jakup-krasniqi1

Krasniqi rrëfen historinë e tij me Fehmi Lladrovcin, PDK-në e quan shkollë “Pronto” të Hashim Thaçit

Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, nuk e ka vlerësuar si të suksesshëm vitin 2016. Sipas tij, Kosova është shndërruar në një vend, ku si zgjidhje është ikja, andaj nuk ka as arsye për të festuar.

Periskopi.com Intervista

Në një intervistë për “Indeksonline”, Krasniqi ka folur rreth ngjarjeve që e shënuan vitin 2016.

Ai flet për çështjen e opozitës së bashkuar dhe ndarjen e saj, marrëveshjen e mbetur peng qysh nga viti 2015 për shënjimit të vijës kufitare të Kosovës me Malin e zi, kushtet e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët, bojkotimin e Listës Serbe në qeveri dhe Ligjin e Trepçës, vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, zgjedhjet komunale në Drenas, si dhe për akuzat që Ramiz Lladrovci i ka bërë kundër tij dhe kreut të Nismës, Fatmir Limaj.

Krasniqi ka sqaruar për akuzat e Ramiz Lladrovcit për Fondin “Vendlindja Thërret”, duke thënë se me Fehmi Lladrovcin nuk ka pasur asnjë problem. Madje, ka thënë Krasniqi në intervistën dhënë për “Indeksonline”, se me të kanë qenë miq dhe kanë luftuar për liri, e nuk kanë menduar për pozita.

Krasniqi ka thënë se e tëra kjo ngjarje pas 18 vitesh është një sajim nga “Stalinët e Pronto-s”, duke iu referuar kështu PDK-së.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë:

Zotëri Krasniqi, viti 2016 nisi me protesta dhe po përfundon me disa mospajtime mes pozitës dhe opozitës. Si mendoni që ka ndikuar kjo në shoqërinë kosovare?

Krasniqi: Qytetarët e Kosovës dhe opozita e bashkuar e patën filluar mirë e mbarë vitin 2016, por si duket te dy palët i lëshoi kondicioni i veprimit dhe i vazhdimit për të protestuar deri në detyrimin e Qeverisë se krimit e të korrupsionit që të çonte vendin ne zgjedhje te jashtëzakonshme. Opozita nuk e pat gatishmërinë qe e bashkuar të ecte deri në fitoren përfundimtare. Vendi ynë kishte nevojë për ndryshimin e qeverisjes. Opozita e filloj luftën për dominim brenda opozitës e jo për detyruar koalicionin qeverisës të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Nuk e kam asnjë dyshim, përgjegjëse për ketë ishte LVV-ja e cila u mundua te shkëpuste ndonjë pupël nga AAK-ja e NISMA, por s’bëri gjë tjetër veçse i çoi ndonjë “argatë” partive te koalicionit, por as ajo nuk shpëtoi nga shkëputjet e tilla.

 

Lufta politike në mes pozitës e opozitës në demokraci është normale, por fatkeqësisht vendi dhe qytetari ynë është larg, tepër larg demokracisë. E them ketë se në një vend ku ruajtja e pushtetet është e pa kompromis e me çdo kusht, në një vend ku mashtrimi e shitblerja e votave bëhet kulturë, ndryshimet demokratike janë tepër larg. Kudo ku nuk ka ndryshim përmbajtjesor, ka mjerim. Mjerimi prodhon shumë gënjeshtarë!

Kultura në shoqërinë tonë len për te dëshiruar shumë. Asnjë segment i shoqërisë sonë, as një komunitet i organizuar, nuk ka krijuar elita te besueshme e të pa kontestueshme. Elitat tona, te çdo komuniteti po thuajse janë mashtruese, janë të pa besueshme. Te pa besueshme janë te gjitha institucionet e shtetit. Hierarkia më e lartë e këtyre institucioneve është mashtruese dhe e kriminalizuar. Ketë e kanë konstatuar edhe raporte te ndryshme ndërkombëtare. Thënë shkurt; shoqëria e jonë është e sëmur! I duhet shumë kohë për t’u shëruar! Këtu nuk dihet më kush është akademiku, intelektuali, eksperti apo administratori profesional. Këtu “qeni nuk e njeh të zonë”.

Përfundimi i këtij viti, nuk mund të ishte ndryshe. Ndryshe nuk do të jetë as viti i ardhshëm. Këtu është shtresuar shumë pa kultura e pa edukata, sidomos e njerëzve që marrin pushtet e pushtetin po e blejnë me paranë publike është shumë prezentë. Ata pushtetin po e kërkojnë jo për të qeverisur, por për të grabitur?!!!

