Krasniqi denoncon Thaçin për përfshirje në fushatë, e quan “mashtrues ordiner”

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka reaguar ndaj pjesëmarrjes së presidentit Hashim Thaçi në fushatën e PDK-së në Drenas.

Periskopi.com Lajme

Krasniqi, që Thaçin e quan “kumbara” i tërheqjes së Naim Bazajt nga gara për kryetar dhe kthimin e tij në radhët e PDK-së, thotë se në këto momente Thaçi po rri në Drenas dhe kjo është jashtë çdo morali, dhe banorët e Drenasit duhet të distancohen, transmeton Koha.net.

“Sot Presidenti, në këto momente është në Familjen e Rrukiqëve në Drenas. Këto takime vijnë pas Darkës me arsimtaret e Drenasit. Presidenti, jashtë çdo morali është bërë pjesë e fushatës. Qytetarët e Drenasit e të gjithë Kosovës duhet te distancohen nga këta mashtrues ordiner!”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se kjo është ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor dhe sjellje antikushtetuese.

“Kjo është ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor në Drenas. Kjo sjellje antikushtetuese reflekton frikë! Frikë nga vota e lirë e qytetarëve te Drenasit!”, përfundoi Krasniqi.