Mashtrimi në thelb të aktiviteteve dhe karakterit të Presidentit Thaçi

Periskopi.com Editoriale

Të dielën presidenti i Kosovës Hashim Thaçi konfirmoi se Gjykata Speciale ishte e pashmangshme, duke e braktisur kësisoj përpjekjen e tij për shfuqizimin e saj. Ai theksoi që kjo Gjykatë ishte e padrejtë, por pavarësisht kësaj përbënte një obligim të cilin Kosova duhej ta kryente. Kjo nuk është tjetërgjë veçse një mashtrim i radhës nga ana e tij. Ai i mashtroi deputetët nënshkrues dhe Organizatën e Veteranëve të Luftës – e cila e kishte mbajtur peticionin që i shkoi Kuvendit.

Sidoqoftë, Thaçi kishte mashtruar në politikë edhe më herët – ndaj komunitetit ndërkombëtar në Kosovë – të cilëve iu kishte premtuar se çështja e Speciales ishte e kryer.

Një mashtrim të përmasave shumë të mëdha ai e kishte bërë kur kishte ngulmuar në ratifikimin e ligjit për themelimin e kësaj Gjykate. Ky ishte një mashtrim ndaj luftëtarëve të UÇK-së, vetë luftës së bërë, dhe popullit të Kosovës, të cilit fare kollaj tashmë mund t’i shtrembërohet historia dhe nga viktimë të portretohet si agresor.

Thaçi e kishte mashtruar edhe elektoratin që i jepte votën, duke i premtuar gjëra të cilat nuk mund t’i mbante. Fare pa turp, që nga viti 2010 ai premtoi liberalizim vizash, ndërkohë që ende në vitin 2018 kosovarët nuk janë të lirë të udhëtojnë lirshëm.

Ai ka instaluar një rrjet klientelist i cili ka bërë që njerëzit të lidhen përmes interesash me partinë që e udhëhiqte – dhe kjo nuk ishte më pak se një mashtroi ndaj idealeve përmes të cilave u formua partia e tij.

Ai i mashtroi edhe partnerët e Koalicionit qeverisës dhe në vitin 2014, megjithëse partia e tij u konfirmua si e para, shkaktoi krizë institucionale meqë askush nuk pranonte të bashkëpunonte me të. Dhe me të drejtë!

Kosova e pësoi më së rëndi nga këto mashtrime të njëpasnjëshme të Thaçit. Por, pse vepron në këtë mënyrë një politikan? Kjo nuk është aspak rrjedhojë e zgjuarsisë apo dinakërisë së tij. Përkundrazi. Veprimet politike që çojnë në mashtrim nuk mund të jenë kurdoherë efikase, madje as për interesat personale të politikanit të caktuar. Kjo sepse, në demokraci nevojiten vazhdimisht partnerë të fortë dhe besim i madh për formimin e këtyre koalicioneve. Mashtrimi i përhershëm i Thaçit si politikan është rezultat i injorancës së tij, dhe pafuqisë për t’i çuar gjërat në fund. Është rezultat i veprimit të atypëratyshëm, spontan e të papërllogaritur.

Në statusin e fundit në Facebook në lidhje me Strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Presidenti Thaçi i ka vetëm 170 pëlqime.

Veprimet e Thaçit ishin ato të një mashtruesi të rëndomtë të mëhallave apo fshatrave – i cili mbijeton në mashtrim shkaku që veprimet e tij mashtruese nuk janë publike. Por në politikë një mashtrues i tillë nuk është i mundur. Kjo sepse veprimet e tij janë publike, dhe ato iu shkaktojnë dëm shumë njerëzve. Kjo bën që njerëzit të tërhiqen prej tij, dhe ta lënë të vetmuar.

Si President i shtetit më të ri në Evropë, dhe për më tepër, i një shteti të ndërtuar mbi themele të përcaktuara nga Internacionalizmi Liberal, ai duhej të kishte shumë takime me liderë të ndryshëm nga Evropa. Por, siç e dimë të gjithë, ai ka mbetur i izoluar dhe ka takime tepër të kufizuara. Kjo u evidentua edhe në Davos, ku ndodheshin të gjithë liderët botërorë, e në të cilin forum Thaçi nuk ia doli mbanë të shkrepte asnjë fotografi të vetme me ta. Madje, edhe Presidenti serb ishte ironik duke thënë që “kosovarët po sillen korridoreve”.

Presidenti Thaçi duhet ta kuptojë më në fund që nuk ka vend në politikë. Lloji i tij i mashtruesit, epitoma e të cilit lloj është vetë, ekspozohet nga publiciteti i veprimeve. Është naive të mendosh se mund t’i mashtrosh të gjithë dhe të dalësh i palagur në fund. Kjo mund të ndodh brenda një komuniteti të vogël, dhe ku ka shumë pak qarkullim informacionesh – por jo në politikë.