Kundërshtarët e Trumpit janë bërë budallenj

David Brooks Opinione

Le t’ia nisim me tri vështrime të papërshtatshme, bazuar në dhjetëra biseda që bëhen në Washington gjatë vitit të kaluar:

Së pari, njerëzit që shkojnë në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me Presidentin Trump zakonisht dalin të befasuar këndshëm. Ata kuptojnë që Trumpi nuk është i çmenduri i përçarur siç pritej të ishte, bazuar në atë që ai shkruan në Twitter ose në mënyrën sesi e portretizon media. Përgjithësisht ata thonë se ai është i afërt e i dashur, por edhe përsëritës. Ai mban takime normale e të mira dhe duket i mirë-informuar për t’ia dalë mbanë.

Së dyti, njerëzit që punojnë në administratën e Trumpit kanë pikëpamje brutalisht divergjente rreth shefit të tyre. Disa mendojnë që ai është një fëmijë i marrë, siç e cilëson edhe Michael Wolff [shën.i përkthyesit: autori i librit që bëri bujë këto ditë]. Por të tjerët mendojnë se ai është thjesht një i lajthitur me të cilin mund të punohet. Disa tjerë mendojnë se ai është i çuditshëm, por jo i pamundur. Disa çiltërsisht e admirojnë Trumpin. E shumica i filtrojnë gjërat e çmendura të tij dhe pretendojnë se ato nuk ekzistojnë fare.

Përshtypja ime është që administrata e Trumpit është një vend i palumtur pune, sepse ka shumë luftë të brendshme dhe shpesh nuk ka direktiva nga maja. Por kjo nuk është një administratë e mbushur me njerëz që kërkojnë të invokojnë amandamentin e 25-të të Kushtetutës [Shën.i përkthyesit:  amandamenti XXV i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara merret me vazhdimësinë e presidencës dhe vendosjen e procedurave për të dyja, mbushjen e zbrazëtisë në zyren e Zëvendës Presidentit dhe në përgjigjjen ndaj paaftësive presidenciale].

Së treti, Shtëpia e Bardhë po bëhet më profesionale. Imagjinoni sikur Trumpi të mos bënte ‘tweet’-et e tij të famshme. Çmenduria e javëve të fundit do të ishte lënë anash, dhe ne do të shihnin Shtëpinë e Bardhë që gjallërisht përpiqet të mbërrijë qëllimet e saj: kthimi në politikat për Pakistanin, kthimi në politikat ‘offshore’, përmbushjen e politikave për ISIS-in, nominimin për gjyqtarësinë dhe formimin e politikave për infrastrukturën, DACA-n, Korenë e Veriut dhe tregtinë.

Është si të ishin dy Shtëpi të Bardha. Është Shtëpia e Bardhë e Potemkinit, me të cilën kemi prirje të merremi: Trumpin e tërbuar në TV, avokatët që punojnë për investigimin rus dhe operimet e shtypit. Dhe është Shtëpia e Bardhë e padukshme për të cilën kurrë nuk dëgjoni, e e cila po bëhet gjithnjë e më efektive në drejtimin e punëve me një shef të shpërqendruar.

Ndonjëherë hamendem nëse Shtëpia e Bardhë e padukshme ka mësuar të përdorë Shtëpinë e Bardhë të Potemkinit që të na mashtrojë neve derisa e ndryshon vendin.

Po i përmend këto vështrime të papërshtatshme sepse lëvizja anti-Trump, në të cilën bëj pjesë edhe unë me krenari, duket se po bëhet më e heshtur. Duket se ka rënë në një vetëkënaqje, një version përralle i realitetit që e qet jashtë, e filtron, informacionin e papranueshëm. Shumë anti-Trumpistë duket se po ia thonë vetvetes narrativën e “Çmendurisë së Mbretit Gjorgj”: Trumpi është një gjysëmanalfabet i çmendur i rrethuar nga lajkatarë që janë moralisht, intelektualisht dhe psikologjikisht inferiorë ndaj njerëzve si ne.

