pal lekaj

Lekaj: Veseli po e luan rolin e kryeministrit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj, ka vlerësuar se kryeparlamentari Kadri Veseli shpeshherë po e luan rolin e kryeministrit.

Periskopi.com Lajme

 

Ai ka thënë se veprimet e fundit të Veselit e Zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi, të cilët po marrin pjesë në përurime të fabrikave e shkollave të ndryshme, bëhen zakonisht në kohë fushatash elektorale.

“Kjo çështja e investimeve dhe turrit për të prerë shirita sidomos në kohërat e fushatave elektorale, tashmë është bërë e zakonshme. Mjerimi është që nuk po punohet për shtetin por shtetin po ja përshtatin vetes disa funksionar, e kjo është më rrezik për të ardhmen e Kosovë”, ka deklaruar Lekaj në një prononcim për Zëri.info.

Sipas tij, këto premtime e prerje të shiritave për kinse investimeve, kanë bërë që qytetarët të humbasin besimin komplet në sistemin politik të vendit.

Në këtë drejtim siç është shprehur Lekaj, shpesh ka edhe përzierje të funksioneve, siç është rasti i kryetarit të kuvendit.

“Në këtë drejtim ka nganjëherë, ngatërresa edhe të funksioneve, ta zëmë e sheh shpesh kryeparlamentarin duke e luajtur rolin e kryeministrit, presidenti takohet me strukturat partiake e më mësimdhënës të vendit ku shpejt do të kemi zgjedhje e kështu radhazi, aspak nuk respektohet rendi shtëpiak i shtetit dhe nuk kuptohet kush në të vërtetë është çka”, ka shtuar tutje Lekaj.

Deputeti i AAK-së gjatë bisedës, ka thënë se gjendja në Kosovë është në stagnim total.

Sipas tij, çdo ide se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje është një hap mbrapa për Kosovën.

“Kosova jo që ka nevojë urgjente të shkojë në zgjedhje, por çdo ide në çdo moment, se nuk kemi pse organizojmë zgjedhje, se gjithçka po shkon mirë, për Kosovën është vendnumëro mbrapa, jo vetëm ndalje, që nesër do të jetë një rifillim shumë i vështirë”, ka përfunduar Lekaj.