stentat-e1480496166846

Kërkohet veçimi i procedurës në rastin ‘Stenta’

Avokatët e dy të akuzuarve në Rastin ‘Stenta’ kërkuan veçimin e procedurës për të mbrojturit e tyre, me arsyetimin se akuzat ndaj tyre nuk lidhen me të akuzuarit tjerë.

Periskopi.com Lajme

Të paktën dy prej avokatëve të të akuzuarve në Rastin “Stenta” kërkuan veçimin e procedurës ndaj të mbrojturve të tyre, në procesin ku të akuzuar janë 44 mjekë, 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit shëndetësor privat.

Nikë Shala që mbron ish-sekretarin e Ministrisë së Drejtësisë Gani Shabani, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare është njëri nga paraqitësit e kërkesës për veçim procedure.

“Në seancën fillestare për arsye të efikasitetit të procedurës penale i parashtrova propozim gjykatës për veçimin e procedurës ndaj klientit tim, sepse vepra penale për të cilën akuzohet klienti im fare nuk ka të bëjë me të akuzuarit tjerë,” tha Shala përmes telefonit për KALLXO.com.

Shala tregoi  se vepra për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij përpos me të akuzuarit e tjerë, nuk ka të bëjë as me dëshmitarët e të dëmtuarit e këtij rasti.

Përveç avokatit Shala, kërkesë për veçimin e procedurës ka bërë edhe Skender Musa, avokati i të akuzuarit Abdullah Tuna.

Musa u ankua për mosërkthim të shkresave të lëndës në gjuhën amtare të të mbrojturit të tij.

“Nga gjykata kemi kërkuar që të bëhet përkthimi i shkresave të lëndës nga gjuha shqipe në gjuhën turke, pasi që i mbrojturi im nuk flet shqip. Gjykata ka vendosur që deri më datën 28 dhjetor,  duhet të pajisemi me shkresa të lëndës në gjuhën që e flasin të pandehurit,” tha Musa për KALLXO.com.

Seanca fillestare e Rastit “Stenta” u zhvillua dje, ndërsa medieve iu lejua vetëm marrja e pamjeve në kohëzgjatje prej një minute dhe pastaj gjykimi u mbyll për to.

Pjesë e këtij gjykimi janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj Ministrie, Gani Shabani, që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011-2015.

Për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti ngarkohen edhe të akuzuarit tjerë të këtij procesi.

Mjekët dhe punonjësit shëndetësorë që po gjykohen u arrestuan më 9 tetor 2014.

Një ditë më pas KALLXO.com siguroi dokumentin e prokurorisë me të cilin kërkohej paraburgim për mjekët e arrestuar në të cilin të arrestuarit e atëhershëm me sms flisnin për pacientë që nga institucionet publike i dërgonin në ato private në këmbim të përfitimit material.

Për rastin e stentave emisioni “Jeta në Kosovë” shfaqi një hulumtim në dhjetor të vitit 2014.

Me këtë hulumtim vitin e kaluar ekipi i emisionit “Jeta në Kosovë” fitoi ëmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese.