jabllanoviqi-780x439

Kryetari i Leposaviqit akuzon prokuroren shqiptare se po i favorizon krimin dhe strukturat paralele

Kryetari legjitim i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, ka shprehur shqetësimin e tij se si Prokuroria Themelore e Mitrovicës po i favorizon strukturat paralele dhe grupet kriminale në këtë komunë.

Periskopi.com Lajme

Jabllanoviq ka treguar se si të dielën mbrëma ka ndodhur një rast i rëndë në Leposaviq, ku në kafenenë “Bahus” janë përleshur disa persona me të kaluar kriminale.

“Kryetari i komunës paralele e të jashtëligjshme, Zoran Todiç ka ndërtuar një shtëpi dhe me këtë rast ka organizuar një festë në ‘Villa Kristina’, ku kanë qenë të ftuar edhe një grup kriminal i cili e saboton punon tonë në veri, e të cilët kanë edhe fletarreste për të kalurën e tyre kriminale. Pas festës ata kanë ardhur në një kafiteri në qendër të qytetit, ku kanë filluar rrahjen mes veti, ku njëri prej tyre e ka nxjerrë revolen dhe e ka goditur disa herë tjetrin në kokë me të, më kanë thënë policia, të cilët me kanë treguar se ata janë thirrur dhe kur kanë arritur në vendin e ngjarjes ia kanë marrë revolen këtij personi, ndërsa vëllai i tij e ka nxjerrë një kallashnikov. Mirëpo, derisa policia ia ka marrë vëllait të tij kallashnikovin, një person tjetër i kësaj grupe e ka nxjerrë një zollë, të cilën më pastaj e ka konfiskuar policia. Ky personi që e ka nxjerrë zollën e ka mbiemrin Xhodiç dhe është i ndjekur nga autoritetet në Serbi, ndërsa tash fshihet në Leposaviq”, thotë kryetari Jabllanoviq për Veriu.info.

I pari i Leposaviqit tregon se Policia e Kosovës e ka shmangur gjakderdhjen me këtë rast, derisa tregon se në këtë përleshje ishte tentuar edhe vrasja e këshilltarit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Branimir Stojanoviq, pasi që personi ia kishte ngrehur këmbëzën revoles, por ajo fatmirësisht nuk kishte shkrepur.

“Policia e Kosovës më ka treguar se kanë kërkuar autorizim nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, që t’iu lejohet bastisja e pronave të personave të arrestuar, pasi që atyre iu është konfiskuar me këtë rast një zollë, dy revole dhe dy automatika, por prokurorja kujdestare Fikrije Sylejmani nuk kishte lejuar autorizimin për bastisje të menjëhershme. Është e çuditshme se si ajo këtë rast e ka kualifikuar si rrahje të lehtë, derisa aty është gjetur një arsenal armësh”, thotë kryetari legjitim që është i zgjedhur nga procesi zgjedhor i rregullt i Kosovës, duke treguar se pas këtij rasti i është thënë se ka pasur të shtëna të shumta me armë në Leposaviq nga këto grupe kriminale, por që nuk ka mundur t’i vërtetojë këto pohime.

 

Jabllanoviq thotë se prokuroria i merr parasysh vetëm rastet që kanë të bëjnë me dhunë familjare, por jo edhe rastet që kanë të bëjnë me grupet kriminale dhe strukturat paralele, ku këtu problemin më të madh e sheh nga personat që kanë fletarreste në Serbi dhe fshehen në Leposaviq.

Veriu.info ka kontaktuar me prokuroren Fikrije Sylejmani nga e cila ka kërkuar të dijë se a janë bastisur shtëpitë e të arrestuarve natën e të dielës, por ajo ka thënë se atë natë nuk ka pasur bastisje, derisa i ka mohuar akuzat e bëra nga kryetari i Leposaviqit në drejtim të saj për favorizim të grupeve kriminale në veri.

“Unë nuk e kam një kërkesë të tillë. Ata kanë me u kontrollu, e na nuk mujna me i kallxu kur dojna me ba bastisjen”, thotë prokurorja Sylejmani.

Kur ajo pyetet se pse nuk janë kontrolluar shtëpitë e tyre menjëherë sipas kërkesës së zëvendëskomandantit të policisë në Leposaviq, të cilën e ka treguar kryetari Jabllanoviq, prokurorja Sylejmani thotë se kjo nuk është e vërtetë.

“Kjo landë është nën hetime dhe na kur e bojmë e qysh e bojmë nuk munum për media, e kryetari i Leposaviqit nuk mundet me ndiku”.

Sa i përket pretendimit të kryetarit të Leposaviqit se prokurorja Fikrije Sylejmani i ka favorizuar të arrestuarit, pasi që në momentin e arrestimit nuk ka lëshuar autorizim për bastisjen e shtëpive të tyre ajo thotë: “Nuk i kam favorizu kërkon, por vendosim na kur kanë mu bastis. Ata kanë pas me bisedu me gjyqtarin për me shku me ba bastisjen, mirëpo pse nuk e kanë ba bastisjen, unë e di që kanë pas me bo”, ka thënë prokurorja, e cila nuk ka mundur të konfirmoj çfarë lloj të armëve janë konfiskuar, duke thënë se nuk gjendet në zyre.

“Ata kanë pas dje për obligim mu kontrollu, nuk e kam informatën, na shumë vështirë e kena me kontaktu me Leposaviqin”, ka thënë ajo, duke treguar kështu se nuk është interesuar dhe informuar më për këtë rast të rëndë./Veriu.info/