Kush do të fitojë Kupën e Botës

Periskopi.com Sporti

Italia, kampioni i katërfishtë i botës, dështoi të kualifikohej Kupën e Botës që do të mbahet vitin e ardhshëm në Rusi. Kjo u cilësua si një befasi e madhe. Por në fakt, ishte befasi vetëm për faktin që u eliminua nga Suedia, dhe jo që u eliminua. Italia nuk ka prodhuar emra të mëdhenj në vitet e fundit, dhe po e vuan edhe vjetërsinë e kësaj gjenerate.

Mbrojtja përbëhej nga dy veteranë, të cilët vitin që vjet do të jenë edhe më të vjetër. Barzagli, aktualisht titullar në fund të këtij sezoni, megjithë lodhjen, do të bëhej i papërdorshëm. Ngjashëm edhe Chielini. Ndërkohë që Bonucci po e vuan një formë shumë të dobët te Milani. Mesfusha është më e mirë, por sërish, Italia ka mangësi serioze në fazën sulmuese. E megjithatë është mëkat që nuk do të jetë pjesë e Kupës së Botës. Për vetë emrin dhe titujt që mban.

Por, cilët janë favoritët për të fituar Rusinë 2018.

Emri i parë që vjen ndërmend është Spanja. Dhe Spanja është ekipi më favorit. Kjo për shkak të super-lojtarëve që ka prodhuar, dhe shumë të tjerëve tashmë të dëshmuar si kampionë. Spanja, mund t’i krijojë ndoshta tri kombëtare serioze që do të ishin të afta të garonin për Kupën e Botës – marrë parasysh numrin e madh të lojtarëve që po dalin nga akademitë e klubeve spanjolle. Të udhëhequr nga Isco e Morata, me një mesfushë shumë të mirë e një mbrojtje me përvojë të madhe, Spanja duket se ka përbërjen e nevojshme për të triumfuar. Por, mungesë e madhe është trajneri. Lopetegui, para se të merrte Spanjën, ishte kërkuar nga Wolverhamptan në kategorinë e dytë angleze, Championship. Karriera e tij nuk ka bërë shumë bujë – dhe pamundësia e tij për t’i bindur lojtarët e dëshmuar kampionë, do të jetë problem edhe për Spanjën.

Franca ka trashëguar një grup lojtarësh mjaft të fortë. Për nga cilësia e lojtarëve të prodhuar, ky komb, është i vetmi që mund të krahasohet me Spanjën. Që realisht i afrohet asaj. Me Mbappen, Griezmannin dhe potencialisht Dembelen që do të kthehej në formë, kjo kombëtare do të kishte gjasë. E megjithatë, jo aq gjasë sa Spanja. Pikat e dobta të këtij ekipi ndodhen në vijën e fundit, në mbrojtje. Portjeri Lloris nuk ka formë të mirë, as me Tottenhamin, as me vetë Francën. Koscielny është mbrojtësi kryesor, e i cili në vitin që vjen do të bëhet 33 vjeç. Edhe ashtu, vërehet një humbje e freskisë nga ky lojtar. Por sidoqoftë, Franca është ekipi i dytë më favorit pas Spanjës.

Anglia rënditet më lart se Gjermania, sepse ka lojtarë më cilësorë. Tashmë, cilësia po e mund përvojën në çdo garë. Lojtarët kryesorë të këtij ekipi kombëtar janë Kane dhe Alli – që të dy pjesë e Spurs. Ndërkohë, forma në rritje e Raheem Sterling, Kyle Walker e Eric Dier, mund të jetë vendimtare. Një pikë e dobët tash për tash është portjeri. E madje, edhe trajneri. Por, sidoqoftë, cilësia e lojtarëve në gara madhore tashmë është shndërruar në elementin kyq për sukses. Konsistenca, që dikur i fitonte trofe tradicionalisht Italisë e Gjermanisë – nuk ka rol shumë të madh.

Vendi i katërt favorit është Brazili. Ky ekip ka dalë nga dremitja gati një dekadëshe shterpe, ku nuk prodhonin lojtarë të mirë, e prapë mbaheshin si ekip i madh botëror. Kjo i pati kushtuar më 2014, në shtëpinë e tyre, një turpërim të mosvetshëm, me një humbje 1 me 7 nga Gjermania. Por kësaj here, Brazili ka arritur të jetë i pakonkurencë në kualifikimet e Amerikës Latine, përmes një grupi lojtarësh që janë bërë gjithnjë e më të mirë – si Neymar, Jesus, Coutinho, portjeri Becker i Romës, Fernandinho i Cityt dhe të tjerë. Pikë e dobët e kësaj kombëtareje, si çdoherë tjetër, është disiplina. Pavarësisht që gjërat duken për momentin, te Brazili është vështirë e parashikueshme se çka do të ndodhë. Posaqërisht kur dihet se në dhomat e zhveshjes, mungojnë lojtarët autoritativë. Përkundrazi, në to jehon zëri i lojtarëve karizmatikë si Neymar, Marcelo, David Luiz e të tillë, që mund ta bëjnë grupin shumë lehtë të përçahet.

