Tuzi / malesia

Lajm i madh për shqiptarët e Malit të Zi: Tuzi bëhet komunë

Hyrja e koalicionit shqiptar “Shqiptarët e vendosur” në kabinetin e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, është përmbyllur me marrëveshjen që Tuzi vitin e ardhshëm ta merr statusin e komunës.

Periskopi.com Lajme

Sipas mediave serbe dhe malazeze, e gjithë ky tregim do të përmbyllet në sesionin pranveror të Kuvendit të Malit të Zi, kështu që Ligji për vetëqeverisje lokale do të ndryshohet, derisa Tuzi do ta ketë autonominë e plotë që të funksionojë si komunë, transmeton lajmi.net.

Mehmet Zenka, lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, do të jetë ministër për të drejtat e njeriut dhe pakicat, derisa shqiptarëve do t’ju takojnë pozita të zëvendësministrave dhe ndihmësve në disa ministri, por edhe pozita tjera në sektorin publik.

Në anën tjetër, shqiptarët do ta kenë për herë të parë edhe një nënkryetar të Kuvendit. Ai pritet të jetë Genc Nimanbegu.

Shqiptarët e Malit të Zi ka më shumë se dy dekada që kanë kërkuar që Tuzi të jetë komunë.

“Komuna e pavarur e Tuzit është kërkesë e jonë programore që shumë kohë dhe ne jemi e vetmja parti shqiptare e cila në vazhdimësi ka kërkuar që kjo të realizohet. Që të arrinim deri te ky qëllim, është dashur shumë gjëra të ndryshonin. Duhet të dihen kufijtë e komunës, deri ku duhet të shtrihet Malësia”, ka thënë për mediat serbe Mehmed Bardhu, lideri i Lidhjes Demokratike.

Tuzi nga viti i ardhshëm do të jetë sikur të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Do ta kontrollojë buxhetin e vet për pagesa të të punësuarve në administratë dhe vet do t’i përcaktojë prioritetet në rajonin e Malësisë.