20161202104922354646

Kotzias: Kushte shtesë më 12 dhjetor dhe jo datë për negociatat për Shqipërinë

“Këshilli i Europian do të miratojë tekst-rekomandimin për Shqipërinë më datë 12 dhjetor, por pa dhënë një datë të saktë për hapjen e negociatave”, ka qenë kjo deklarata e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, i cili shtoi se ndryshe nga fillimi, Tirana tashmë është e frikësuar.

Periskopi.com Lajme

Sipas shefit të diplomacisë helene, Shqipëria kishte një perceptim se hapja e negociatave do të ishte diçka e thjeshtë, por e kuptoi se me çfarë kishte të bënte në momentin kur në tryezë po diskutohej nëse negociatat do të hapen ose jo brenda vitit 2017. Ministri i Jashtëm i Greqisë ka zbuluar për versionin grek të prestigjiozes “Huffington Post” se Këshilli Europian do ta miratojë më datë 12 dhjetor tekst-rekomandimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Kotzias është shprehur se në bazë të burimeve që ka Ministria e Jashtme e Greqisë, Tirana do të marrë një lajm pozitiv për çeljen e bisedimeve, por nënvizoi se nuk do të ketë një datë fikse në lidhje me afatin kohor se kur mund të nisë ky proces. Sakaq, ai ka vijuar të ushtrojë presion ndaj Tiranës zyrtare, duke deklaruar se përveç kritereve të paracaktuara nga Bashkimi Europian, Shqipëria duhet të ketë parasysh edhe pesë kritere thelbësore që janë: fqinjësia e mirë, njohja e të drejtave të minoriteteve, respektimi i të drejtave të minoriteteve në zona ku ka pasur problematika siç është Himara, lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike. Sidomos këto dy çështjet e fundit, sipas Kotziasit, kanë shkaktuar nervozizëm te pala shqiptare. I pyetur nëse ka tensione në marrëdhëniet diplomatike mes Greqisë dhe Shqipërisë, politikani grek shton se pala shqiptare është e tensionuar pasi e kishte konsideruar shumë të lehtë marrjen e një date për hapjen e negociatave, ndërkohë tashmë ka kuptuar se duhet të plotësojë edhe kushtet e tjera për të marrë një vlerësim të mirë.
Greqia kërcënoi me veto pak ditë më parë për çeljen e negociatave të vendit tonë. Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian merr në shqyrtim draft-rezolutën për Shqipërinë të hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein. Ky i fundit i ka kërkuar Komitetit të Jashtëm të PE-së, që t’i japë Shqipërisë dritën jeshile për hapjen e negociatave. Fleckenstein tha se Shqipërisë mund t’i kërkohen të përmbushë zbatimin e reformës në drejtësi por ndërkohë negociatat me këtë vend duhet të hapen. Por deklaratat e tij nuk u pritën aspak mirë nga deputetët grekë të cilët paralajmëruan se do të vendosin veton për Shqipërinë nëse nuk përmbush kriteret e kërkuara.

“Shqipëria nuk është gati për të hapur negociatat dhe duket sikur BE po bën të njëjtat gabime me Sipërinë ashtu si ka bërë me Turqinë. Greqia do të vendosë veton për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nëse nuk ka përmirësime”, tha eurodeputeti grek i Agimit të Artë, Georgios Epitideios. Ndërsa deputetja Eleni Theocharous, tha një ndër kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë është respektimi i të drejtave të minoritetit grek, duke përmendur rastin e vendimit për prishjen e disa shtëpive në Himarë për të cilat ata thanë se është shkelje e hapur e të drejtës së pronës.