Çështja e demarkacionit ka mbetur peng nga viti i kaluar, a e shihni si prioritet ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe kur mendoni se mund të ndodhë kjo?

Krasniqi: Jo vetëm çështja e demarkacionit, por peng është e tërë perspektiva dhe e ardhmja e qytetarëve tanë. Ne një vend, ku qytetarët perspektivën e shohin në ikje, peng jemi të gjithë, veç kryebanditëve! Këta njerëz që janë instaluar ne krye te shtetit me një vendim te kontestuar te Gjykatës Kushtetuese, nuk e dinë as çka është e as si caktohen prioritetet. Këta prioritet e kanë vjedhjen e buxhetit te shtetit dhe blerjen e votave. Projektligjit për demarkacionin Kuvendi duhet t’i thotë jo dhe sa më parë e pastaj të kërkohen veprimet tjera të përbashkëta me Malin e Zi. Jo kështu si është tani.

Luftimi i korrupsionit është ndër kushtet kryesore për liberalizimin e vizave, sa ka arritur Kosova ta plotësojë këtë kriter?

Krasniqi: Jo vetëm që nuk është arritur asgjë, por as pritet të bëhet diçka. Nuk luftohet krimi e korrupsioni aty ku asnjë institucion i shtetit nuk funksionon mbi bazën e ligjeve në fuqi. Shikoni se si vendosin gjyqet tona për qindra e mijëra euro të humbura te buxhetit, keqbërësit dënohen me kusht. Madje shikoni se si humb  30 milion euro nga kontrata e PTK-së dhe askush nuk jep dorëheqje e dikush tjetër feston për rrëmbimin e parasë publike?! Veç nëse donë BE-ja të na integron disi ose për hatër se edhe njerëz nga BE-ja e kanë ndihmuar ketë mos sundim te ligjit, se këta tanët as që janë te interesuar. Këtyre kështu si janë, ju “ka rënë shi në kollomoq”. Këta thonë, ngate zot ketë paligjësi. Qeveritarët tanë nuk e di nëse e dinë se çka do më thënë: plotësim i kritereve?! Te pa dijshmit dhe analfabetet me doktorate te kryera brenda natës na kanë pushtuar nga të gjitha anët.

Si i vlerësoni kushtin e demarkacionit dhe luftimin e krimit e korrupsionit nga ana e BE-së, që qytetarët kosovarë të lëvizin lirshëm?

Krasniqi: Ky është kusht diskriminues dhe po të veprohej institucionalisht e më vendosmëri, ky kusht do të hiqej. Unë dyshoj se ketë kusht e kanë kërkuar krerët e koalicionit qeverisës e sidomos, Kryeministri e Presidenti! Edhe po te çmendeshin deputetet e ta ratifikonin demarkacionin, nuk besoj që do ta merrnim liberalizimin e vizave.

BE-ja thirret shumë në liritë e të drejtat e qytetarëve, në rastin tonë po shkelen liritë dhe të drejtat e qytetarëve tanë. Për faktin se kjo pengesë ju është bërë qytetarëve të ndershëm, se grupet kriminale i gjejnë njëqind rrugë për të shkuar në cilindo vend te BE-së. E sidomos padrejtësia po ju bëhet të rejave e të rinjve që dëshirojnë të shkollohen në Universitetet e Evropës, se nga universitetet tona po dalin jo vetëm student, por edhe DR. Gjysmë analfabet!

Votimi i Ligjit të Trepçës u prit mirë nga të dyja palët, pozita e opozita, deri sa Lista Serbe e bojkotoi punën e Qeverisë. A ndikoi kjo në punën e Kuvendit dhe në çështjet e Kosovës?

Krasniqi:  Po ligji është pritur mirë, por nuk besoj që deri në fund do të shkoj mirë, pasi asgjë e mirë nuk është bërë nga këta qeveritarë dhe nuk pres që të bëhet. Edhe me Listën Serbe edhe pa te, Kuvendi është në gjumë dimëror.

Fillimi i nëntorit shënoi ditët e zeza për familjen Dehari, me vdekjen e djalit të tyre Astrit Dehari në burgun e Prizrenit. Sa konsideroni që kanë punuar organet e drejtësisë për ta zbardhur këtë rast?

Krasniqi: E thash më lartë, asnjë institucion shtetëror nuk e ka besueshmërinë qytetare, besueshmëri nuk kanë as në Sistemin e Drejtësisë. Ne një situatë të tillë, është e domosdoshme një hetuesi e pavarur e ndonjë vendi që ka Drejtësi të standardeve më të larta. Pra është e domosdoshme besueshmëria e të gjithëve dhe e familjes. Kjo është e domosdoshme! Këtyre institucioneve nuk mund t’ju besojmë! Këta gjithçka e kanë bërë tërkuzë.

