limaj

Limajt mund t’i përsëritet fati i Tribunalit të Hagës me Gjykatën Speciale

Fatmir Limajt, ka shumë gjasa që t’i përsëritet storia e Tribunalit të Hagës. Limaj mund të gjykohet sërish për krime lufte në Hagë, sipas revistës “Kosovo 2.0”.

Periskopi.com Lajme

 

Thuhet se mjafton vetëm një kërkesë nga zyra e prokurorit special në Holandë, që institucionet e drejtësisë kosovare ta dorëzojnë në Gjykatën Speciale, lëndën për krime lufte.

Sipas raportimit, nga 28 tetori i këtij viti, mbi Limajn rëndojnë akuzat për “krim të luftës kundër popullatës civile”. Deputeti aktual në Kuvendin e Kosovës dhe kryetari i partisë opozitare “Nisma”, është akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për krime në dy raste: vrasje të dy civilëve shqiptarë Ramiz Hoxhës nga fshati Bellanicë si dhe Selman Binishi nga fshati Banjë të komunës së Malishevës.

Ai thuhet se si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Hoxhës dhe Binishit.

Por, pavarësisht faktit se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka në kompetencë të veçantë hetimet për veprën penale të krimeve të luftës, Prokuroria Speciale në Holandë, e cila vepron pranë Gjykatës Speciale, sipas nevojës mund të kërkojë cilëndo lëndë për krime lufte, për të cilën zhvillohen hetimet pranë PSRK-së.

Zyrtarë të kësaj prokurorie i kanë pohuar Kosovo 2.0 se do t’i ofrojnë bashkëpunim Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përfshirë edhe në kërkesën eventuale për dorëzimin e lëndës ndaj Fatmir Limajt për krime lufte. /Revista 2.0/