Më pëlqen të mendoj se është e mundur të jesh ngulmueshëm anti-Trumpit ndërsa nuk e redukton gjithçka në një përrallë.

Lëvizja anti-Trump vuan nga mendjengushtësia. Shumica e njerëzve që e urrejnë Trumpit nuk e njohin askënd që punon me të, ose që e mbështet atë. Dhe nëse kanë shokë ose anëtarë të familjes që e admirojnë Trumpin, ata mësojnë që të mos flasin për këtë temë. Kështuqë, ata e marrin gjithë informacionin për trumpizmin nga të tjerët që poashtu e urrejnë ose neveriten nga trumpizmi, që është gjithnjë një recept për një mëshelje epistemike [shën.i përkthyesit: për mbyllje të mendjes].

Lëvizja poashtu vuan nga ‘lowbrow-izmi’ [shën.i përkthyesit: ‘lowbrow’ quhen njerëzit që nuk janë shumë të ngritur intelektualisht ose shumë të kulturuar]. Njeriu lowbrow modern [Sean Hannity ose Dinesh D’Souza] i shpërfillë standardet normale gazetareske ose intelektuale. Ai krijon një stil komunikimi që nuk iu bën të mendoni më shumë; iu bën që të mendoni dhe të vëreni më pak. Ai e ofron një dietë të njëtrajtshme afirmimi, përqendrohet në çështje të thjeshta që kërkojnë një prapavijë të vogël informacioni, dhe i bën shikuesit ose lexuesit të varur nga dozat e përditshme të një neverie të drejtë dhe të një përligjjeje të këndshme.

Ne anti-Trumpistët e kemi lowbrow-izmin tonë, poashtu, më së shumti në emisionet e vona të natës në TV. Por lowbrowizmi anti-Trump shpërtheu, lulëzoi e u harlis me librin e botuar së fundi nga Wolff-i.

Wolfi nuk kërkon t’i përmbahet standardeve normale gazetareske. Ai e pranon me kënaqësi që thjesht po qet thashethëme që janë shumë të mira për t’i verifikuar. Siç shkroi Charlie Warzel në BuzzFeed, “Për librin e Wolffit, e vërteta duket si një gjë sekondare në lidhje me atë që vërtet ka rëndësi: angazhimi.”

Përpjekja e lowbrow-it nuk është t’iu sfidojë, t’iu mësojë diçka apo t’iu bëj që t’i kapni konturet e realitetit; është t’iu bëj të ndjeni shtytje për t’i shpërndarë ato që thotë në mediat sociale.

Në çdo luftë, kombet vijnë duke iu përngjarë armiqve të tyre, kështu që supozoj se është normale që lëvizja anti-Trump ka filluar t’i përngjajë lëvizjes pro-Trump. Ama kjo nuk është gjë e mirë. Kam vërejtur shumë të rinj derisa shikojnë histerinë e përditshme monotone të neve anti-Trumpistëve – dhe që e quajnë budallallëk.

Kjo nuk është thjesht një telashe që ka të bëj me presidentin. Kjo është një telashe në lidhje me rregullat me të cilat do të luajnë edhe pas Trumpit. A nuk po zbresim të gjithë ne vazhdimisht në standardet e Trumpit?

Ose, a do ta kthejmë dallimin mes shkëlqimit dhe mediokritetit, të vërtetës dhe gënjeshtrës? A nuk do të ngulmojmë në dallimin mes një eksperti të vërtetë dhe një të tërbuari me informacione të pasakta? A do të kthejmë dallimin mes këtyre institucioneve si Zyra e Buxhetit të Kongresit që operon me standarde profesionale dhe të flasim me autoritet legjitim, për dallim nga mullijtë e propagandës që nuk e bëjnë dot?

Ka hierarki të shkëlqimit në çdo sferë. Ka një dallim shumë të madh mes William Buckley-t dhe Sean Hannityt, mes raportuesve të kësaj gazete dhe të shpërndarësve të thashethëmeve. Pjesë e kësaj telasheje është që t’i ruajmë e mirëmbajmë këto dallime, dhe jo të kontribuojmë në prishjen e tyre.

Përktheu nga New York Times, Periskopi