“Një gjë duhet ta dijë Ramush Haradinaj”

Periskopi.com Intervista

Deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri, në një intervistë për Insajderin flet për qëndrimet e tij për koalicionin AKR-PAN, për ndikimin e sekserëve në qëndrimet e tij, e po ashtu, edhe dëshirën për udhëheqjen e një ministrie.

Ai flet edhe për atë që nuk i pëlqen në koalicionin AKR-PAN, dhe për ish-partnerët e koalicionit, LDK-në por edhe Vetëvendosjen.

Deputeti Tahiri thotë se për një gjë është i gatshëm ta kundërshtojë edhe shefin e partisë, por edhe Ramush Haradinajn të cilin publikisht e ka përkrahur për postin e kryeministrit.

INSAJDERI: A do ta pranoni ndonjë post ministror në Qeverinë Haradinaj?

TAHIRI: Pas marrëveshjes që është bërë për të cilën kam punua. Po të kisha dashur poste ministrore do ta bëja me 3 gusht kur ishte seanca e parë. Nuk e kam bërë edhe pse e vlerësoj shumë mandatarin e parë, Ramush Haradinaj, dhe e kam thënë se meriton të jetë kryeministër i vendit në këto rrethana. Dhe tjetra, asokohe nuk kam dashur të votoj për shkak se jam person që i qëndroj besnik partisë dhe liderit tim Behgjet Pacolli, për shkak se m’i ka hapur dyert gjatë rrugëtimit tim politik.

Kam bërë presion miqësisht të Behgjet Pacolli dhe te kryesia e partisë që edhe partia të vijë nëse nuk gjendet zgjidhje mes LAA-së dhe LVV-së. Ma ka ndje zemra që Ramush Haradinaj prapë mund të japë kontribut për Kosovën, kam besuar në vullnetin e tij dhe, ja që u realizua.

INSAJDERI: Pse nuk pranoni post ministror, nuk jeni i gatshëm apo mendoni se si deputet mund të kontribuoni më shumë?

TAHIRI: Jam i gatshëm, por ndoshta nuk janë ato ministri në të cilat mund ta tregoj veten. Në cilëndo ministri që do të isha, dëshiroj ta arsyetoj veten se pse e kam votuar Ramush Haradinajn për kryeministër. Mirëpo, esenca është që kam shumë dëshirë ta ngrisë çështjen e qytetarëve në parlament, ku do të jem i zëshëm sikurse që jam në jetën e përditshme.

INSAJDERI: Cilën ministri do ta drejtoje?

TAHIRI: Nëse ajo ministri do t’i jepej AKR-së dhe nëse do të ishte edhe vullneti i partisë, me dëshirë do ta udhëhiqja Ministrinë e Shëndetësisë, ku është niveli më i ulët dhe ku qytetarët vuajnë për barna esenciale.

INSAJDERI: Ju me profesion jeni këngëtar dhe nuk keni profesion tjetër që lidhet me shëndetësinë. Si mendoni ta udhëhiqni një Ministrinë e Shëndetësisë kur nuk e njihni atë fushë?

TAHIRI: Normalisht nuk kisha me qenë shumë i përgatitur për momentin, por korrupsioni që është në shëndetësi do ta kisha ulur në nivelin më të duhur në këtë vend. Thjesht, dua të shihet puna ime. Ose do ta kisha vu një ekspert të shëndetësisë që e njeh këtë fushë, por pak a shumë duke qenë në direktivat e mia se qysh kisha dashur ta bëj shëndetësinë.

INSAJDERI: Për ‘Qeverinë Haradinaj’ e keni thënë publikisht se do ta votoni. Por a do ta votoni Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit?

TAHIRI: Patjetër se do ta votoj. Kuvendi duhet të zhbllokohet dhe të ecim përpara. Edhe ndërkombëtarët nuk dëshirojnë zgjedhje të reja, edhe pse kjo ndoshta dikujt mund t’i konvenojë, por ne do ta shikojmë interesin e Kosovës.

INSAJDERI: A ka diçka që të pengon nga marrëveshja që është arritur mes AKR-së dhe PAN-it?

TAHIRI: Behgjet Pacolli ka qenë aq shumë korrekt me LDK-në dhe Vetëvendosjen ku i ka pritur ata që t’i bëjnë programet e përbashkëta qeverisëse, idetë e tyre dhe t’i bëjnë numrat, por e kanë neglizhuar Pacollin duke mos ia marrë shumë seriozisht idenë e tij. Normalisht ne si parti kemi bërë presion që të vazhdohet me hapa tjerë. Dhe jam shumë i lumtur që partia ime (AKR) është ajo që i zhbllokon institucionet.

