albulena-730x440

Haxhiu vijë të kuqe PDK-së: Gjysma e përfaqësuesve të tyre duhet të jenë prapa grilave

Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk do të bënte koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Gjysma e përfaqësuesve të kësaj partie kanë nevojë që të shkojnë në opozitë, ndërsa shumë prej tyre prapa grilave për veprimet e tyre kriminale të pasluftës e që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Kushtrim Hajzeri Intervista

Kështu ka deklaruar deputetja e kësaj Lëvizjes, Albulena Haxhiu, e cila në një intervistë për Periskopin, ka thënë se PDK më shumë i ngjanë një grupi kriminal se një partie politike.

Në këtë intervistë, Haxhiu ka folur edhe rastin  e Astrit Deharit, mosraportimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, si dhe për çështjen e buxhetit.

Në intervistën për Periskopin, Haxhiu ka folur edhe për çështjen e koalicionit qeverisës, për të cilin ka thënë se nuk do të arrijë ta përfundojë mandatin qeverisës.

Intervista e plotë:

Pse Armend Zemaj akuzoi Lëzivjen Vetëvendosje për shtyrje të Astrit Deharit drejt vetëvrasjes?

Së pari më duhet të theksoj faktin se për mua është i papranueshëm fakti që Komisioni për Legjislacion, për shkak të presioneve nga regjimi, ka hequr dorë nga përgjegjësitë që ka. Pas vdekjes tragjike të një qytetari dhe aktivisti politik në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, është dashur që të ketë veprime të menjëhershme dhe serioze nga Komisioni për Legjislacion, sidomos duke i marrë parasysh gjithë kontradiktat që kanë ndodhur në deklarimet publike të institucioneve kompetente, qoftë për rrethanat e vdekjes, apo edhe për kohën e vdekjes. Sa i përket deklaratave të Armend Zemajt, të njëjtat duhet t’i sqarojë ai vetë. Nuk kaloi shumë kohë dhe i njëjti u terhoq nga po të njëjtat deklarata, duke thënë se ka folur çfarë ka dëgjuar në disa media. Mendoj se një person si ai, i cili shpesh herë ka shkelur mbi qëndrimet e tij, nuk duhet marrë parasysh dhe as nuk duhet marrë seriozisht. Edhe ai e di që përgjegjësinë për vdekjen e dhunshme të Astritit e ka shteti, por nuk e thotë dot se është i kapur nga regjimi.

A keni ndonjë problem personal me Armend Zemajn apo vetëm probleme politike?

Problemet e mia me z. Zemaj, janë të natyrës konceptuale. Unë bëj pjesë në një subjekt politik që lufton regjimin aktual, ndërsa ai e mbështet këtë regjim pa asnjë rezervë. Është i njëjti, që me shumë kolegë të tij, e vendosen në krye të Kuvendit atë që e akuzuan për vrasjet politike të aktivistëve të tyre e po ashtu është përgjegjës ai dhe partia e tij që sot Kosova ka një të ashtuquajtur President si Hashim Thaçi. Këto vendime të dëmshme po i vuajnë qytetarët e Republikës. Është bajagi interesante sepse i njëjti flet me shumë mllef kundër neve si subjekt politik, por deri më tani nuk e kam dëgjuar të kritikojë klanin Pronto, me të cilin është në koalicion.

A mendoni se koalicioni qeverisës do ta përfundojë mandatin?

Jo. Kjo Qeveri e dështuar, ka dëshmuar se nuk është as e gatshme, por nuk ka as dije dhe as vullnet për t’i bërë ndryshimet që i duhen vendit dhe qytetarëve. Edhe gati pas dy viteve të mandatit qeverisës është mjaft e vështirë të gjesh ndonjë vendim të kësaj Qeverie, e që ka qenë në favor të vendit dhe qytetarëve. Përkundrazi, kjo Qeveri shumë më shumë ka punuar për interesat e Serbisë dhe Malit të Zi sesa për ato të Kosovës. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe atë sa më parë. Çdo ditë e kësaj qeverie në pushtet do të thotë më pak shtetësi  për Kosovën e më pak mirëqenie për qytetarët e saj.

A beson se nëse ndodh prishja e koalicionit do të ndodh shkaku i buxhetit apo problemet e koalicionit qeverisës qëndrojnë diku tjetër?

