pena-e-ismail-qemalit

Koleksionistët dorëzojnë penën e Ismail Qemalit

Objekteve e dokumenteve që dalin çdo vit për 28-29 nëntor, këtë vit i bashkohet për herë të parë pena origjinale që Ismail Qemali firmosi aktin e shpalljes së pavarësisë 104 vjet më parë

Periskopi.com Kulturë

Të njëjtat sende sjellin prej vitesh të njëjtën histori për 28 Nëntorin, pa nxjerrë ende në dritë aktin themeltar ku u firmos shpallja e pavarësisë. Por pena origjinale e Ismail Qemalit, me të cilën u nënshkrua Akti i Pavarësisë dhe letra e përfaqësimit që Primo Bianchi i dërgonte Dom Nikollë Kacorit, janë dy prej objekteve që i japin vlera ekspozitës.

“Pena me të cilën është firmosur akti i pavarësisë ka qenë pronë e Ismail Qemalit. Këtu kemi dy momente, është një letër përfaqësimi që Primo Bianchi ia dërgon më datë 19 nëntor Dom Nikollë Kacorit, ku i jep përfaqësimin për të marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës”, ka thënë Shpëtim Sala, kryetari i Qendrës Mbarëkombëtare e Koleksionistëve të Shqipërisë.

Flamuj kombëtarë, periodikë, materiale etnografike me simbole kombëtare, fotografi dhe libra të kohës, të cilat koleksionisti Shpëtim Sala kishte premtuar se do t’i ekspozonte në muzeun e parë privat.

Por kjo është bërë e pamundur, një pengesë që Sala e shikon tek institucionet e shtetit, Ministria e Kulturës, që nuk e ka përkrahur ende këtë projekt. Në shenjë simbolike, por edhe në pritje të përmbushjes për hapjen e muzeut të parë privat të flamurit, koleksionisti e ka hapur atë online në ditën e djeshme.

Për prezantimin në Muze të penës origjinale me të cilën u firmos akti i shpalljes së pavarësisë, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi tha se ndonëse është një objekt i vogël, ajo ka një rëndësi mjaft të madhe për historinë e shqiptarëve.

“Pena ndodhet pranë Deklaratës së Pavarësisë, si simbol i përfundimit të etapës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe hapjes së një faqe të re në historinë e Shtetit Shqiptar”, ka thënë ai.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përmban këto fjalë: “Pas fjalëve që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me njëza vendosën që Shqipëria më sot të bëhet më vehte, e lirë e mos varme”.

Kryetari i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, Sala bëri një ekspoze të objekteve të paraqitura duke përmendur edhe kabinetin e Qeverisë së Vlorës, i cili u miratua më 4 Dhjetor 1912.

Mbi këtë janë ekspozuar disa nga flamujt, që datojnë nga viti 1905 e deri në 1944, të ruajtur nga familjet Sala dhe Toptani, këto riekspozohen në pritje të një muzeu privat të flamurit, ende të pakonkretizuar ku mendohet se do mund të ekspozohen rreth 40 flamuj dhe disa dhjetëra objekte të tjera historike por që Qendra e Koleksionistëve Mbarëshqiptare e vendos në një muze virtual.

Po në ditën e djeshme të tjera institucione qendrore të Tiranës, si Arkivi Qendror i Shtetit ka zhvendosur vëmendjen në prefekturën e Beratit duke kujtuar kontributin në shpalljen e Pavarësisë ku janë kujtuar emra të njohur si: Dhimitër Tutulani, Jorgji Karbunara, Xhelal Koprencka, Iljaz Vrioni, Ferit Vokopola, së bashku me atdhetar të tjerë u bënë firmëtarët e aktivitetit të Pavarësisë nga Prefektura e Beratit, por dhe më pas kontribuuan në Qeverinë e Vlorës.

Kështu Arkivi Qendror Shtetëror prezantoi në qytetin e Beratit ekspozitën me fotografi, dokumente e kujtime të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë, por edhe korrespodencës që Prefektura e Beratit vendosi dhe mbajti me Qeverinë e Vlorës. 18 fotografi nga dokumentet origjinale, faksimile, kujtime të kohës rreth momenteve tepër të veçanta siç është shpallja e Pavarësisë, Qeveria e Vlorës, u prezantuan më pas për pjesëmarrësit në këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur për disa ditë.

/mapo.al