MPJ dhe komunat gati për bashkëpunim në kuadër të diplomacisë ekonomike

Në kuadër të zhvillimit të diplomacisë ekonomike, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ka organizuar konferencën me temën “Takimi me komunat për promovimin e tyre përmes diplomacisë”. Në takimin, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe komunave të Kosovës, është diskutuar rreth arritjeve të deritashme në marrëdhëniet e jashtme të komunave, përfitimi i tyre nga diplomacia dhe mundësitë e reja të promovimit përmes diplomacisë ekonomike.

Periskopi.com Lajme

Drejtori i Departamentit për Diplomaci Ekonomike në MPJ, Guner Ureya ka bërë një paraqitje të të dhënave sa i përket aspekteve ekonomike të vendit, si dhe ka folur për rolin e MPJ-së në fushën e diplomacisë ekonomike. “Kosova, me 38 komunat e saj mund të përfitojë më shumë nga angazhimet e autoriteteve lokale sidomos në bashkëpunimin ndërkufitar. Me kapacitetet ekzistuese dhe me vullnetin politik komunat si akterë konstruktivë mund të angazhohen më shumë në promovimin e komunave të tyre, natyrisht duke kontribuar edhe në promovimin e Kosovës”, ka vlerësuar Ureya.

Për këtë arsye, ai ka thënë se duhet inkurajuar binjakëzimet dhe bashkëpunimet përmbajtjesore të komunave të vendit tonë, me komunat e shteteve të tjera, si dhe  pjesëmarrjen, por edhe anëtarësimin e komunave në organizatat ndërkombëtare të pushteteve lokale.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Çështje Rajonale në MPJ, Fitim Gllareva duke folur për rëndësinë e këtij takimi ka thënë se “MPJ, në vazhdën e koordinimit të aktiviteteve me jashtë, ka organizuar këtë takim për të marrë informata rreth nevojave dhe shqetësimeve të komunave sa i përket bashkëpunimit në fushën e promovimit të mundësive për investime të jashtme”.

Nga ana tjetër, udhëheqësja e Divizionit për avancim të buxheteve nëpër komuna në MAPL,  Fetije Begolli ka vlerësuar se komunat kanë nevojë për zhvillim ekonomik, derisa ka folur edhe për aktivitetet e kësaj Ministrie, e cila gjatë vitit 2016 ka mbështetur katër komuna me hartimin e planeve për zhvillim ekonomik lokal.

Kurse drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa, ka njoftuar për aktivitetet e kësaj agjencie, ndërkohë ka theksuar nevojën për bashkëpunim edhe më të ngushtë ndërinstitucional.