IKD: Demarkacioni nuk është kushti i vetëm për vizat – Nuk po luftohet as korrupsioni i nivelit të lartë

Periskopi.com Lajme

Nuk është vetëm demarkacioni ai i cili po pengon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Korrupsioni sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi është një faktor tjetër i rëndësishëm, pa luftimin e të cilit, Kosova vështirë se mund të fitoj liberalizimin e vizave.

Ehat Miftaraj, nga IKD thotë se lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë ka mbetur vetëm në deklarata të zyrtarëve shtetëror.

Sipas tij, gjetjet e këtij Instituti tregojnë se në Kosovë po luftohet vetëm korrupsioni i nivelit të ulët.

“ Lufta kundër korrupsionit është shëndërruar në luftë deklarative qoftë nga politika por edhe nga institucionet e drejtësise si prokuroria dhe gjykatat. Gjetjet e IKD-së si rezultat i monitorimit sistematik të rasteve të korrupsionit deshmojnë se në Kosovë luftohet korrupsioni i nivelit te ultë përderisa në mënyrë masive amnistohet korrupsioni i nivelit të lartë”,thotë ai për Periskopin.

Miftaraj thotë se viti 2017 është viti gjatë së cilit ka pasur më së shumti raportime për korrupsion në institucionet më të larta shtetërore, por që organet e drejtësisë kanë mbyllë sytë, apo edhe i kanë amnistuar këto raste.

“Viti 2017, do të mbahet mend për një numër jashtëzakinisht të madh të raportimeve në media per veprimtari korruptive nga Qeveria, Policia dhe Prokurori i Shtetit, por që në mënyrë sistematike policia dhe prokuroria e Kosovës në koordinim qoftë përmes mos veprimit apo mbylljës së rasteve po amnistojnë kryesit e këtyre veprave penale”, shprehet Miftaraj.

Pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë shtetëror, të cilët janë të përfshirë në afera korruptive, sipas tij, më së shumti e dëmton popullin e Kosovës, i cili ka mbetur i izoluar.

“Një qasje e tillë ka instaluar në Kosove kulturën e pandeshkueshmërisë që padyshim se më shumti po e dëmton popullin e Kosovës duke ia mohuar të drejtën e lëvizjës së lirë dhe zhvillimin ekonomik”, tha Miftaraj.

Ndryshe, drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, pas takimit që pati sot me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se Kosova i ka edhe dy kushte për t’i plotësuar për liberalizimin e vizave, atë për Demarkacionin me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit.

Sipas tij nëse këto dy kushte plotësohen, atëherë mund të vazhdohet përpara./Periskopi/