Milaim Zeka tenton ta përmirësoj imazhin, publikon video skandaloze përmes një portali nga Drenasi (Video)

Periskopi.com Uncategorized

Një portal i quajtur “DrenicaSot” pretendon se ka gjetur një audioincizim ku kinse deputeti Milaim Zeka flet me të dashurën e Ilir Krasniqit, me të cilin Zeka ka bashkëpunuar në hapjen e një agjencie dhe përmes së cilës dyshohet se kanë mashtruar mbi 900 qytetarë me viza të rrejshme pune në Gjermani.

Në artikullin e publikuar e me dhjetëra gabime drejtshkrimore, është marrë edhe një prononcim i Zekës, i cili thotë se hulumtimet e Insajderit për këtë rast janë publikuar sepse drejtuesit e Gazetës Online, sipas tij, kanë çështje të hapura personale me të, shkruan Periskopi.

Megjithatë, në videon e publikuar nuk vërtetohet asgjë, ku Zeka dëgjohet duke iu ankuar kinse të dashurës së Krasniqit për mashtrimin e qytetarëve.  Aty nuk dëgjohet duke folur askush përpos Zekës dhe e tëra ngjan në një incizim të rëndomtë, që mund të realizohet në secilën kohë dhe rrethanë.

“Fukaraja kanë lyp pare borxh…. e t’i me ua hagër paret”, dëgjohet zëri i Zekës në videon 11-sekondëshe. Asgjë nuk dëgjohet më shumë dhe e dashura e Krasniqit që do duhej të ishte pjesë e bisedës, nuk shfaqet në asnjë moment të videos.

Nuk dihet se cila është afërsia e Zekës me këtë portal dhe as se kush janë drejtuesit e potalit.

Sot Periskopi raportoi edhe për uzurpimin e një banesë që Zeka e kishte bërë në vitin 2001.

/Periskopi/