be-kosove-1-685x380-933x445

Katër ministri pa ministra

Në Qeverinë e kryeministrit Mustafa janë katër ministri pa ministra. Dy ministra të Listës Serbe po e bojkotojnë punën e ekzekutivit, ndërsa ministri i Integrimit, si dhe ai i Ambientit ende nuk janë emëruar.

Periskopi.com Lajme

Katër dikastere të Qeverisë së Kosovës që disa muaj po vazhdojnë të funksionojnë pa ministra, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Dy prej tyre janë të udhëhequra nga Lista Serbe, e cila qe një kohë ka ngrirë punën në institucionet shtetërore të Kosovës.

Ndërkaq, posti i ministrit në dy dikastere tjera të Qeverisë (Integrimit dhe Ambientit), tashmë ka mbetur vakant prej kohësh.

Dalibor Jevtiq, ministër i Kthimit dhe i Komuniteteve dhe Lubomir Mariq, ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, po vazhdojnë ta bojkotojnë punën e tyre qysh prej muajit tetor, në shenjë kundërshtimi për miratimin e Ligjit për “Trepçën”.

Madje, Lista Serbe e ka kushtëzuar Qeverinë e Kosovës se nuk do t’i kthehet jetës institucionale, pa inicimin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Slavko Simiq, ka thënë për Gazetën “Zëri”, se subjekti i tij kërkon themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në të kundërtën nuk kthehet në institucionet qendrore të Kosovës.

“Ne kemi një plan, duam që pas zbatimit të Marrëveshjes për Telekomunikacionin, udhëheqësit e rëndësishëm politikë që janë nënshkrues të Marrëveshjes së Brukselit ta iniciojnë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka deklaruar ai.