ARREST

Mali i Zi arreston serbin e dënuar për krime lufte në Kroaci

Policia malazeze arrestoi dje në mbrëmje në Tivat, në brigjet e Adriatikut, një serbo-kroat i dënuar në mungesë në Kroaci me 15 vjet burg për krime lufte.

Periskopi.com Lajme

 

Sipas një burimi policor dhe medias lokale, Miroslav Joviç, 47 vjeç, u arrestua në aeroportin e Tivatit në bazë të një mandatarresti të lëshuar nga autoritetet kroate dhe është në pritje të ekstradimit të tij.

Sipas verdiktit të 30 majit 2006, në shtator të vitit 1991, Joviç dhe një serb tjetër, Milan Stanojeviç, gjithashtu i dënuar me 15 vjet burg, kishin vrarë në pjesën qendrore të Kroacisë Ivanka Medved dhe plagosur bashkëshortin e saj, Branko Medved, të dy kroatë, transmeton atsh.

Shpallja e pavarësisë në vitin 1991 nga Kroacia, ish-republikë jugosllave, shkaktoi një luftë me separatistët serbë, mbështetur nga Beogradi.

Konflikti shkaktoi rreth 20 000 të vdekur.

Serbët kishin shpallur një republikë të përkohshme “Republika serbe e Krajina” (RSK) në një të tretën e territorit kroat.