Komisioni për Personat e Pagjetur jep detaje për gjetjen e mbetjeve mortore sot në Suhadoll

Periskopi.com Lajme

Në Suhadoll të Mitrovicës sot kanë vazhduar gërmimet për mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Atje sot janë gjetur mbretje mortore të një personi.

Kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj ka dhënë për “Indeksonline” detajet gjatë gërmimeve të sotme.

“Sot paradite janë gjetur mbetjet mortore të një personi, identiteti i të cilit do të konfirmohet pas analizës së ADN-së. Të gjitha të dhënat dhe dyshimet janë se është person i zhdukur për shkak se është varrosur në mënyrë të parregullt, me veshmbathje, i mbështjellur me një qese të najlonit”, ka thënë ai.

Tutje, Gjetaj ka deklaruar se kanë hasur edhe në gjetje të tjera mortore, për të cilat do të bëhen analizat që të shihet nëse përputhen me gjakun e familjarëve të të zhdukurve.

“Është vazhduar në kërkime të tjera në ato hapësira të Suhodollit, ka pasur gjetje në pika të ndryshme, gjetje fragmentare kockore, analiza e ADN-së do të tregojë për saktësinë se kujt i përkasin dhe a mund të përputhen me monstrat e gjakut të familjarëve të të zhdukurve”, është shprehur ai.

Gjetaj ka shtuar se punimet janë ndërprerë në orët e pasdites, për të vazhduar sërish të hënën.