s

Kush ka faj për RTK-në!

Tashmë nuk është as lajm e as i ri që Radio Televizioni Publik i cili financohet me paratë e taksapaguesve të Kosovës është shembulli më tipik i keq menaxhimit, keqpërdorimit, korrupsionit, nepotizmit, e çfarëdo fenomeni tjetër negativ si dhe përdorimin e hapësirës mediale publike për interesa krejt të ngushta klanore e personale.

Shqipe Pantina Opinione

Kuvendi si themelues i RTK ka diskutuar disa herë dhe atë jo vetëm në komisione por edhe në seancë plenare për gjendjen në RTK. Për më tepër me  Me 2 prill të vitit të kaluar Kuvendi një diskutimi bukur të gjatë dhe pa asnjë votë kundër  ka miratua  rekomandimet që synonin të përmirësonin gjendjen në RTK, e për shumicën e këtyre rekomandime kurrë nuk dimë nëse u zbatuan apo jo. E njëri nga këto rekomandimet ka qenë edhe krijimi i një komisioni hetimor parlamentar e që se fundi u refuzua nga partitë në koalicion PDK dhe LDK.

Por çfarë ka ndodhur nga atëherë?

Borxhet në RTK kanë vazhduar të rriten. Ende as sot Kuvendi, si themelues i RTK-së dhe financuesi kryesor, nuk e dinë se sa ka borxhe RTK, ndaj kujt janë këto borxhe, si u krijuan dhe cili është plani i RTK të i kthej këto borxhe. E vetmja gjë që dëgjojmë vazhdimisht nga RTK është ankesat e tyre se kanë buxhet të vogël kur buxheti i tyre është deri tre fish më i madh se i televizioneve private që operojnë në Kosove e që prodhojnë afërsisht të njëjtën sasi programore.

Menaxhmenti i RTK ka vazhduar punësimi i njerëzve, përkundër një rekomandimi të Bordit që të ndërpriteshin punësimet e reja. Numri i punëtorëve në RTK tashmë i është ofruar numrit 1000.

Dhe këto punësime janë bërë pa një analizë të nevojës për staf të ri, pa kritere dhe pa konkurse publike por kryesisht për të rehatuar militantët partiak  apo dhe familjarët e tyre. E dy shembuj të këtyre punësimeve janë Bashkëshortja e kryetarit të komunës së Klinës  Sokol Bashotës e cila si lektore tek emisioni Vikendi paguhet hiq më pak se 1000 euro në muaj dhe me siguri se është lektorja më e paguar jo vetëm në Kosove por edhe në rajon si edhe ish kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK Astrit Salihu i cili nuk e di në fakt çfarë punë bënë por paguhet 600 euro në muaj. Dhe këto janë vetëm disa pozita që ata vet i kanë deklaruar tek Agjencia Kundër Korrupsion, e kush e di edhe sa e sa militant partiak apo familjar të zyrtarëve të lartë të PDK, marrin rrogë nga RTK edhepse ndoshta asnjëherë nuk shkojnë në punë atje, Ky tashmë nuk është fenomen i panjohur në Kosovë.

E përkundër numrit kaq të madhe të punëtorëve RTK vazhdon të blejë emisione nga produkcionet e jashtme, përfshi këtu edhe lajme një gjë që e ka të ndaluar me ligjin për RTK. Emisione pa asnjë vlerë siç janë Vikendi apo Super Sfida i kushtojnë buxhetit të Kosovës qindra mijëra euro dhe askush nuk e di se mbi çfarë kritere dhe kush e bënë përzgjedhjen e këtyre emisioneve.

Këto janë vetëm një shembull i vogël ilustrues i keqpërdorimeve dhe keq menaxhimit në RTK. Por a është vetëm menaxhmenti fajtor për tërë këtë katrahurë? Natyrisht se jo

