Koalicion i panatyrshëm

Nëse të paktën do të bëhesh shenjt me mëkatet e të tjerëve, diçka që tek ne e gjen me bollëk, të paktën ngulmo e duro edhe pak, pa u lëshuar në orvatje parazgjedhore. Kjo sepse diçka si koalicioni parazgjedhor komunal në një kohë kur problematika e asaj treve është nacionale përkatësisht dikush si Bahtiri, të nxjerrin krejt joserioz në pretendimin për kauzë nacionale.

Fatlum Sadiku Opinione

Shkruan: Fatlum SADIKU

Java që shkoi, u shënua nga një befasi e përçudni me pak bujë, por simptomatike. Me gjasë nga fakti se  lajmet mbi murin krye urës së Ibrit dominuan informacionin javor, gjithçka tjetër u kalua si lajm rutinor dite. E kam fjalën për koaliconin e arritur mes Vetëvendosjes dhe Agim Bahtirit në Mitrovicë, diçka që s’duhet të ikë pa u diskutuar.  Është prej hapave më të panatyshëm dhe më joprarimor që VV ka bërë ndonjëherë, mbase që prej kur në ktë subjekt pati hyrë Ilir Deda.

Një negociator bajraktaresk, një biznismen ala Pacolli pa kurrfarë njohurish poltiike, një epitomë e paemancipimit politik të vetë mitrovicasve që erdhi në karrike si  pasojë e paperspektivës e pashpresës, shtrëngoi duart me dikënd që në ontologjinë e vet ka lindur kundër këtyre gjërave.

Pra negocimi, biznesi, mosdija dhe rezultanta e pashpresës dhe e paemancipimit u honepsën aq shpejt, u retushuan aq ad hoc, sa që mjaftoi një konference shtypi, për tu shpallur koalicioni Bahtiri-VV.

Për ironi prezent në komunikatën për media ishte edhe Xhelal Sveçla, i dorëhequr para 6 muajsh për parime humane (pas rastit të humbjes së jetës së vogëlushëve në Kolovicë), e që tani po kurorëzonte një joparitet të pashpjegueshëm politik. Krejt kjo ngjau kur vendi po shikonte tragjikomedinë e kandidatëve të Drenasit, me nivel emancipimi sa fiset e maleve Urartru e nga të cilët Bahtiri pak dallon.

Duke futur në funksion atë që emërtohet si “kuptim i lartë” do të tentoja ta kuptoja aktin, por zor se do të arrija ta shpjegoja. Secila lëvizje, secila parti politike sado e besatuar në idealizëm që të jetë, i duhen votat. Deri këtu në rregull. E është e qartë se VV ka deficite në nivele lokale. Kjo ngase që nga lindja e saj VV u karakterizua nga një përqëndrim i theksuar në Prishtinë një vazhdimësi kjo e centralizmit jugosllav. Duke e injoruar konceptin familje dhe duke qëndruar indiferent ndaj faktorit fe që gjithnjë e më shumë po vinte në shprehje, VV (flas edhe për periudhën sa ishin jashtë sistemit) ngeli formacion politik me aktivistë, kryesisht të rinj,  por pa struktura.

Për rrjedhojë VV në Mitrovicë me vite nuk ka pasur aktivistë as sa ka tifozë ekipesh futbolli e basketbolli në qytet. Natyrisht kjo është e pikëlluese për nivelin mendësor e politik të vetëdijes së mitrovicasve dhe më shumë flet për ta se sa për VV-në, por edhe  kjo e fundit do të duhej me kohë ta kujtonte faktin që demokracia nisë nga poshtë-lart, përfshi edhe revoltën/rezistencën dhe jo e kundërta.

Nuk po them  tani se VV-së i ka plasur për dy drejtori dhe në fakt po maksimalizoj me mundësinë e të kuptuarit të qëllimit të mirë të kolaicionit, në sensin e të qenit më të vërejtshëm e me të prekshëm në Mitrovicë, por  sërish nuk po i’a kam idenë se si do të mund të lexohet koalicioni me Bahtirin i ndërlidhur me problemin politik të qytetit, kur vetë komuna e Mitrovicës Jugore nuk ka kurrfarë ingerencash matanë Ibrit? Hap më i guximshëm do të ishte hapja e ndonjë selie në veri të vendit, qoftë edhe me 5 pesë aktivistë. Situata nuk do të politizohej ndryshe.

Deficitarizmi si rezultat i injorimit të shtyllës familje, fe (VV nuk ka ndonjë qëndrim të qartë mbi realitetin social të quajtur fe), nivel lokal (emancipimit edhe të strukturës semirubane habituse në qytet por edhe të fshatarësisë së ardhur)  e të bashkëpunimit me biznese (nuk po them që bashkëpunimi me bizneset është gjë e drejtë, por vetëm po konstatoj gjendje), e besa edhe të momentumeve volitëse për ta përshkallëzuar me të drejtë situatën, po i kushton VV-së. Disi e “ka dënuar” që ravijëzimin në kohë ta ketë si tek thënia e Çehovit: “të bëhesh shenjt me mëkatet e të tjerëve”. Në  një subjekt vagët mobilzues, që pret pushteti të gabojë, e populli “të shoh”.  Koalicioni me Bahtirin rrezikon ta shlyejë edhe këtë parim, sepse Bahtiri ka bërë mjaftueshëm dëme e mëkate, sa për të mos e parë si partner. Opinioni nuk do të duhej të shihte koalicone të të tjerëve me të, por shkuarjen e tij.

Nëse të paktën do të bëhesh shenjt me mëkatet e të tjerëve, diçka që tek ne e gjen me bollëk, të paktën ngulmo e duro edhe pak, pa u lëshuar në orvatje parazgjedhore. Kjo sepse diçka si koaliicioni parazgjedhor komunal në një kohë kur problematika e asaj treve është nacionale përkatësisht dikush si Bahtiri, të nxjerrin krejt joserioz në pretendimin për kauzë nacionale. Do të duhej që këtë javë të ishim në këmbë për murin dhe Astritin, e jo të vranim kohën duke qeshur me fatkeqësinë njerëzore të quajtur R.LL., apo që lajmi për shkarkimin e Mariqit ta përshkonte dominimin medial, respektivisht ta blente paqen sociale.