për dy vite.

“Nuk jam më tek Kosova dhe nuk kam marrë ndonjë përgjigje nga Bunjaku. Kur e pyeta për këtë më tha se për mua ti do të jesh ende, por nuk e di nëse grupi e do këtë”, deklaroi Grip për “fotbolskanalen.se”, raporton Gazeta Olle.

Ai ka qenë ndihmës trajner i Sven Goran Erikssonit tek Anglia e Meksika. I pyetur për dallimin mes Anglisë e Kosovës ai tha: “Dallimi është i pakrahasueshëm. Mendova se pas pranimit në UEFA e FIFA do të bëhej më mirë. Në stërvitje nuk kishte rroba për të gjithë, organizimi nuk ishte i mirë, kjo ishte pasi Kosova është vend i varfër, por për të pasur një rend të vogël nuk ka nevojë për shumë para. Këto dy gjëra duhej përmirësuar”, shpjegon Grip.

Ai ishte në ndeshjen me Finlandën, por më nuk u grumbullua. Sa i përket takimit mbeti i ngazëllyer, duke thënë se lojtarët bënë një ndeshje të mirë dhe se me pak fat merituan edhe fitoren. Takimi u mbyll 1:1.

Grip u pyet edhe për atë që Bunjaku ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë në lidhje me largimin e tij. “Kjo është paksa e quditshme, por që duhet pajtuar”.

Tord të martën mbrëma mori çmimin për karrierë nga Federata e Futbollit e Suedisë.