kosova

Kosova ende po përfaqësohet me fusnotë

Fusnota ende qëndron e ngrirë mbi Kosovën, kur zyrtarët nga Kosova zhvillojnë takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Periskopi.com Lajme

Ministria për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri në vitin 2012 pati thënë që “fusnota është si fluskë bore që kalon pas dimrit”, me ç’rast kishte paralajmëruar heqjen e shpejtë të fusnotës nga emri i shteti të Kosovës, raporton Insajderi.

Por fusnota ende nuk është larguar, pasi që edhe gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Bashkimin Evropian për lejimin e qasjes së Kosovës në programin e BE-së sot, nga kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini, fusnota qëndronte ende mbi emrin e shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, Edita Tahiri, prezencën e fusnotës e ka arsyetuar me mos njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së. Për këtë ajo ka shembull edhe Maqedoninë, e cila ka nënshkruar MSA-në me fusnotë për shkak të problemeve me emrin, me Greqinë.

“Ende pese vende anëtare te BE nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës edhe Maqedonia ka pasur fusnotë kur e ka nënshkruar MSA me BE-në, për shkak se Greqia nuk e njeh emrin e saj si Maqedoni por si FYROM”, ka thënë Tahiri për Insajderin.

Sipas Tahirit, fusnota nuk po lejon që pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, të mos e pengojnë integrimin evropian te Kosovës.