20161126153227689646

Krijohet rrjet i komunave shqiptare në 5 shtete

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se Tirana, Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva e fillojnë shkëmbimin e përvojave në urbanizëm, inovacion, mjedis, kulturë dhe investim.

Periskopi.com Lajme

Ai ka shkruar në Facebook se do t’i shtojnë edhe komunat edhe fushat.

“Filloi takimi i rrjetit te Komunave Shqiptare. Ringjalljen e këtij rrjeti e patem si ide me Erionin qe një kohë tani por tani në prag të festes së 28 nëntorit e konkretizuam me takimin e parë dyditor në Tiranë”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe mediat në Shqipëri kanë raportuar se kryetaret e 5 bashkive më të mëdha ku jetojnë shqiptarët në rajon, u mblodhën në Tiranë në takimin e parë të Konferencës së Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon.

Siç kishte bërë me dije disa javë më parë, kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj priti homologun e tij nga Prishtina, Shpend Ahmeti, atë të Preshevës, Shqiprim Arifi, kryetarin e Ulqinit, Nazif Cungu dhe atë të Tetovës, Teuta Arifi.

Konferenca e Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit do të zgjasë 2 ditë ndërsa në përfundim të saj pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi midis 5 bashkive.

Veliaj tha se takimi nuk ka qëllime nacionaliste, por përfitimi të ndërsjellë midis shqiptarëve në disa nga qendrat më të mëdha në rajon.

“Temat janë urbanistika, tema e dytë janë çështjet e mjedisit, tema tjetër me kulturën, e katërta me inovacionin, teknologjinë dhe e fundit format e reja të financimit”, u shpreh Veliaj.