Veriu

Kosova e Serbia pajtohen për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi në veri

Një kumtesë nga Zyra e Komunikimit me Publikun thotë se në Bruksel. me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u arrit dakordimi për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi me datën 10 janar 2017.

Periskopi.com Lajme

Pas kësaj marrëveshje, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, deklaroi se dakordimi i arritur sot në Bruksel për finalizimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë ka rëndësi të madhe për Kosovën sepse kjo marrëveshje mundëson shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit në fushën e drejtësisë. Sipas saj, institucionet shtetërore të drejtësisë me 10 janar 2017, do të fillojnë funksionimin tashmë në tërë territorin e shtetit tonë si dhe më në fund qytetarët do të mund të kërkojnë drejtësi nga institucionet shtetërore të Kosovës.

Tahiri ka përkujtuar se sipas marrëveshjes për drejtësi, do të vendoset një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat e Republikës së Kosovës. Ligji për Gjykatat i Republikës së Kosovës /Nr. 03/L-199 neni 2.7, përcakton se Gjykata Themelore e Mitrovicës me seli në Mitrovicë themelohet për territorin e Komunës së Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë.

Sipas marrëveshjes për finalizimin e zbatimit me 9 dhjetor 2016 Serbia do të shfuqizojë kontratat e punës dhe do të ndal pagat për gjyqtarët dhe prokurorët serb të cilët do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Serbia obligohet që ta njoftojë me shkrim BE-në, më së voni deri me 9 dhjetor 2016, se ka realizuar këto obligime zbatuese. Integrimi i tyre në sistemin e Kosovës do të bëhet me 10 janar 2017.