keds

Kompania e territ

Edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës shteti vazhdon të ballafaqohet me mungesë të theksuar të energjisë elektrike, ndonëse për këtë qëllim rrjeti i shpërndarjes ishte shitur kundrejt një çmimi tejet qesharak. Por, situata është përkeqësuar ditëve të fundit ku në emër të punimeve në rrjet KEDS-i aplikonte reduktime të gjata të energjisë elektrike në gjithë vendin

Periskopi.com Lajme

Privatizimi i distribucionit të energjisë elektrike nga konsorciumi turk “Çalik & Limak” nuk ka përmirësuar furnizimin me energji elektrike në vend, ndonëse kjo ishte arsyeja e privatizimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike kundrejt një çmimi tejet qesharak.

Edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës shteti vazhdon të ballafaqohet me mungesë të theksuar të energjisë elektrike, por situata është përkeqësuar së fundmi kur në emër të punimeve në rrjet KEDS-i aplikonte reduktime të gjata të energjisë elektrike në gjithë vendin, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Para pak ditësh Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) përmes një vendimi ka kërkuar nga KEDS-i t’i ndalë reduktimet, por këta të fundit edhe më tuje vazhdojnë të mos përfillin vendimet e autoriteteve kosovare. Të mërkurën Drenasi, Vushtrria, por edhe komuna më të vogla të Kosovës janë përballur me reduktime të energjisë elektrike, por në anën tjetër zyrtarë të KEDS-it mohojnë një gjë të tillë.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thonë se kompania po respekton vendimin e ZRRE-së dhe nuk po aplikon reduktime.

Sipas tij, ndërprerjet që janë bërë të mërkurën  janë raste emergjente, për arsye të sigurisë dhe të kërkuara nga të kontraktuarit.

Sipas tij, nga ana e KEDS-it nuk ka ndonjë ndalese tjetër të planifikuar.

“Konsumi është rreth 1000 megavate/orë në kohë piku. Nga prodhimi vendor i kemi rreth 820 megavate/orë (780 nga KEK-u dhe 40 nga hidrocentralet) dhe pjesa tjetër është import”, thotë Buzhala.