Organi më i lartë drejtues dhe i cili e ka për detyrë të mbikëqyr punën e RTK është natyrisht Bordi të cilin e zgjedh  Kuvendi. Por çfarë ka bërë Bordi për të mos lejuar keq menaxhimin apo për të tentuar të bëjë të paktën ndonjë përmirësim të vogël në RTK në mënyrë që ti arsyetojnë pagat e tyre të majme?  ASGJË! Të ju përkujtoj se një anëtar bordi paguhet mbi 1000 euro për një takim që e mban një herë në muaj.  Në fakt ka pasur përpjekje nga disa anëtarë të bordit qe të ndikojnë në përmirësimin e punës në RTK, Anëtari i këtij bordi Hysen Berisha i ka dërguar anëtarëve të komisionit për media një dokument me 26 faqe ku i ka renditur të gjitha parregullsitë, keqpërdorimet dhe korrupsionin brenda RTK, por a e dini se çfarë ka ndodhur?  Përveç se të gjitha shqetësimet e bazuara te tij kanë hasur në vesh te shurdhër , për më tepër dikush nga kolegët e tij nga bordi ka dërguar letër anonime në komisionin parlamentar për të kërkuar shkarkimin e tij nga bordi. Me ndonjë përjashtim të vogël si rasti i zotëri Berishës që kanë tentuar të kryejnë punën e tyre si anëtarë bordi, pjesa tjetër as që kanë qarë kokën për gjithë ato shkelje ligjore e keqpërdorime që ndodhin para syve të tyre, sepse ata vetë kanë bërë shkelje ligjore duke qenë jashtëligjshëm anëtarë bordit për shkak te konflikti të interesit që kanë ose duke pas familjar të punësuar në RTK, ose duke qenë në të njëjtën kohë shërbyes civile e që e kanë të ndaluar me ligj.  Pra si të presim të kërkojnë zbatim të ligjit nga ata që vet e shkelin ligjin!

Fajtori kryesor për gjendjen ku ka rënë RTK është pa dyshim Kuvendi. Jo vetëm unë si anëtare e komisionit për media por edhe nga shumë organizata të shoqërisë civile por edhe nga media  Kuvendi është alarmuar për shkeljet e mëdha ligjore, për korrupsionin deri në krim që ndodhin në RTK, dhe sërish nuk ka marrë asnjë masë. Në Komisionin për media, anëtarët e opozitës me dhjetëra herë i kemi ngritur shqetësimet tona rreth funksionimit të RTK, por koalicioni qeverisës dhe të dy kryesuesit e komisionit më të interesuar kane qenë të shkojnë në ekskursione më RTK  herë në Turqi apo së fundi edhe në Ceki e besa edhe shëtitje në kohë për tu kthyer në shekullin e kaluar siq ka bërë kryetarja e komisionit në një nga emisionet qindra mijëshe të RTK-se sesa të kërkojnë llogari për funksionimin e RTK-së nga drejtuesit e tij. E natyrisht se ekskursionet nuk janë interesi i vetëm që kanë në RTK, për të cilat interesa tashmë unë kam folur me dhjetëra herë. Së fundi komisioni për buxhet ka ndërmarrë një iniciative për të parë mënyrën e shpenzimit të buxhetit e që të gjeturat e anëtarëve të komisionit të angazhuar për këtë pumë ka qenë tejet alarmante dhe jam e bindur se problemet që kanë evidentuar ata janë vetëm maja e ajsbergut e gjithë parregullsive, shkeljeve ligjore e keqpërdorimeve që ndodhin në RTK.

Qytetarët tanë paguajnë  rreth 10 milion euro në vit  për RTK. Me milionat që ne i japim për RTK e të cilat më së paku shkojnë për interes të publikut në do mund jo vetëm të mirëmbanim një medium profesional e të paanshëm por do kursenim mjaftueshëm për të zgjedhur probleme tjera që lidhen me shëndetësinë, arsimin e shumë çështje të rëndësishme për qytetarët sot sesa RTK.

Unë jam e vetëdijshme se ne sot ne ballafaqohemi me probleme edhe me te mëdha dhe ndoshta shumë  qytetarë  mund të mendojnë se nuk ja vlen të lodhsh për të kërkuar llogari për çfarë ka ndodhë në RTK kur ky shtet jo vetëm që të rrjep por edhe të  “vetëvranë” dhe askush askujt nuk i jep përgjegjësi siç ishte rasti i fundit me Astrit Deharin.

Por ne nuk duhet të ndalemi së kërkuari për të hetuar për atë se çfarë ka ndodhe dhe nuk do i ndalim përpjekjet tona për të krijuar shtet  të drejt e ligjor ashtu siç nuk do ndalemi së kërkuari Drejtësi për Astritin dhe për secilin qytetar të këtij vendi!