INSAJDERI: A po ju duket pak e çuditshme që, Pacolli paradite e prishi koalicionin me LDK-në dhe menjëherë pasdite nënshkroi marrëveshje me koalicionin PAN? Si është e mundur që aq shpejt të arrihet marrëveshja për të gjitha detajet, përfshirë edhe ndarjen e posteve ministrore? A ka pasur marrëveshje kornizë edhe më herët mes AKR-së dhe PAN-it, që në rast nevoje të jetë e gatshme, ashtu edhe siç ndodhi?

TAHIRI: Në këtë pikë jam kundër. Edhe në të ardhmen jam kundër që gjërat të ndryshojnë brenda ditës. Por në politikë mund të ndryshojnë gjërat edhe brenda ditës. Por ne, jo që jemi parapërgatitur, por e kemi lajmëruar LDK-në që të marrë hapa, sepse u takonte për ta zhbllokuar vendin. Nëse LDK atëherë ka bërë koalicion me PDK-në për Kosovën, atëherë edhe ne po e bëjmë për Kosovën.

INSAJDERI: Kjo simpati kaq e madhe për liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, a mund t’ju shohim shpejt si pjesë e kësaj partie, sepse nuk është e zakonshme që një njeri i një partie tjetër të ketë aq shumë simpati për një lider të një partie tjetër?

TAHIRI: Ramush Haradinaj  nuk është vetëm i AAK-së,  ai ka vlera që e ka mbrojt luftën për Kosovën në Hagë e Strazburg me akuza të ndryshme ndaj tij. Sa për AAK, unë aty do të isha dje ose pardje, por jam në AKR. Por vlerat si person dhe e drejta që i është mohuar dhe mendoj se ai meriton të jetë kryeministër në këto rrethana. Unë do t’i qëndroj besnik AKR-së derisa ajo qëndron besnik ndaj meje, sepse nuk kam interes për vete. Derisa ata janë korrekt me mua, nuk do të lëvizi prej AKR-së. Mirëpo në të ardhmen nuk dihet ku do të jem. Kudo që përputhen idetë e mia, aty do të jem.

INSAJDERI: Cili ka qenë roli i sekserëve në qëndrimet tua?

TAHIRI: Nuk mund të them që ka pasur persona që kanë bërë presion apo kërcënime për ta votuar qeverinë Haradinaj. Apo siç raportohej që Labi po bën pazare dhe u shit. U kuptua se Labi nuk bën pazare, u kuptua që Labi nuk është kandidat i PAN-it për Ferizaj. U kuptua gjithçka që unë nuk jam ai që po thonë. Nëse do të kërkonte AKR-ja që ta votojë qeverinë apo Kadri Veselin për kryetar Kuvendi, unë do ta bëja. I respektoj rregullat e partisë. Por mbi rregullat e partisë jam mundur t’i tregoj edhe Behgejt Pacollit se interesi i Kosovës është mbi të gjithë. Nuk ka pasur sekserë që kam mundur të ndikojnë te unë. Kanë dashur ta testojnë AKR-në se sa është interesi i tyre personal. Dhe kjo u pa që AKR-ja po i zhbllokon institucionet.

INSAJDERI: Çka nëse do të zhgënjehesh prej punës së Ramush Haradinajt si kryeministër?

TAHIRI: Nëse zhgënjehem prej tij do të dalë prapë publikisht dhe t’i tregoj Ramush Haradinajt se nuk e ke hallall votën time. Por në bazë të vlerave të luftës por edhe si individ, si njeri që unë besoj se e donë Kosovën.

INSAJDERI: Praktikat e deritashme në politikë kanë treguar se, nëse dëshiron të notosh në politikë, duhet të jesh i dëgjueshëm ndaj lideri të partisë dhe qeverisë të cilës i takon. Kurse ju, me kritikat tuaja tash, por edhe me paralajmërimet në të ardhmen, mendoni se mund të bëni karrierë politike?

TAHIRI: Kjo po i bie si diktaturë. Mua me njeh edhe partia edhe Behgjet Pacolli për parimet e mia. Pas nënës sime vlen Kosova. Gjithçka që është kundër qytetarëve dhe Kosovës do ta kundërshtoj edhe partinë time. Do ta shihni në të ardhmen.