E pesta për nga gjasat nuk është Gjermania. Është Portugalia. Ata e kanë Cristiano Ronaldon. Pastaj, kanë individë të tjerë me talent të rrallë. Çalojnë paksa në fazën e mbrojtjes, me Pepe-n e plakur i cili nuk po zëvendësohet si duhet. Por, trajneri Santos ka ruajtur konsistencën e vitit të kaluar kur e fituan Kupën e Evropës, dhe pritet që në të njëjtën mënyrë, me futboll pragmatik, të shkojnë edhe në Rusi. Portugalia është më e fortë se Gjermania, por jo më e fortë se kombëtaret që përmendëm më lart.

As e gjashta nuk është Gjermania. Është Belgjika. Kjo kombëtare ka në përbërje lojtarë si Hazard, Carrasco, Alderweireld e Courtois. Por, i mungon një 9-she, aq e nevojshme për gara të tilla me fazën e eleminimit direkt. Spanja e kishte fituar Kupën e Botës më 2010, me 9-she të rreme, por, kini mendjen, ajo kishte një sistem loje të cilën Belgjika nuk është e aftë ta aplikojë – si pasojë e nivelit jo të lartë teknik të mesfushorëve. Batshuayi është rezervë në Chelsea. Ndërkohë që Benteke e Origi nuk janë në formë. Një tjetër element është edhe mungesa e përvojës. E sidoqoftë, Belgjika e ka një ndihmëstrajner mjaft të mirë e inteligjent si Thierry Henry – i cili i ndihmon Roberto Martinezit – e i cili e ka fituar një Kupë bote (Francë ’98) dhe ka qenë finalist në një tjetër (Gjermani 2006).

Gjasa të përafërta kanë Argjentina dhe Polonia. Argjentina e ka Messin, një prej 10  lojtarëve më të mirë në botë. Kanë poashtu Icardin e Agueron. Nëse e marrin, do ta kenë edhe Higuainin – lojtar vendimtar në ndeshje të mëdha. Por, Argjentina çalon në mbrojtje dhe në mes të fushës. Edhe Argjentina nuk po prodhon lojtarë aq kualitativ në dy dekadat e fundit në këto reparte. Ndërkohë që Polonia, pa individë të shquar përveç Lewandowskit, ka gjasa më të mira se Gjermania shkaku i kompaktësisë që ka krijuar së fundi. Veç kësaj, Rusia do të jetë një vend më familjar për Poloninë se për çdo komb tjetër përveç Rusisë.

Gjermania është e nënta. Gjermania në vitet e fundit, për çudi, ka ndaluar prodhimin e lojtarëve cilësorë megjithëse e ka ngritur ndjeshëm nivelin në ligë. Gjermania nuk ka një nëntshe klasike, dhe do të vuaj mungesën e disa prej lojtarëve kyq të dekadës së fundit, si Lahm e Schweinsteinger të cilët janë pensionuar. Gjermania poashtu ka gjasa, por kësaj here më të vogla se herën e fundit. Gjermania nuk është varur thuajse asnjëherë nga individë të caktuar, por kësaj here i mungon edhe kompaktësia mes lojtarëve – të cilët janë ndërruar shpesh dhe nuk kanë as përvojën e nevojshme për të mbrojtur titullin e Kupës së Botës.

Në fund, edhe Rusia. Rusia nuk ka pasur një grup më të mirë lojtarësh në 4-5 vitet e fundit, e prapë, mbetet e dobët. Megjithëse Kupa e Botës mbahet në vendin e tyre, dhe mbështetja do të jetë e madhe, mungesa e cilësisë te lojtarët e bën të veten. Rusia mund të kalojë grupin, e madje të shkojë deri në qerekfinale, e me fat edhe në gjysëmfinale, por zor se do të ketë aftësi për më tej. Individët më të shquar janë Pozov, Smolov e Dzagoev. Por mbrojtja është e plakur, edhe asnjë zëvendësim nuk duket në horizont.

Periskopi