Komploti i Faraonit të madh Ramsesi III

Periskopi.com SOK

Një mister i gjatë 3 mijë vite. Në moshë të thyer, Faraoni i madh Ramsesi III ishte viktimë e një komploti të nisur nga një prej grave të tij. Falë disa papiruseve të ruajtur në Torino, Londër dhe Paris, studiuesit kanë mundur të rindërtojnë historinë…

Ramsesi III konsiderohet nga shumë historianë, si i fundit faraon i madh i Egjiptit. Ishte sovrani i dytë i Dinastisë së XX (1550-1075 para Krishtit) dhe mbajti kurorën e Egjiptit të epërm dhe të poshtëm nga 1186 deri në 1155 para Krishtit.

Nën udhëheqjen e tij, egjiptianët triumfuan mbi libianët dhe popujt e detit, që kërcënonin ekzistencën e vetë mbretërisë. Këto triumfe ushtarake janë një provë e guximit të Ramsesit III, por japin edhe një ide të problemeve të mëdhaja që ndeshi. Probleme të mëdha e të vogla, si greva e parë e dokumentuar e historisë, që pa si protagonistë punëtorët që punonin për ndërtimin e varreve në Luginën e Mbretërve.

Por nuk është gjithçka. Sikur të mos mjaftonin luftërat dhe problemet ekonomike, Ramsesi III, i moshuar tashmë, u kërcënua nga një komplot në rrethin e oborrtarëve dhe familjarëve të tij. Dokumentat që zotërohen nuk sqarojnë krejtësisht rezultatin e komplotit, por mund të hidhen hipoteza, bazuar në shumësinë e papiruseve, që na rrëfejnë këtë histori gjaku, si dhe analizimin e mumjes së Ramsesit, kryer nga disa historianë.

FARA E TRADHETISE

Për komplotin kemi dijeni falë disa dokumentave që përmbajnë të dhëna të sakta për ato ngjarje: Papirusi i komplotit të haremit, i ruajtur në Muzeun egjiptian të Torinos; Papirusi Lee, i British Museum, dhe papirusi Rollin, që ruhet pranë Bibliotekës Kombëtare të Parisit. Mes tyre, ai që ruhet në Torino ofron më shumë informacione. I quajtur edhe Papirusi Gjyqësor ose Papirusi Ligjor, u redaktua në kohën e Ramsesit IV (1155 – 1149 para Krishtit), birit dhe pasardhësit të Ramsesit III, në stil hieratik, një formë e veçantë shkrimi me hieroglife që zakonisht përdorej nga priftërinjtë. Në këtë dokument, Ramsesi flet në vetë të parë…