Në balotazhin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale të Drenasit, doli fitues Ramiz Lladrovci i PDK-së. Ky i fundit ju ka akuzuar juve dhe Fatmir Limajn për përvetësim të fondit “Vendlindja Thërret”. Si i komentoni zgjedhjet në Drenas dhe akuzat që janë bërë ndaj jush?

Krasniqi:  Çdo njeri normal ne Kosovën tonë te vogël e dinë që unë e as Fatmiri nuk e kemi pasur asnjë lidhje me atë Fond, që e kanë mjelë kush është quar më herët. Pyeteni Ibrahim Kelmendin që ka qenë përgjegjësi kryesor i atij fondi për Gjermani dhe u tregon. Unë kam qenë për dhjetë vjeten në institucione te shtetit, tri vjet në Ministrinë e Shërbimeve Publike dhe gati 7 vjet në Kuvendin e Kosovës! A e keni dëgjuar ndonjë akuzë se kam keqpërdorur paranë publike? Unë me punën time në institucione kam treguar se di dhe dua te qeverisi mirë me ketë vend. Deri në vitin kur jam tërhequr nga përgjegjësia publike, kam pasur detyra më të larta shtetërore se cilido nga kundërshtarët e mi te sotshëm, por nga pasuria nuk ju afrohem as deri te zogu i këmbës. Pse pyetni ata!  Për te tjerat cilësi të mijat ju ka treguar Milaim Zeka, nuk kam çka i shtoj. Ne te dy pozitat zyrtare kam pasur një administratë bukur të madhe. A keni dëgjuar se e kam larguar ndonjë njeri nga puna pse nuk është i partisë sime? Ketë e kam bërë për faktin se shteti është i te gjithëve, të gjithë kontribuojnë ne mbushjen e buxhetit dhe shteti duhet t’ju shërbehej te gjithëve.

Akuzat ndaj meje kanë nisur që gjatë zgjedhjeve te kaluara komunale, mbase edhe më herët. Përgjimet e konfirmojnë ketë. Atëherë kreu i partisë, në takimet jo publike ju ka thënë:” Unë e kam marrë Jakupin nga kaftorri”! dhe kush kujt po i thoshte?! E të ngjashme dhe duke e përhapur frikën, se nëse nuk fiton ai dhe klani i tij kriminal, Drenica e Drenasi do te mbesin pa mbështetje institucionale?! Se në votat po i kërkonim për LDK-në e të ngjashme. Për qytetarët kjo ishte frikë?!!! Në fakt, Drenasi sot është komuna më e varfër e Kosovës, bash pse u votua PDK-ja! Qytetarët përvec varfërisë kanë një frikë qe te frikëson, kush e mbolli ketë frikë?!

Ketë vit, disponimi i qytetarëve me shumicë ishte për ta ndryshuar qeverisjen, shkuarja në balotazh është pasqyra më e mirë e kësaj që po e thamë. Kjo i egërsoi ata dhe të gjitha shigjetat i drejtuan kundër meje. Natyrisht me fyerje e shpifje prej më të ndryshmeve. Arsyeja është se i pengon shumë autoriteti im jo vetëm në Drenicë. Ishin shpifje me qellim denigrimi që burimin e kanë nga shkolla “Pronto” e

Hashim Thacit, i cili edhe më pat ndërruar mbiemrin nga Krasniqi në Jakupovski. Opinioni e dinë një pjesë te tyre. Në kohën, kur ai vazhdonte të me quante “Bac”, në takimet ballë për ballë! Prapa shpine, shante e shpifte. Ndërsa, tani e ka një altoparlant!! Nga kjo shkollë janë edhe akuzat e shpifjet prej më të ulëtave. Nuk kam asnjë dyshim se kjo shkollë është tepër e përafërt me shkollën gebellsiane e rankoviqiane, e sidomos këta kanë mësuar nga shkolla e UDB-ës. Bile “Pronto-ja” e Hashim Thacit ka shkuar edhe përtej kësaj! Kjo shkollë kriminale, ka sajuar gjëra prej më kriminaleve për t’i mbrojtur krimet e veta e te familjarëve te vet.

