Molliqaj ndërhyn në debatin mes Musliut e Sejdiut, tregon “bashkëpunëtorët e vërtetë“ të Serbisë

Periskopi.com Lajme

Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes dhe deputeti i ardhshëm, Dardan Molliqaj ka thënë se tkurrja drastike e PDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit, ia ka humbur asaj rrugën në oborr dhe sipas tij nuk po mundet të këndellet.

Molliqaj, duke iu përgjigjur Ganimete Musliut, e cila tha se prindërit e Fisnik Ismailit e Dardan Sejdiut kanë bashkëpunuar me Serbinë, ka thënë humbja në zgjedhje është arsyeja pse zyrtarë të PDK-së, kanë filluar të shpifin, shkruan Periskopi.

Molliqaj thotë se bashkëpunëtorët më të mëdhenj të Serbisë janë ata që mbështesin “Zajednicën”, ata që ndanë veriun e ata që kanë biznese të përbashkëta me kriminelë serbë që veprojnë në veri.

Kështu shkruan Molliqaj:

Nga 37 deputetë që kishte PDK-ja tri vite më parë, tash kanë rënë në vetëm 23 të tillë. Ndërsa Lëvizja jonë nga 16 e rriti numrin e deputetëve në 32.

Kjo humbje e madhe ua ka humbur atyre rrugën në oborr dhe nuk po munden assesi të këndellën. Prandaj kanë filluar të shpifin për familjarë të aktivistëve tonë për kinse bashkëpunim me Serbinë në kohën e Millosheviqit.

Kush janë sot bashkëpunëtorët më të mëdhenj të Serbisë? Kush është pro Zajednicës? Kush e bëri ndarjen e veriut? Kush ka biznese të përbashkëta me Veselinoviçin në veri të vendit?

Qytetarët e vendin i dijnë përgjigjet e këtyre pyetjeve, prandaj juve ju ndëshkuan e neve na mbështetën në zgjedhjet e 11 qershorit.

Dardan Sejdiu dhe të gjithë aktivistët e tjerë të Lëvizjes janë e kundërta e PDK-së. Ne jemi kundër aspiratave të Serbisë në Kosovë. Ne jemi kundër Zajednicës dhe Gjykatës Speciale të cilat ju i votuat dhe mbështetët me shumë zell.

Ne jemi e tashmja dhe e ardhmja e vendit, ndërsa ju jeni e kaluara e cila do të mbahet mend vetëm për shkatërrimin e shtetit.

Reklamë
Reklamë