Duhet theksuar faktin se koalicionin aktual e lidhin interesat personale, klanore e biznesore dhe vetëm ato konceptuale jo. Kjo është dëshmuar edhe gjatë kësaj kohe të qeverisjes. Pavarësisht pazareve dhe problemeve që mund t’i kenë ndërmjet vete, mendoj se ne si shoqëri nuk duhet t’i lëmë këta njerëz të vendosin për ne. Duhet të angazhohemi që të ia shkurtojmë ditët këtyre njerëzve që interesin personal e kanë para atij shtetëror e qyretar. Qytetarët e vendit kanë nevojë për një ndryshim të mendësisë politike, kanë nevojë për një forcim të shtetit, dhe jo për njerëz që kanë krijuar pasuri në kurriz të qytetarëve të varfër, njerëz që tentojnë ta kthejnë Serbinë në Kosovë dhe tentojnë të iu falin territor shteteve fqinje. Këta nuk mund të na përfaqësojnë. Këta nuk duhet lejuar për të qeverisur me vendin, këta duhet t’i ndëshkojë drejtësia e pavarur për gjitha dëmet që i kanë sjellë vendit.

A do ta votoni buxhetin?

Natyrisht që jo. Nuk mund ta përkrahim një buxhet i cili nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, pra nuk ofron mirëqenie për qytetarët e Republikës. Meqë kam analizuar edhe ndarjen buxhetore që i është bërë sistemit të drejtësisë, më duhet të theksoj faktin, se edhe për vitin e ardhshëm – njësoj sikur në këtë vit – Qeveria nuk i ka kushtuar rëndësi sistemit të drejtësisë. Më konkretisht, as 2% e totalit buxhetor nuk është ndarë për sistemin e drejtësisë. Si duket, kësaj Qeverie po i përshtatet mosforcimi i sistemit të drejtësisë, pikërisht për faktin se do të mund ta mbajë lehtë të kontrollueshëm dhe të ndikojë në të.

A mendoni ju se VV-në mund ta shohim ndonjëherë në koalicion me LDK-në?

Kjo nuk është çështje që bëhet ose s’bëhet si e mendoj unë. Për këtë vendosin organet dhe anëtarësia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe ky diskutim do të bëhet kur të vijë koha. Ajo që dihet hapur është që ne nuk mund të bëjmë koalicion me një subjekt politik që udhëhiqet nga një njeri si Isa Mustafa. LDK duhet të ndryshojë qasje dhe duhet të ndryshohet drejtuesi i saj. Mendoj që si Lëvizje, duhet të fokusohemi në bashkimin e gjithë atyre që janë të pakënaqur me ketë regjim, këtu kam fjalën për bashkimin e individëve, por edhe grupeve tjera të interesit kundër këtij regjimi. Vetëm një bashkim dhe angazhim i madh kundër të njëjtit, mund t’i sjellë ndryshimet e duhura për vendin.

Për cilat parti politike VV-ja ka vija të kuqe?

Koalicioni antikrim është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe sigurisht që kjo nënkupton përjashtimin automatik të PDK-së, duke e ditur faktin se sa e kriminaliziar është, aq shumë saqë është vështirë të quhet parti politike sepse i ngjanë më shumë një grupi kriminal. Përfaqësues të PDK-së, gjysma prej tyre kanë nevojë që të shkojnë në opozitë, ndërsa shumë prej tyre prapa grilave për veprimet e tyre kriminale të pasluftës e që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Sipas jush çka e bëri Sylë Hoxhën që të mos raportonte para Komisionit për Legjislacion?

Duke e marrë parasysh që Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, është zgjedhur prokuror me ndihmën e klanit Pronto, ky është fakt i mjaftueshëm për ta bërë atë njëri pa kredibilitet moral dhe profesional. Të njëjtit mund të mos i pëlqejnë raportimet transaprente e për publikun. Sylë Hoxha preferon ndërhyrjet e Prontos. Dmth kam fjalën për ato të padukshmet, ato të nëntokës. Soji i tillë i prokurorëve nuk mund të hetojë vdekjen e dhunshme të Astrit Deharit, andaj edhe kemi mbështetur kërkesën e familjes që i njëjti të ndërpresë hetimet për këtë rast, në mënyrë që t’i hapet rruga një hetimi të pavarur.