Skender-Hyseni

Hyseni kërkon ratifikimin e demarkacionit

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se nëse ekspertët e demarkacionit vlerësojnë se ndarja kufitare mes Malit të Zi e Kosovës është në rregull atëherë marrëveshja duhet të ratifikohet.

Periskopi.com Lajme

Sipas tij ekspertët shtetëror të cilët e kanë nënshkruar raportin për demarkacion nuk kanë gabuar.

“Ka një komision shtetëror i cili e ka caktuar vijën kufitare me Malin e Zi dhe ai raport ka kaluar në Kuvendin e Kosovës. Asnjëherë nuk mund të them se ata ekspertët kanë gabuar se nuk jam ekspertë”, ka thënë Hyseni. Ndërsa, lidhur me ratifikimin e demarkacionit si kusht për liberalizim të vizave, ministri Hyseni ka thënë se nuk pajtohet mirëpo ky mospajtim nuk e zgjidh problemin.

“Unë ju them që jo, me plot bindje mirëpo që them unë është kusht i padrejtë, a na e zgjidh problemin kjo? Mund të themi ditë e natë se është i padrejtë. Ratifikimi është zgjidhje”, ka thënë Hyseni.

Lidhur me migrimin si kusht tjetër për liberalizimin e vizave, Hyseni theksoi se ky kusht nuk po përmendet më pasi sipas tij shifrat që i ka prezantuar para Mogherinit ka bërë që të kuptohet se vendi qëndron mirë në këtë aspekt. Ndër të tjera, ministri Hyseni foli edhe për Gjykatën Speciale. Sipas tij deri më tash ministria nuk e ka asnjë rol.

“Ministria e Brendshme nuk ka asnjë rol, do të jap asistencë nëse i kërkohet”, përfundoi ai.