kqz

KQZ refuzon kërkesën e ambasadave për përfshirjen e OSBE-së në zgjedhjet e Drenasit

Një kërkesë e ambasadorit britanik Ruairi O’Connell për të thirrur OSBE-në që të monitorojë zgjedhjet e së dielës në Drenas, është refuzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Periskopi.com Lajme

O’Connell – në një letër dërguar KQZ-së në emër të ambasadorëve të shteteve të Kuintit – ka thënë se monitorimi i OSBE-së në këto zgjedhje është i nevojshëm “duke marrë parasysh gjendjen e tanishme politike të tensionuar në Kosovë”.

Por, KQZ përmes një komunikatë për media, ka thënë se nuk ka pasur asnjë pengesë që të organizojë zgjedhjet në këtë komunë, edhe pse janë përballur me afate të jashtëzakonshme kohore.

Në këtë mënyrë, KQZ ka lënë të nënkuptohet se nuk ka pranuar kërkesën e ambasadorëve për të kërkuar ndihmë nga OSBE-ja.

“Lidhur me kërkesën specifike, KQZ-ja, duke u mbështetur edhe në ligjet në fuqi, njofton se nuk ka pasur asnjë pengesë që këtë proces, ndonëse i jashtëzakonshëm, ta implementojë deri në fund me sukses të plotë”, thuhet në komunikatë.

“Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i pavarur i përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk ndërhyn në çështjet politike nga cilido drejtim që ato mund të shfaqen dhe as në problemet e sigurisë. Janë institucionet e caktuara të vendit, që kanë përgjegjësitë e ndara, përfshirë edhe gjatë zgjedhjeve”, thuhet në kumtesën e KQZ-së.

Por, KQZ ka njoftuar se ka marrë vendim që të shtyjë deri ditën e shtunë afatin për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë për të vëzhguar Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit që do të mbahen më 04 dhjetor 2016.

KQZ ka falënderuar ambasadorët “për interesimin e shprehur por edhe ndihmën e vazhdueshme që këto shtete kanë dhënë për Republikën e Kosovës” dhe në veçanti për KQZ-në./Insajderi.com