McGregor kërkon falje për shtyrjen e gjyqtarit dhe goditjen e një zyrtari në ‘Bellator 187’ (Foto/Video)

Periskopi.com Sporti

Conor McGregor ka kërkuar falje për veprimet e tij në ‘Bellator 187’, ku e ka shtyrë gjyqtarin Marc Goddard dhe e ka goditur një zyrtar tjetër.

Kampioni i UFC-së bëri skena të krisura në Dublin, kur hyri në tetëkëndësh për të festuar me shokun e tij, Charlie Ward, ndërsa tani rrezikon që të suspendohet nga meçet.

Të hënën, ai e publikoi një kërkimfalje, mirëpo shumë shpejt e fshiu. Ndërsa të martën e ka postuar një tjetër kërkimfalje për sjelljen e tij.

“Me sinqeritet kërkoj falje për sjelljen time në duelin e fundjavës së kaluar në Dublin”.

“Teksa desha që ta mbështes një shok besnik, lejova që emocionet të më kaplonin dhe e teprova”.

“Si një kampion i shumëfishtë i UFC-së, producent ekzekutiv, shembull dhe figurë publike, duhet ta mbaj veten në standarde më të larta”, ka shkruar mes tjerash irlandezi.

Ai më tej ka theksuar se veprimet e tij ishin nxitur nga vendimi i padrejtë i gjyqtarit, ndërkohë që u ka kërkuar falje të gjithë zyrtarëve të përfshirë në këtë ngjarje.

“Gjithmonë kam mësuar nga gabimet e mia dhe njësoj do të ndodhë edhe tash”, ka thënë McGregor. /Telegrafi/