thaqi-prekaz_5630

Hashim Thaçi as si president nuk pritet nga familja Jashari

Lideri politik, Hashim Thaçi, as këtë vit si president nuk është pritur nga familja Jashari, në përvjetorin e lindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.

Periskopi.com Lajme

Për nder të 28 Nëntorit, i pari i shtetit ka vendosur kurora lulesh në varrezat e Jasharajve në Prekaz, me ç’rast ka uruar ditëlindjen e Adem Jasharit, ditën e Flamurit dhe ditën e daljes në skenë të UÇK-së. Por, për dallim prej disa delegacioneve të tjera, Thaçi as këtë vit si president nuk është mirëpritur në konak të familjes Jashari.

Në anën tjetër, delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje i kryesuar nga kryetari Visar Ymeri dhe deputetët Albin Kurti, Rexhep Selimi e Aida Dërguti përveç homazheve në kompleksin memorial Adem Jashari, janë pritur edhe në konak të kësaj familje nga Lulzim Jashari, djali i komandantit Adem Jashari.

Përveç delegacionit të Lëvizjes Vetëvendosje, familja Jashari dyert ka hapur edhe për përfaqësuesit e Nismës për Kosovës.

Homazhe tek varrezat e Jasharajve gjatë ditës së sotme kanë bërë edhe kandidatët për kryetar të Komunës së Drenasit, si Xhavit Drenori, Ramiz Lladrovci, Isa Xhemajlaj e Vehbi Berisha.

Hashim Thaçi nuk ishte pritur nga famija Jashari as në tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kur ishte zëvendëskryeministër. Por, ai nuk ishte i vetmi, pasi familja Jashari nuk kishte hapur dyertë as për kryeministrin, Isa Mustafa e ish-presidenten, Atifete Jahjaga. /Periskopi/