Këta janë familjarët e rehatuar të Dhurata Hoxhës pasi u bë ministre

Periskopi.com Lajme

Kohëve të fundit ministrja në detyrë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ishte mjaft e zëshme duke hedhur akuza të shumta ndaj Komunës së Prishtinës e VV-së.

Ajo dhe partia e saj, PDK, ka akuzuar  subjektin që qeverisë me Komunën e Prishtinës për keqqeverisje, punësime partiake e kapje të shkollave të kryeqytetit.

Partia që është kritikuar vazhdimisht edhe nga organizata të ndryshme, për korrupsion, nepotizëm e punësime familjare në pothuajse çdo institucion gjatë kohës sa ka pushtetin, kohëve të fundit ka organizuar konferenca e ka lëshuar komunikata të ndryshme duke akuzuar Komunën e Prishtinës.

Si duket PDK-ja, këto akuza po i bën vetëm për t’i mbuluar të bëmat e veta dhe për të fituar pikë në prag të zgjedhjeve lokale, ngase institucionet e ndryshme të shtetit janë të mbushura jo vetëm me militantë partiakë por edhe me familjarë të afërt të zyrtarëve të PDK-së.

Periskopi mëson se në një rasti të tillë skandaloz është e përfshirë pikërisht ministrja Dhurata Hoxha.

Në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, babai i saj, Sabri Sadiku, është kryesues i Këshillit Drejtues, i cili u emëruar nga Ministria e Arsimit në këtë organ.

Ministrja Hoxha, në po të njëjtin Universitet ka të punësuar edhe axhën, Ali Sadiku, i cili është prorektor për buxhet dhe financa.

Babai i Dhurata Hoxhës, kryesues i Këshillit Drejtues në këtë Universitet, në maj të 2016-ës, sa ishte ende zëvendëskryesues, kishte shkelur edhe Ligjin për arsimin e lartë dhe Statutin e Universitetit, pasi së bashku me dy anëtarë të tjerë të Këshillit Drejtues, janë kthyer edhe në staf akademik në po të njëjtin universitet.

Hoxha u bë ministre e Qeverisë në korrik të 2016, dhe si duket kjo gjë i ka kryer punë edhe për avancimin e babait i cili tashmë është kryesues i Këshillit Drejtues dhe jo zëvendës.

Përveç kësaj, Sabri Sadiku, është pensionist dhe merr edhe pensionin e pleqërisë nga buxheti i shtetit.