assah

Ja çfarë planifikon të bëj Assad para se Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë

Ushtria siriane dhe aleatët e saj synojnë të marrin kontrollin e të gjitha zonave lindore të Aleppos nga rebelët, para se president i zgjedhur Donald Trump të marrë postin në janar.

Periskopi.com Lajme

Agjencia e lajmeve “Reuters”, bazuar në burimet saj brenda inteligjencës siriane, shkruan se plani mbështetet edhe nga Rusia, sidomos pas përparimit të ndjeshëm në terren gjatë ditëve të fundit.

Sipas burimeve anonime të “Reuters”, megjithëse Trump ka lënë të kuptohet se mund të mos mbështesë rebelët, Siria dhe Rusia duan të përfundojnë operacionin në Aleppo për të paraprirë ndonjë ndryshim të politikës amerikane në Siri.

Zyrtarë të inteligjencës siriane thanë se, administrata amerikane po i kushton aktualisht shumë pak vëmendje Sirisë, ndaj dhe Assad, bashkë me aleatët e tij po shfrytëzojnë situatën sa më shumë që të munden.

Gjatë ditëve të fundit, rebelët në Aleppo kanë humbur një të tretën e territorit që kontrollonin dhe, ndërsa beteja spostohet në zona të populluara më dendur, ajo bëhet më e vështirë dhe më e përgjakshme.

Për këtë arsye, OKB dha alarmin për katastrofën njerëzore që po verifikohet atje, ndërsa me mijëra braktisin qytetin për shkak të përparimit të ushtrisë. Sipas OKB-së, mbi 16 mijë vetë kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të përparimit të ushtrisë siriane në zonat rebele.

OKB tha se mijëra të tjerë do ta bëjnë këtë në ditët e ardhshme, nëse luftimet vazhdojnë të përhapen dhe përshkallëzohen. Zyrtarë të OKB-së shprehën shqetësim për fatin e mijëra civilëve, duke e cilësuar situatën tejet alarmante.