Në ketë rast do ta përmendi vetëm një fakt të sajuar në mënyrën më kriminale, bile edhe te turpshme! Me Fehmi Lladrovcin nuk kam pasur asnjë problem. Problemi i sajuar i Baincës, i një bisede te zhvilluar në Abri , në odën e Demakëve, ka pasur të bëjë për ndërprerje e mësimit. Unë atëherë kisha disa detyra. Isha Kryetar i LDK-së, Kryetar i Këshillit te Arsimit dhe anëtarë i SHP te UCK-së, ndërsa Fehmiun atëherë, “shokët” e pas rënies e kishin lënë vetëm ushtar. Ne nuk e kishim paraparë që ta ndërprisnim mësimin. Bile ai para se të bëhej Komandant i Brigadës 113, me Sami Lushtakun dhe bashkëshorten e tij Gjevë Krasniqin, kanë qenë tek unë në familje. Gjeva ka fjetur me bashkëshorten  time, ndërsa ne kemi vazhduar bisedën në odën e burrave. Ai ka pasur ankesa te shumta te krerët e sotëm te PDK-së. Në atë bisedë kam pasur rolin e pajtuesit, por ai kishte te drejtë. Është e vërtetë atij dhe shumë te tjerëve aso kohe nuk na interesonin pozitat, luftonim për lirinë e çlirimin. Unë nuk mund ta kuptoj, pse sot pas 18 vite dikush e kërkon konfliktin tim më atë dhe e bënë “shok” më ata që vërtetë i kishte kundërshtarë të ashpër?! Ne organizimin e fshehtë, me Fehmiun ka qenë i organizuar edhe Milaim Zeka, edhe ky sot bëhet armik?! Kur këto gjera sajohen, mendoni sesi sajohen edhe te tjerat!

Kjo mënyrë e sajimit të gjërave, nuk ka të bëjë vetëm me mua, kjo praktikë kriminale që po instalohen është e rrezikshme për shoqërinë tonë. Kjo praktik do të përdoret ndaj cilido që guxon t’i kundërshtoj Stalinët e “Prontos”! Ketë praktikë kriminale te shkollës “Pronto” personazh kryesor nuk e ka vetëm Adem Grabovcin i cili është një argatë besnik i shefave te tij! Ai është sjell si shumë edhe gjatë këtyre zgjedhjeve. Dhe kudo ku duket ai ka krim.

Sa i përket fituesit të zgjedhjeve, fitues real është Isa Xhemajlaj. Kudo që jemi shkuar, nuk e kemi pasur as edhe një kundërshtim të vetëm. PDK-ja ka pasur kundërshti të mëdha, gjithnjë sipas raportimit te mediave. Fitorja e tyre është fitore e fituar dhunshëm e arritur më te gjitha llojet e kërcënimeve, shantazheve, blerjeve, premtimeve te rrejshme për punësim dhe çka jo tjetër! Atje u përballem me aparatin e dhunshëm shtetëror që kudo ku shkonte përhapte frikë. Atje janë bërë 101 pazare kriminale. Ndërkombëtaret po heshtin, ata e dinë se sondazhet fitues e nxirrnin Isa Xhemajlajn?!

A mendoni se duhet të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?

Krasniqi: Vendi duhej te shkonte moti në zgjedhje dhe ato do të duheshin tani të ishin të harruar. Por grabitësit e pushtetit nuk janë të gatshëm t’ia dorëzojnë zgjedhjen sovranit. Ata nuk ju besojnë qytetarëve. Ata po e blejnë varfërinë e qytetarëve te cilëve edhe ua kanë vjedhur guximin! Ua kanë shtirë frikën ne palcë?!

Çka e konsideroni dështim dhe sukses të Kosovës për 2016-ën?

Krasniqi: Dështime ka shumë, filluar nga marrëveshjet e Brukselit me Serbinë dhe ato janë shumë. Pastaj demarkacioni, krimi e korrupsioni, mos zhvillimi ekonomik, papunësia e madhe, gjysëmanalfabetizmi deri në Universitete, shëndetësia në gjendje të mjerë. Ambienti jetësor në çdo sferë është i ndotur. Suksesi i vetëm i kësaj qeverie është mos shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, burgosjet e deputetëve dhe te aktivistëve te VV-së?! Dhe mos ta harrojmë gjuhën akademike te komunikimit?!!! Këtu ishin shumë te suksesshëm?!!!

A ka arsye të festohet në Kosovë? Çka pritni nga viti 2017?

Krasniqi:  Ne një vend ku qytetarët ikin e vriten apo vetëvriten në burgje, nuk ka arsyeje për të festuar. Këtu duhet vite, mbase edhe dekada për të pritur zhvillime politike që ndryshojnë vendin. PISA ka treguar se me ketë nivel të arsimit që kemi, nuk priten ndryshime të shpejta?!